Reforma në drejtësi, hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, gjyqtarët në udhëkryq

Nga data 1 gusht hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale sa i takon organizimit të punës së prokurorisë dhe gjykatës në lidhje me hetimin dhe gjykimin e çështjeve. Por sot në ditën kur hyjnë në fuqi ndryshimet e kodit të procedurës penale, gjykatat duhet të shpallin moskompetencën për një sërë dosjesh, prej të cilave krimet e rënda duhet të heqin dorë nga gjykimi i çështjeve per terrorizëm, trafik droge dhe qeniesh njerëzore. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë dhe gjykatat e rretheve gjyqësore të cilat duhet të shpallin mos kompetencën për dosjet që kanë nën gjykim për çështje korrupsioni. Por fakti që nuk është ngritur gjykata antikorrupsion dhe e krimit të organizuar dhe struktura të tjera të SPAK, i vendos gjyqtarët në udhëkryq. Lidhur me ndryshimet e fundit në Kod parashikohet që të gjitha veprimet hetimore që do të kryhen nga prokuroria duhet të marrin edhe miratimin e gjykatës. Thënë më thjeshtë, vendimet e pushimit të hetimeve, ndryshimit të akuzës, zgjatjes së afateve të hetimit, kontrolleve dhe ekspertizave për shkak të hetimit e deri tek dërgimi i dosjes për gjykim duhet të kenë patjetër përveç kërkesës së prokurorit edhe miratimin e gjykatës. Për këtë arsye, gjykatat duhet të bëjnë një ndarje të trupës së gjyqtarëve që kanë në dispozicion, duke i ndarë në gjyqtarë të hetimeve paraprake, që do të shqyrtojnë kryesisht masat e sigurisë, ndryshimet e masave dhe afatet e hetimit në gjyqtarë të seancave paraprake, që do të shqyrtojnë veprimet hetimore të prokurorit dhe pushimet apo dërgimin e dosjeve për gjykim; dhe gjyqtarë që do të gjykojnë çështjen në themel. Sipas këtyre ndryshimeve, gjyqtarët e hetimeve paraprake dhe ato të seancave paraprake do të ndjekin dosjet deri në dërgimin e tyre për gjykim, apo deri në pushimin e tyre dhe nuk do të marrin pjesë në gjykimin e themelit. Kjo do të kërkojë nga shtatori rritje të numrit të gjyqtarëve, kryesisht atyre të seancave paraprake, pasi sipas një përllogaritjeje, në Gjykatën e Tiranës një gjyqtar i caktuar për seancat paraprake, nga 12 të tillë, duhet të ndjekë minimalisht 1 mijë dosje hetimore, pasi aktualisht Prokuroria e Tiranës ka mbi 12 mijë dosje në hetim. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, roli i drejtuesit të prokurorisë merr më tepër natyrë administrative, pasi gjithçka që lidhet me hetimin i kalon për kompetencë gjykatave. Ndërkohë, ashtu siç dhe është njoftuar procesi zyrtar i vettingut pritet të fillojë në muajin shtator. Sipas ligjit të gjithë ata që shërbejnë në sistemin e drejtësisë që kanë problem, por të vetë largohen do të kenë të drejtën e një “amnistie”. Por vetëm një muaj para nisjes së verifikimeve vetëm 7 prokurorë e gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen për t’iu shmangur kalimit në sitë të figurës së tyre. Pjesa më e madhe e 7 dorëheqjeve vijnë nga Gjykata e Lartë. Sipas nenit 56, pika 1 e ligjit të Vettingut, zyrtarët e sistemit të drejtësisë lejohen të japin dorëheqjen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Ligji i vettingut u botua në fletoren zyrtare më 30 gusht 2016, e siç parashikohet, ai hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit, pra më 14 shtator. Kjo bën që afati përfundimtar për të dhënë dorëheqjen e për të mos u përfshirë në procesin e verifikimit të figurës ishte 14 dhjetori 2016. Por duke qenë se asnjë nga 7 zyrtarët e përmendur më sipër nuk e ka dhënë dorëheqjen brenda këtij afati, ata duhet t’i nënshtrohen procesit të vettingut. Megjithatë Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim përfundimtar për të drejtën e dhënies së dorëheqjes më 28 shtator, pas një ankesë të bërë nga Bashkimi i Gjyqtarëve.