Rama sulmon BE: Të mos shpikë kushte të reja. Broçkulla më e madhe rikrijimi i Jugosllavisë

Kryeministri Edi Rama ka dalë dje para mediave për të informuar për Samitin e Triestes, ku ai mori pjesë dy ditë më parë. Duke iu referuar shkrimeve në media për krijimin e tregut të përbashkët nën drejtimin e Serbisë, Rama tha se nuk ka broçkull më të madhe se krijimi i Jugosllavisë. Kreu i qeverisë tha se procesi i Berlinit, në kuadër të të cilit ishte edhe samiti i Triestes ka sjellë një progres të madh sidomos nën drejtimin e kancelares gjermane. “Aspekti themelor i procesit të Berlinit mbetet në planin politik si një plan ku është bërë një progres i paimagjinueshëm deri përpara se ky proces të iniciohej nga kancelarja Merkel. Një progres ku nuk përbën asgjë historike takimi i liderëve të rajonit por është rutinë siç duhet të jetë dhe nga ana tjetër se jetojmë në një fazë tjetër të zhvillimit të rajonit ku vullneti i çdo vendi për axhendën rajonale dhe evropiane është në nivelin më të lartë”, u shpreh Rama. Kryeministri vlerësoi organizimin e tregut të përbashkët në vendet e Ballkanit duke kundërshtuar zërat anti këtij projekti. Rama u ndal në disa aspekte lehtësuese që sjell krijimi i tregut të përbashkët rajonal.

Mesazhi për BE-në

Kryeminisri  Edi Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar detyrat që Bashkimi Europian i ka dhënë për hapjen e negociatave, tani i duhet BE-së që të vendosë. “Shqipëria i ka plotësuar që të gjitha ato detyra që na ka caktuar Bashkimi Europian për çeljen e negociatave që janë kërkuar .Ata na kërkuan që të bëjmë vettingun dhe ne e bëmë dhe ai ka nisur tashmë. Për sa na takon ne i kemi kruer që të gjitha detyrat që na janë vendosur. Ne kryem zgjedhje me standarte. Bashkimi Europian duhet që të mbajë fjalën. BE kërkon të shikojë gishtin ndërkohë që gishti tregon hënën, shpik gjëra të reja e ka bërë edhe pse ne i kemi kryer ato sa na u kërkuan”- tha kreu i qeverisë. Më tej, Rama tha se nëse BE kërkon që të shtojë hapjen e negociatave për Shqipërinë, ne do të vazhdojmë me këmbëngulje këtë proces.

Ministrat teknikë

Në konferencën e tij për media ku në fokus të diskutimit ishte Samiti i Triestes, Rama hodhi poshtë deklaratat se Shqipëria nuk ka marrë asnjë fond. Më pas i pyetur nga gazetarët, Edi Rama ka folur edhe për ministrat teknikë. Sipas tij, ai nuk do ti shkarkojë, por pret që ata të largohen vetë. “Unë nuk kam thënë asnjëherë që do ti shkarkoj, kam thënë që ata do të ikin. Misioni i tyre tani ka mbaruar dhe mbaroi me sukses dhe unë pres që ata të largohen vetë”, tha dje kryeministri  Rama, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për ministrat e PD-së që janë në qeveri. Rama mohoi të ketë hartuar një listë për zyrtarët që abuzojnë në administratë. Ai tha se lista është një përmbledhje e komenteve që janë bërë nga qytetarët e zakonshëm. “Nuk ka asnjë listë të publikuar nga unë. Nuk ekziston. Emrat që janë publikuar në atë përmbledhje janë pjesë e një raporti të bërë nga skuadra e Shënimeve në mënyrë mekanike për ndjekësit e postimeve në faqen time. Është vetëm përmbledhja besnike e komenteve të bëra në të njëjtën faqe. Gjithë këtë peshë që realisht nuk e ka, ia keni dhënë ju dhe ata që duan të bëjnë politikë opozitare. Përsa më takon kjo është e gjitha dokrra. Lulet mos më prek nuk do të preken fare, sepse nuk kanë parë gjë akoma. Ne po ndërtojmë një mekanizëm ferri për të gjithë ata që paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe në vend që tu shërbejnë, i grabisin ose i poshtërojnë. Ky mekanizëm do të jetë ligjor, demokratik dhe transparent. Ne në katër vitet e ardhshme opozita janë parazitët në zyrat e shtetit. Opozita në Parlament ka punën e saj”, theksoi dje kryeministri Edi Rama.