REFORMA NE DREJTESI/ Delegacioni i BE: Të nisë rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë përmes një deklarate të përbashkët u kanë bërë thirrje autoriteteve që t’i përmbahen angazhimit tyre për zbatimin e reformës në drejtësisë.

Në deklaratë theksohet se duhet të fillojë rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu Delegacioni i BE rikujton se  progresi i besueshëm i reformës në drejtësi është thelbësor për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Deklarata e përbashkët

Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë u bëjnë thirrje gjithë autoriteteve përkatëse që t’i përmbahen plotësisht angazhimit të tyre për zbatimin e reformës së drejtësisë që u votua njëzëri në parlamentin shqiptar rreth një vit më parë.

Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashikohet në legjislacionin që është rishikuar tanimë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duhet të fillojë.

BE-ja kujton se progresi i besueshëm dhe i prekshëm i pesë përparësive kyçe, zbatimi i reformës së drejtësisë dhe në veçanti i ligjit të rivlerësimit janë thelbësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.