Rama ndjekësve në Facebook: Politika për kaq shumë vite e vite kultivoi një farë shumë të keqe në mjedisin e komunikimit publik

Pas fjalës së fitores pasditen e së martës në qendër të Tiranës, ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh përshëndetës për ndjekësit e tij virtualë në rrjetin social “Facebook”. Në letrën e tij të gjatë, Rama falënderon miqtë por dhe “armiqtë”, duke thënë se këta të fundit e bëjnë të mendojë vazhdimisht se sa shumë, mundim e kohë duhet për të ngushtuar hendekun që politika e përçarjes dhe gjuha e urrejtjes mes palëve, ka hapur prej kaq shumë vitesh mes njerëzve të zakonshëm, edhe të rinjve fare. “Dhe dua ta dini të dashur “armiq”, se kur ju kthehem siç i do mushka drutë, nuk ju bëj me faj ju, po pikërisht politikën, që për kaq shumë vite e vite, kultivoi një farë shumë të keqe në mjedisin e komunikimit publik”, shkruan Rama. Ai shton më tej se fitorja e madhe e 25 qershorit, është e Shqipërisë dhe e qytetarëve, ndërsa e tij është vetëm barra e shumëfishuar e përgjegjësisë. “Kam shumë besim se do të bëjmë shumë për këtë vend, sidomos nëse të gjithë kujtohemi kur zihemi a “grushtohemi”, se sidoqoftë kemi një gjë të madhe të përbashkët: Jemi shqiptarë. Jemi të një gjaku dhe një gjuhe. Jemi të gjithë të dëshiruar, ta shohim Shqipërinë sa më mirë”, vijon më tej kreu i qeverisë.

Mesazhi i plotë i Kryeministrit

Të dashur miq të këtij rrjeti, faleminderit të gjithëve, mbështetës, kritikë e “armiq” të betuar për gjithë sa herë keni klikuar pëlqime, keni ndarë me të tjerë apo keni komentuar postime. Mbështetësve u them faleminderit, sepse inkurajimet tuaja janë për mua burim energjie pozitive, shumë më tepër se sa ju mund ta mendoni. Dhe mirënjohje të thellë atyre që ma dëgjuan lutjen e bënë telefonata nga jashtë, për të nxitur të afërm e miq këtu në Shqipëri, të votojnë numrin magjik 2. Kritikëve u them faleminderit, sepse cimbisjet tuaja janë për mua ushqim për mendjen, shumë më tepër se sa ju mund ta imagjinoni. Dhe as mos e mendoni, as mos i dëgjoni ata që ju thonë, Edi Rama nuk i dëgjon kritikat. Aq i dëgjoj saaa… Tjetër gjë që me kritikët nuk jepem po “grushtohem” deri në fund, ama pas përplasjes nuk iki tutje pa marrë atë që mendja më thotë se vlen. “Armiqve” të betuar nuk u them faleminderit që më shajnë me libër shtëpie e libër rruge, natyrisht! Po ama ju them faleminderit, sepse më bëni të mendoj vazhdimisht se sa shumë, o Zot sa shumë, mundim e kohe duhet për të ngushtuar hendekun që politika e përçarjes dhe gjuha e urrejtjes mes palëve, ka hapur prej kaq shumë vitesh mes njerëzve të zakonshëm, edhe të rinjve fare! Dhe dua ta dini të dashur “armiq”, se kur ju kthehem siç i do mushka drutë, nuk ju bëj me faj ju, po pikërisht politikën, që për kaq shumë vite e vite, kultivoi një farë shumë të keqe në mjedisin e komunikimit publik. Në fund dua t’ju them të gjithëve se fitorja e madhe e 25 qershorit, është e Shqipërisë dhe juaja, ndërsa imja është vetëm barra e shumëfishuar e përgjegjësisë. Kam shumë besim se do të bëjmë shumë për këtë vend, sidomos nëse të gjithë kujtohemi kur zihemi a “grushtohemi”, se sidoqoftë kemi një gjë të madhe të përbashkët: Jemi shqiptarë. Jemi të një gjaku dhe një gjuhe. Jemi të gjithë të dëshiruar, ta shohim Shqipërinë sa më mirë. Faleminderit edhe njëherë dhe ndjesë kujtdo prej jush që mund ta kem bërë të ndjehet keq nga replikat e mia. Përqafime! Edi!