Rezoluta e SHBA që fut 600 mln $ në Shqipëri, ja nisma në mbështetje të muxhahedinëve

SHBA ka ndërmarrë një tjetër nismë në mbështetje të muxhahedinëve iranianë që jetojnë në Shqipëri. Kongresi i SHBA i kërkon qeverisë së Irakut të dëmshpërblejë pjesëtarët e opozitës iraniane. Përmes një rezolute ata kërkojnë kompensimin financiar të 2700 anëtarëve të MEK, ish-rezidentë të “kampit Ashraf” dhe “kampit të Lirisë”, në mënyrë që ata të mund të përballojnë jetën e tyre të re në Shqipëri.

Kompenismi kërkohet për të githa pronat që ata mund të kenë lënë në kampet e Irakut. Shuma e përmendur në rezolutë është 600  milionë dollarë, aq sa vlerësohen pronat e muxhahedinëve në Irak. Rezoluta u depozitua në Kongresin Amerikan nga 5 kongresmenë.

Në rezolutë thuhet se, edhe pse mes qeverisë amerikane, asaj të Irakut dhe misionit të Kombeve të Bashkuara në Irak është rënë dakord, që pas largimit të këtyre personave nga dy kampet, pronat e tyre të ruheshin dhe të shiteshin nga pronarët e tyre, qeveria irakiane ua ka shitur apo dhënë ato personave pranë saj.

Nëse qeveria e Irakut do të pranojë rezolutën atëherë në Shqipëri do të futeshin 600 milionë dollarë, një shumë e kënaqshme për ekonominë e vendit tonë./a.m.