Reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein takime me klasën politike

Krimi i organizuar, Xhafaj – Fleckenstein: EUROPOL zbarkon në Tiranë

Në kuadër të vizitës së tij që po zhvillon prej dy ditësh në Tiranë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein vijoi takimet e tij me përfaqësues të lartë të kabinetit qeveritar. I tillë ishte edhe takimi i djeshëm me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. I shoqëruar edhe nga ambasadorja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin gjatë takimit, europarlamentari u njoh me prioritetet e Ministrisë së Brendshme. Si ish-kryetar i Komisionit Parlamentar  për Reformën në Drejtësi ministri Xhafaj i shprehu eurodeputetit Fleckenstein mirënjohjen për mbështetjen për këtë reformë, duke shprehur besimin se BE-ja do të ofrojë të njëjtën mbështetje edhe për prioritetet që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kontekst, ministri Xhafaj prezantoi prioritetet kyçe të Ministrisë së Brendshme, të hartuara edhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të misionit “PAMECA V”. Ndër to, ministri veçoi procesin e Vetting-ut në Policinë e Shtetit; luftën ndaj kanabisit, luftën kundër krimit të organizuar; parandalimin e fenomenit të azilkërkimit dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e veçanërisht minorenëve. Ministri Xhafaj informoi gjithashtu për masat që po programohen për të forcuar më tej bashkëpunimin me autoritetet homologe të vendeve partnere, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore. Nga ana e tij, zyrtari i Parlamentit Europian shfaqi interes të posaçëm lidhur me procesin e Vetting-ut dhe rezultatet konkrete në luftën kundër kanabisit. Fleckenstein vlerësoi faktin që EUROPOL-i do të sjellë ekspertë në Shqipëri për të bashkërenduar punën mes Tiranës dhe Brukselit, në luftën kundër krimit të organizuar. Ai shprehu angazhimin për t’i kërkuar Komisionit Europian një mbështetje më të madhe, me fokus në prioritetet e prezantuara.

Narko-trafiku

Krimi shqiptar ka shqetësuar jo pak kohët e fundit vendet anëtare të BE-së, ku kujtojmë se Holanda, por jo vetëm është përfshirë në një debat parlamentar ku prej javësh kërkohet rikthimi i regjimit të vizave për Shqipërinë, si e vetmja mënyër për të frenuar rritjen e kriminalitetit. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, përcolli dy ditë më parë nga Tirana vlerësimin e Bashkimit Europian sa i takon luftës ndaj drogës. Duke e cilësuar kanabisin një çështje mjaft serioze, Knut Fleckenstein, tha se janë në pritje të raportit nga Italia lidhur me fluturimet e kryera në Shqipëri, por nënvizoi se BE kërkon në këtë drejtim jo vetëm vullnet të mirë, por rezultate. “Do të presim dhe raportin që do të na sjellin kolegët tanë italianë që në fakt kanë fluturime që bëjnë mbi Shqipërinë dhe do të na tregojnë se cila është situata në vend në sajë të këtyre flutrimeve në Shqipëri.Por është vërtetë çështje serioze dhe ajo që duam të shikojmë ne është jo vetëm vullneti i mirë sa i përket kësaj çështje, por edhe që vërtetë do të bëhet punë për të pasur një situatë më të mirë në të ardhmen”- theksoi Fleckenstein.

