Raporti final i OSBE/ODIHR, analiza e plotë e zgjedhjeve të 25 Qershorit. Kush është konkluzioni?

OSBE/ODIHR ka publikuar ditën e sotme raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit, duke vlerësuar arritjen e marrëveshjes politike mes palëve për futjen e opozitës në zgjedhje, në bazë të të cilës garuesit zhvilluan një fushatë të lirë, ku u respektuan  liritë themelore.

Në raportin e OSBE vlerësohet se marrëveshja politike e 18 majit krijoi sfida për administratën zgjedhore, e cila rezultoi me një aplikim selektiv dhe të papajtueshëm me ligjin.

Sipas raportit politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet, si dhe akuzat e gjera për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, hoqën besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Ndërsa vlerëson se dita e zgjedhjeve ka qenë e rregullt, raporti vë në dukje edhe moszbatimin e plotë të disa procedurave në disa prej qëndrave të votimit, ku theksohet se ka pasur vonesa në fillimin e procesit.

Në raport thuhet se ditën e zgjedhjeve janë vërtejtur parregullsi e mosveprime procedurale. “Janë vërejtur votime në grup dhe ndërhyrje nga aktivistë partiakë”.

OSBE ka ngritur shqetësimin se “shtyrja me një orë e votimit nuk ka pasur bazë ligjore, ndërsa ka shkaktuar pështjellim te votuesit”.

Një nga rekomandimet kryesore të OSBE është edhe hartimi i një reforme të re zgjedhore gjithëpërfshirëse. “Të thellohet depolitizimi i administratës publike” – thuhet gjithashtu në raportin e OSBE.

Përmes 8 rekomandimeve, OSBE nxjerr detyrimet e politikës shqiptare ku ndër të tjera renditet edhe reforma zgjedhore.

“Përpjekjet e forta janë të nevojshme për të adresuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votave” – shkruhet në raport.

OSBE kërkon një angazhim konkret dhe të sinqertë nga partitë politike për të luftuar fenomenin e blerjes së votës si dhe financimin e fushatës politike nga individë me të shkuar kriminale.

Sipas misionit, kjo do të ndihmonte në ndërtimin e besimit te publiku.

Disa nga rekomandimet:

  • Qeveria duhet të analizojë efektivitetin e përpjekjeve të mëparshme për të kundërshtuar abuzimin me burimet e shtetit dhe presionet lidhur me punësimin për votuesit.
  • Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin jopartiak të komisionerëve të zgjedhjeve dhe duke numëruar anëtarë të ekipit.
  • Kufizimet e të drejtave të votimit të personave me aftësi të kufizuara mendore duhet të hiqen.
  • Heqja automatike e zgjedhësve mbi moshën 100 vjeç nga listat e zgjedhësve duhet të ndërpritet.