REFORMA NE DREJTESI/Ndërkombëtarët: Padia në Kushtetuese cënon vetingun, shqetësim mënyra e procedimit nga Gjykata

Ekspertët ndërkombëtar të përfshirë në draftimin e reformës në drejtësi janë të shqetësuar prej padisë së re që shoqatat e gjyqtarëve kanë bërë në Gjykatën Kushtetuese. Në një takim me anëtarë të shoqërisë civile në Tiranë, një nga ekspertët tha se kërkesat e bëra synonin të “bënin më të dobët vetingun” dhe “ të ulnin standardet për promovimin e gjykatësve”. Eksperti tha se ndërsa ishte legjitime që dikush të ankohej në gjykatë për çështje të ndryshme, ata e shihnin me shqetësim kohën që ishte zgjedhur për ankesën dhe mënyrën se si ajo po procedohej nga Gjykata Kushtetuese.

Ankesa e re e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë u bë e njohur vetëm ditën e djeshme, ndërsa ishte pranuar nga Gjykata Kushtetuese në fillim të muajit. Ankesa synon rrëzimin e neneve ose pjesëve të caktuara nenesh në tre ligje të reformës, ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe ndaj ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” – i njohur gjithashtu si ligji i vetingut.

I kontaktuar nga BIRN, kreu i Unionit të Gjyqtarëve Gerd Hoxha u shpreh se nuk mund t’i komentonte deklaratat e ekpsertit ndërkombëtar sepse ndodhej jashtë Shqipërisë.

Eksperti ndërkombëtar i tha BIRN se ndryshe nga kërkesa e parë, në të cilën të njëjtat shoqata kërkonin shfuqizimin e ligjit si antikushtetues duke i shtruar Gjykatës Kushtetuese pyetje me objekt të zgjeruar, kërkesa e re synon shfuqizim të neneve të caktuara dhe është e detajuar. Ai tha se kërkesa cënon disa prej pjesëve më të rëndësishme të reformës duke përfshirë përpjekjen kundër korrupsionit në drejtësi, zbulimin e lidhjeve mes gjykatësve dhe krimit të organizuar, kontrollin e balancuar të gjyqësorit dhe rritjen e standardit të promovimit të gjykatësve.

Sipas tij kërkesa synon që komisionit të vetingut që ende pritet të ngrihet t’i heqë “aftësinë për të vendosur mbi totalin e provave dhe kjo do e vështirësonte vetingun”. Po ashtu për të njëjtin ligj synohet të pengohet përdorimi i informacionit që mund të vijë nga organizata të huaja, ose informacioni për lidhjet e familjarëve të gjykatësve me krimin e organizuar, apo edhe dëshmi të bëra në gjyqe të mëparshme.

“Ka shumë dhe nëse pranohen (nga Gjykata Kushtetuese) e bëjnë vetingun më të dobët”, tha eksperti.

Ai po ashtu vuri në dukje se kërkesa ishte bërë “….menjëherë pas marrëveshjes së partive politike…. dhe u pranua shumë shpejt nga gjykata dhe shumë vetë nuk e dinin”. Ai tha se Kuvendi i Shqipërisë e kishte marrë kërkesën nga Gjykata Kushtetuese në datën 2 Qershor dhe se duhej të kthente përgjigje për çështjen brenda datës 22 Qershor- vetëm 3 ditë para zgjedhjeve.

Ndërkohë ai theksoi se kërkesat që synonte të realizonte padia edhe në dy ligjet e tjera pëtej vetingut cënojnë thelbin e reformës.  Sipas tij kërkohet të ndryshohen ligjet mbi qeverisjen e gjyqësorit  për të ruajtur aty dominimin e gjykatësve siç është edhe sot me parimin: “gjykatësit kujdesen për gjykatësit”.

Ai tha se edhe SPAK dhe Gjykata Speciale që ngrihen prej reformës për të hetuar korrupsionin gjtihashtu preken prej kësaj ankese, që sipas tij, ul standardet mbi gjykatësit që do të pranohen në Gjykatën Speciale. Edhe pse nuk komentoi ligjshmërinë e padisë, kjo e fundit, ndërsa ishte bërë prej dy shoqatash të gjykatësve, në disa pjesë merrej me çështje që kanë të bëjnë me prokurorinë dhe Këshillin e Lartë të Prokurisë që nuk janë objekt i këtyre organizatave.

Në Prill të  këtij viti pas padisë nga këto dy shoqatat Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht një numër nenesh nga ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”./Birn