REPORTAZH NGA KAÇANIKU/ Si e priti familja vdekjen e Lavdrim Muhaxherit, djalit të tyre terrorist

Kryeterroristi kosovar, Lavdrim Muhaxheri, besohet të jetë vrarë nga një sulm me bombë nga droni, që forcat amerikane e kanë lëshuar mbi kampin ku po qëndronin militantët e shtetit islamik, në qytetin Al-Asharah, në lindje të Sirisë

Në Kaçanik, familja e Lavdrim Muhaxherit ka hapur dy të pame. Në fshatin Kovaçicë, pak kilometra larg Kaçanikut, të enjten në mesditë të pame ishin çelë për gratë që donin të ngushëllonin familjen për vdekjen e terroristit 28 vjeçar.

“Largohuni, jemi vetëm gra në shtëpi”. Vetëm kaq tha nga distanca, një vajzë e re e familjes, për t’u larguar më pas në drejtim të shtëpisë së gjelbër, të prindërve të Lavdrim Muhaxherit.

ImageShtëpia e familjes Muhaxheri në fshatin Kovaçicë, pak kilometra larg Kaçanikut

Burrat ndodheshin në qytezë. Në një çajtore, pak metra nga xhamia e Kaçanikut, babai, xhaxhai dhe vëllezërit e Lavdrim Muhaxherit, po prisnin burrat që vinin për të parë për vdekjen e pjesëtarit shqiptar, më të njohur, të ISIS’it.

Skaj rruge ndodhej një karrige blu, mbi të ishte vendosur një peshqir i bardhë dhe një buqetë me lule. Fotografi të terroristit nuk kishte, sikurse nuk ishte as arkivoli i tij, pasi sjellja e trupit të ndonjë terroristi nga zonat e luftimeve në Siri, deri më sot ka qenë e pamundur.

As burrat e familjes nuk duan të kenë kurrfarë kontakti me media.

Image

Ekipit të Gazetës Express, kur po largohej nga vendi ku ishte hapur e pamja, iu bllokua rruga me një veturë të vjetër ‘Mercedes Benz’, nga tre persona, me moshë të ndryshme.

Këta burra, mes fyerjeve, kërkonin t’u dorëzohej telefoni me të cilin ishin bërë fotografitë e vendit ku po mbahej e pamja. Me t’u shmangur me veturë, të njëjtit burra vazhduan ta ndiqnin veturën e ekipit të gazetës, derisa ekipi i Express’it u largua nga qyteza e Kaçanikut dhe morëm rrugën në drejtim të Ferizajt.

Por, nëse familja nuk flet para mediave për vdekjen e kosovarit që ISIS’it iu bashkua verën e vitit 2013, axha i tij lajmin për vrasjen e nipit e ka bërë një natë më parë, përmes facebook-ut.

Image

“Vëllai im ka rënë shehid… Allahu të e pranojë atë në mesin e shehidave, pejgamerëve e njerëzve të mirë”, ka shkruar në mesnatë Bajram Muhaxheri.

E në mëngjesin e të enjtes, lajmi për vdekjen e kosovarit që muaj më parë terrorizoi botën me videon në të cilën shfaqej duke ia prerë kokën një të riu, i është dhënë edhe xhematit në xhaminë qendrore të qytezës ku ai u lind.

“Ne e kemi bërë njoftimin si BIK që ka vdekur Lavdrim Muhaxheri. Kjo ishte kërkesë e familjes së tij dhe jo që ne kemi ndonjë informacion tjetër. Ky njoftim ishte më shumë që të njoftohen qytetarët se e pamja vazhdon për të në pesë ditët e ardhshme”, ka konfirmuar për Gazetën Express, Florim Neziraj, kryetar i BIK-ut në Kaçanik.

Image

Njoftimi në Xhami u kritikua ashpër nga opinionbërës në kryeqytet të cilët kërkuan shkarkimin e kryetarit të BIK’ut në Kaçanik, pasi njoftoi për vdekjen e një terroristi.

I njohur si ‘Kasapi nga Kaçaniku’, Lavdrim Muhaxheri të paktën tri herë është shpallur i vdekur për katër vitet e tij të qëndrimit në zonat e konflikteve fetare në Azi, përkrah ISIS’it.

Por, ai sërish ishte bërë i gjallë, duke u shfaqur i buzëqeshur në një fotografi, derisa mbante në duar një kallashnikovë.

Image

Madje, pak muaj më pas, autoritetet e sigurisë kosovare, në koordinim me ato izraelite, në nëntor të vitit të kaluar, 2016, kishin hetuar e më pas arrestuar 19 terroristë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët dyshoheshin se pikërisht nga Lavdrim Muhaxheri kishin marrë urdhër të kryenin sulme kamikaze, derisa në Shkodër zhvillohej një ndeshje futbolli mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Mirëpo, autoritetet kosovare as këtë herë nuk konfirmojnë nëse Muhaxheri është vrarë me siguri në Siri.

Policia e Kosovës thonë se ata dinë vetëm se një shtetas nga Kosova ka mbetur së fundi i vrarë atje, por nuk posedojnë identitetin e tij.

“Policia e Kosovës posedon informacion për vrasjen e një personi kosovar në Siri, i cili është nga Kosova. Mirëpo, referuar situatës në Siri, PK nuk posedon informacion apo dokumentacion zyrtar për vrasjen e tij”, i thotë Gazetës Express zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Raportimet e para për vdekjen e Muhaxherit, pohonin edhe vrasjen bashkë më të, të një tjetër kosovari në Siri.

Vëllai i Ridvan Haqifit, po ashtu u raportua i vrarë nga sulmi amerikan me dron në zonën e ISIS’it.

Të tre këta, Muhaxheri dhe vëllezërit Haqifi, ishin nxënës të imamit Zekria Qazimi, të dënuar me 10 vite burgim për rekrutim të terroristëve, verën e vitit 2016.

Për të vrarin tjetër, familja Haqifi nga Gjilani, të enjten gjatë ditës nuk kishin hapur ende të pame, sikurse kishin bërë në shkurt të këtij viti, kur ishte raportuar për vdekjen e Ridvanit – terroristit që paralajmëronte “Ditë të zeza” për kosovarët.

Megjithatë, pesë muaj pas, as për vdekjen e komandantit shqiptar të ISIS’it, Ridvan Haqifi, autoritetet kosovare, ende nuk kanë konfirmuar.

ImageShtëpia e familjes Haqifi, në lagjen e Bllacëve, në Gjilan

Nga ana tjetër, lajmi për vrasjen e terroristit kosovar Lavdrim Muhaxheri ka marrë fokusin edhe të mediave ndërkombëtare. Kjo pasi, bota Muhaxherin e njeh qysh nga korriku i 2014’ës, kur ai me anë të një video u shfaq duke ia prerë kokën një 19 vjeçari.

Kaçanikasi që kur ishte në moshë më të re, për disa vite në Kosovë kishte shërbyer edhe në kampin e ushtrisë amerikan – Bondsteel në Ferizaj, kishte deklaruar se kokën të riut i kishte prerë sipas rregullave të xhihadit.

Sipas kosovarit, i riu kishte marrë dënimin e merituar!

/GazetaExpress/