Reagon Basha: Rama ta nisë luftën kundër narko-trafikut nga njerëzit e tij

Deklaratat që kreu i qeverisë Edi Rama bëri gjatë mbledhjes me krerët e institucioneve ligjzbatuese të angazhuara në betejën kundër fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend, kanë shkaktuar reagimin e selisë blu. Ishte vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili ka reaguar nëpërmjet një komenti në faqen e tij zyrtare  në rrjetin social “Facebook”, në lidhje me paralajmërimin e kryeministrit Rama për një “superaksion” në shtator kundër trafikantëve të kanabis. Basha në statusin e tij, ka rreshtuar të emrin e ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilin e ka cilësuar si “kokën” e kultivimit të kanabisit. Gjithashtu ai ka hedhur akuza për kreun e qeverisë, i  cili sipas kryeopozitarit lejoi largimin e Klement Balilit, i akuzuar si një nga trafikantët më të mëdhenjë të drogës në Shqipëri, pasi nëse Balili kapej dhe fliste, do të rrëzoheshin gjysma e ministrave të qeverisë.

Ironia e kryedemokratit

Kryetari i Partisë Demokratike, teksa ka ironizuar aksionin që pritet të nisë qeveria kundër kanabisit, u shpreh dje i mendimit se Rama nuk do kapë as Klement Balilin dhe as vëllanë e Fatmir Xhafës, që Basha i quan kokat e trafikut të drogës. Basha shtoi gjithashtu se njeriu që e ktheu Shqipërinë në plantacion droge është ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se herozimi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin. Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Sajmir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëhere. Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen. Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin e Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave. Prandaj, ata që presin që me aksionin e tij Rama të arrestojë Balilin do të zhgënjehen. Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë është vëllai i Fatmir Xhafës, por ata që presin që aksioni i Ramës ta arrestojë atë do të zhgënjehen, gjithashtu. Aksioni i Edi Ramës do të arrestojë ca fshatarë të varfër dhe ca kriminelë të vegjël. Kriminelët e vërtetë do të qeverisin vendin së bashku me Ramën. Derisa populli t’i largojë”- u shpreh një ditë më parë në reagimin e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

“Na kontrolluan si terroristë”, Berisha: Doganieri i kërkon alkool shoferit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari dixhital, i ndodhur në një autobus që po futej në Shqipëri. Sipas Berishës, doganieri i kërkon alkool shoferit ose në të kundërt do e mbante deri të nesërmen në doganë. Pasagjeri thotë së i ka kontrolluar të gjithë pasagjerët dhe turistët si të ishin terroristë. “Pasagjeri dixhital denoncon: Doganierin që i kërkon alkool shoferit të autobusit me kërcënimin se mund t’i mbajeë deri nesër pasagjerët në doganë! Sb “Në ora 23:27 kontroll i detajuar në doganën e Shqipërisë duke u kthyer për në MK, normal që procedurat doganore duhet të respektohen, por doganieri me fizionomi narkomani, me siguri ishte edhe i dehur, filloi që të gjithë udhëtarët t’i pyesë a keni kobure sikur me kontrolluar terroristë e jo turistë dhe në fund i thotë drejtuesit të autobusit a ke alkool me më dhënë se mundem deri nesër të ju mbaj këtu. Rilindja e Edi Ramës udhëheqësit të mafies dhe drogës ashtu siç i thotë Sali Berisha””- thuhet në mesazhin e qytetarit dixhital të publikuar një ditë më parë nga vetë deputeti demokrat, Sali Berisha.