Radio Televizioni Shqiptar- TURP – nuk transmeton Europianin e futbollit “Francë 2016”

Radio Televizioni Shqiptar ka lënë gojëhapur tifozërinë kuqezi. TVSH, e cila paguhet nga taksapaguesi shqiptar ka refuzuar t’u japë shqiptarëve mundësinë të ndjekin nga shtëpitë e tyre Kampionatin Europian të Futbollit që zhvillohet në Francë. Ironia e fatit qëndron në faktin se televizioni shtetëror, televizioni që paguajnë shqiptarët u’a privon mundësinë futbolldashëve të ndjekin Shqipërinë në të parin event futbollistik ndërkombëtar. Nëse vitet e tjera do të bënte këtë, RTSH ndoshta nuk do të lëndonte kaq shumë sedrën tonë kombëtare, pasi ne vijonim të mbeteshim jashtë finaleve. Pikërisht këtë Europian ku ne kishim fatin të ishim pjesëmarrës, pikërisht këtë here kur flamuri ynë do të valëvitej krahas shteteve që bënë historinë e futbollit, pikërisht këtë herë RTSH zgjodhi që shqiptarët t’i shesë në tezgat e platformave digitale.

TVSH formalizon në një farë mënyre diktaturën hoxhiste, kohën kur ndjekja e eventeve të këtilla futbollistike ndalohej, ose ndiqej në kushtet e një terrori të egër përndjekje dhe persekutimi, privacionesh dhe mundimesh rraskapitëse.

Turp!

E paprecedentë është RTSH por më se e vërtetë. Megjithatë institucioni shtetërorë i informimit publik u jep një shans tifozëve të ndjekin përmes Radio Tirana, ekipin e tyre të zemrës, Shqipërinë në sfidën e “Euro 2016”. Fundja, më mirë se pa asgjë. Populli thotë: “Kur nuk ke pulën, ha sorrën”. Hekakeqëve shqiptarë për fat u ka mbetur gjithnjë si mundësi sorra.

AV

TVSH ka dhënë një sqarim përse nuk e transmeton Europianin e Francës. Televizion Publik thotë se nuk kishte mundësi financiare të blinte të drejtën për transmetimin e këtij kompeticioni.

RTSH thotë se Europianin mund ta ndjekim në Radio Tirana

Deklarat:

RTSH sqaron publikun për arsyet e mostransmetimit të drejtpërdrejtë të ndeshjeve të Kombëtares Kuqezi, por edhe të gjithë fazës finale të Euro 2016.

Në një deklaratë zyrtare RTSH thotë se procedura e tenderit për blerjen e të drejtës televizive të transmetimit të Euro 2016 (ku përfshihen edhe ndeshjet e Kombëtares) është organizuar gati dy vite më parë nga UEFA.

RTSH ka marrë pjesë në këtë tenderim ndërkombëtar nëpërmjet EBU (Bashkimit të Transmetuesve Publikë në Europë), ashtu si edhe në shumë raste të tjera të ngjashme, por oferta e EBU-RTSH për territorin e Republikës së Shqipërisë nuk rezultoi fituese.

RTSH thotë se edhe transmetues të tjerë publikë në Europë nuk arritën t’i blinin këto të drejta, si Franca që është edhe organizatorja e Euro 2016, Spanja, Polonia, Rumania, Ukraina, Islanda, Izraeli etj.

Edhe pas përfundimit të kësaj proçedure tenderimi ndërkombëtar, RTSH ka bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me fituesin e këtyre të drejtave për territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim blerjen e së drejtës për transmetim në televizion pa pagesë për shikuesit, madje duke ofruar edhe vetëm për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares, por pa pasur sukses.

Njëkohësisht, RTSH ka kënaqësinë t’i bëjë me dije publikut shqiptar se këto ndeshje do të transmetohen drejtpërdrejt në kanalin e parë të RADIO TIRANËS, ashtu si edhe të gjitha ndeshjet e tjera të këtij turneu deri në ndeshjen finale.

Po ashtu, TVSH do të transmetojë çdo ditë të kampionatit europian një program të dedikuar për Kombëtaren Kuqezi dhe për gjithçka ndodh në Euro 2016, duke patur lidhje të drejtpërdrejta me Francën dhe vendqëndrimin e Kombëtares, ku RTSH ka dërguar një grup të posaçëm xhirimi me gazetarë dhe specialistë, të cilët do të informojnë për çdo gjë ndodh në kampin e Kombëtares Kuqezi dhe në Euro 2016.

RTSH ju fton të gjithëve të ndiqni transmetimet e drejtpërdrejta të çdo ndeshjeje të Euro 2016 në Radio Tirana, por edhe programet e dedikuara në Televizionin Shqiptar, ku do të gjeni informacione dhe analizë teknike të specializuar për çdo takim të këtij turneu.

Gjithsesi, Kombëtarja Kuqezi do të rikthehet me ndeshjet e drejtpërdrejta shumë shpejt në ekranin e TVSH-së dhe në të gjithë rrjetin e RTSH-së, duke filluar nga 5 shtatori 2016, kur nisin ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës, Rusi 2018, një ekskluzivitet i RTSH-së.

Ndërkohë, transmetimet sportive eksluzive të RTSH-së do të jenë edhe gjatë periudhës së verës me ndeshjet e klubeve shqiptare ne Kupat e Europës dhe me Lojërat Olimpike Verore Rio 2016 (në muajin gusht).