Fleckenstein: Çelja e negociatave e mundur gjysmën e parë të 2018

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein ka folur në një konferencë për shtyp lidhur me vizitën e tij në Shqipëri. Ai tha se qëllimi i vizitës së tij ishte informimi për ecurinë e reformave, pas formimit të qeverisë së re dhe procesin e integrimit në BE. Eurodeputeti gjerman theksoi se çelja e negociatave të anëtarësimit është i mundshëm gjysmën e parë të 2018-ës në varësi të ecurisë së reformave. “Kam ardhur këtu të dëgjoj se cilat janë prioritetet e qeverisë pas zgjedhjeve. Po marr informacionin e duhur për rrugëtimin që do të ndjekë Shqipëria për integrimin në BE. U takova me Presidentin dhe zyrtarë të tjerë. Reforma në drejtësi nuk është një proces i lehtë, por do të vazhdohet në këtë rrugë. Nuk duhet të harrojmë edhe një gjë, përgjegjësia për çeljen e negociatave është e Këshillit dhe jo e Parlamentit Europian. Dua t’iu konfirmoj që ne në PE do vazhdojmë të punojmë dhe inkurajojmë faktorët në BE në mënyrë që negociatat të çelen gjysmën e parë të vitit që vjen. Nëse vijohet me rrugën e reformave, vendimi të merret në mars. Me çeljen e negociatave më pas do të kemi mundësi të diskutojmë çështje të tjera deri në momentin që Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE. Për çeljen e negociatave nuk ka kushte shtesë përveç pesë prioriteteve”, u shpreh Flekcnestien. Ndërkohë, eurodeputeti u pyet edhe lidhur me marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë dhe agjendën e shtetit fqinj në Bruksel. I pyetur se a është e vërtetë që Brukseli zyrtar i ka kërkuar Shqipërisë të përmirësojë marrëdhëniet me Greqinë, europarlamentari u shpreh se nuk e kishte një informacion të tillë. “Nuk e di në fakt, ne të gjithëve gjithnjë na kërkohet që ti shpejtojmë edhe ti rrisim përpjekjet tona për të pasur marrëdhënie të mira me fqinjët dhe ndoshta ky është dhe rasti me Shqipërinë dhe Greqinë, ndoshta ka ndodhur dhe kjo gjë”- u shpreh Fleckenstein. Në ditën e tij të parë të vizitës në Tiranë, të hënën, eurodeputeti pati takime me Presidentin e Republikës Ilir Meta, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Gjatë takimit me Presidentin Meta u vu theksi tek reformat gjithëpërfshirëse dhe një konsensus i gjerë pozitë-opozitë.

Basha-Fleckenstein: Vetëm zgjedhjet e lira kthejnë besimin e shqiptarëve

Edhe pse takimi mes Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim basha me eurodeputetin Knut Fleckenstein u zhvillua pasditen e së hënës takimi në fjalë do të zbardhej nga selia blu vetëm paraditen e djeshme. Në këtë takim PD-ja bëri me dije se Basha ndau shqetësimet e aktualitetit politik dhe të situatës post-zgjedhore në Shqipëri. Këto zgjedhje, tha Basha, treguan se kauzat tona për dekriminalizimin, kundër drogës, dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike sot për vendin. Gjatë takimit, Basha vuri në dukje faktin se tashmë janë edhe shtetet anëtare te BE, institucionet e BE, por edhe Europoli, që po evidentojnë me forcë problemin e kultivimit dhe trafiqeve të drogës në Shqipëri dhe rritjen e krimit të organizuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ne vende te BE. Ai theksoi se Partia Demokratike ka bërë një luftë të hapur ndaj kanabizimit të Shqipërise për katër vitet e fundit, dhe situata nuk do të ishte e tillë sot, nëse do të kishte patur më shumë vemendje dhe qëndrime të qarta nga institucionet ndërkombëtare. “Fatkeqësisht sot, raporte të tilla kanë nxitur diskutimin e regjimit të vizave për shqiptarët”- tha Basha. Basha theksoi se angazhimi nga ana e qeverisë e eksponentëve të krimit të organizuar, mbështetja e tyre për t’u përfshirë në politikë dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal si trafikun e drogave, e ka lidhur fatin e qeverisë dhe maxhorancës me këta faktorë dhe jo me fatin e qytetarëve. “Vetëm zgjedhjet e lira mund të rikthejnë besimin dhe shpresën dhe të ndalin eksodin e shqiptarëve që largohen drejt Bashkimit Europian, sepse ju mohohet e drejta për ndryshim përmes votës në vendin e tyre” deklaroi ndër të tjera kryedemokrati Lulzim Basha.