Qira deri në tre vite për ushtarakët e transferuar larg vendbanimit

Ushtarakët të cilët janë aktivë në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë dhe që transferohen në një zonë ku nuk kanë banesë, do t’u kompensohet vlera e qirasë së banesës deri në tre vite.

Qeveria shqiptare ka vendosur të mërkurën, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Olta Xhaçka të ndërmarrë disa ndryshime në ligjin “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Në vendimin e marrë sqarohet se, Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura që, për shkak të detyrës, emërohet ose transferohet larg vendbanimit dhe nuk është trajtuar me banesë ose me kredi nga Ministria e Mbrojtjes dhe kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e punës, përfiton kompensim për qira banese deri në 3 vjet.

Sipas vendimit, masa e kompensimit të qirasë së banesës të jetë: 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit garsoniere, kur është beqar ose i martuar dhe pa fëmijë; 70 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit 1+1, kur është i martuar dhe ka një fëmijë; 80 për qind të çmimit mesatar mujor të tregut, për qira banese, të tipit 2+1, kur është i martuar dhe ka më shumë se një fëmijë.

Në vendim, saktësohet se çmimi mesatar i qirasë së banesës përcaktohet çdo vit, me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit të Mbrojtjes.

Në vendimin e marrë nga qeveria bëhet me dije se  Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, që përfiton kompensim për qira banese, duhet të paraqesë pranë strukturës ushtarake përkatëse këto dokumente: Kërkesën për kompensimin e qirasë së banesës; Certifikatën personale, nëse nuk gjenerohet nga vetë struktura ushtarake; Certifikatën familjare, nëse nuk gjenerohet nga vetë struktura ushtarake; Kontratën e qirasë së banesës, të noterizuar; Vërtetimin përkatës se nuk është trajtuar me banesë apo me kredi nga Ministria e Mbrojtjes; Vërtetimin përkatës se ai/ajo ose pjesëtarët e familjes nuk kanë banesë në pronësi.

Këto dokumente rifreskohen çdo vit.

Po ashtu në vendimin e marrë nga qeveria, bëhet me dije se ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura gëzojnë të drejtën e kompensimit financiar në vlerë në lekë, për trajtimin me ushqim vetëm për vaktin e drekës. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, në rastet kur thirren në repart për nevoja shërbimi, ruajtjeje, gatishmërie, stërvitjeje ose fushimi mbi 8 orë, trajtohen me ushqim të gatuar ose kompensohen në vlerën në lekë të këtij ushqimi, aty ku nuk është i mundur ofrimi i këtij shërbimi.

Sipas vendimit, do të jetë Ministria e Mbrojtjes ajo që do përcaktojë formën dhe masën e vlerës së trajtimit me ushqim ose e kompensimit në vlerë në lekë për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /j.p/ Arbi Fortuzi/ATA/