Raporti i DASH, Berisha: Shteti i Noriegës, mafia e largimit të investitorëve të huaj

Ish-kryeministri Sali Berisha me anë të një komenti të gjatë në faqen e tij zyrtare në rrjetin social ‘Facebook ka akuzuar qeverinë dhe kryetarin e saj Edi Rama se ka qenë qeveria shqiptare ajo që ka larguar nga vendi investitorët e huaj. Berisha ka publikuar në profilin e tij raportin e DASH, sa i takon situatës së investimeve në Shqipëri. Ish-lideri i PD-së e ka cilësuar alarmante situatën në vend. “Alarmante! Shteti i Noriegës është mafia e largimit të investitorëve të huaj! Lexoni çfarë thuhet në raportin e DASH! Sb”- shkruan Berisha duke i bashkëngjitur edhe raportin e DASH, i cili nënvizon arsyet se pse po ikin dhe nuk vijnë më në Shqipëri investitorët amerikanë. Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për Klimën e Investimeve në vitin 2017, për Shqipërinë ka theksuar se “pavarësisht legjislacionit të favorshëm, investitorët janë sfiduar nga korrupsioni i shfrenuar dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal. Disa investitorë të mëdhenj të SHBA-ve janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit pas konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë disa që shkuan deri në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raport. Gjatë vitit 2016 klima e investitorëve të huaj në vend u përkeqësua ndjeshëm. Indeksi i Dhomës Amerikane i atij viti ra në 37.94 pikë, nivelet minimale që kur ai filloi të hartohej në 2012-n. Dhoma Gjermane e Tregtisë në një anketim për klimën e biznesit 2016 vërejti se Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për atraktivitetin e investimeve, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe ne vendin e fundit (20-n), ndaj pyetjes bërë investitorëve “Nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni? ” Arsyet lidhen me trajtimin e keq fiskal dhe ligjor, me mosrespektimin e kontratave dhe paqëndrueshmërinë e administratës publike. Shoqata e Investitorëve të huaj gjithashtu në indeksin e saj raportonte një përkeqësim të klimës së biznesit. (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend ka shprehur shqetësim për klimën e biznesit në Shqipëri dha në atë kohë një paralajmërim të qartë: “Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqje investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit”. Hyrjet e reja të investitorëve kanë munguar ndërkohë vitet e fundit dhe investimet në Shqipëri po mbahen nga gazsjellësi TAP, HEC-i i Devollit dhe investimet ekzistuese në naftë dhe financë.