Qeveria gjermane kritike ndaj samitit të Ankarasë. Ministri gjerman i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Niels Annen: “Një samit lufte”

Kritikë e fortë nga Berlini për samitin e presidentit turk, Erdogan me homologët Vladimir Putin e presidentin e Iranit, Rohani. “Një samit lufte”, tha ministri gjerman i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Niels Annen.

Ministri gjerman i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Niels Annen kritikoi samitin e Ankarasë. Të tre palët janë përfshirë ushatrakisht në luftën në Siri, por nga takimet e deritanishme të këtyre presidentëve jemi zhgënjyer, pasi nuk kanë kontribuar në një zgjidhje politike, tha Nils Ahnen. “Parë hollë ky është samit i luftës”, tha Annen.

Të mërkurën (04.04) presidenti Erdogan, Vladimir Putin dhe presidenti iranian, Hasan Rohani pritet të diskutojnë në samitin e Ankarasë për mënyrën e mëtejshme të veprimit në Siri. Gjendja humanitare, përpjekjet për një kushtetutë të re dhe zonat e përjashtuara nga konflikti janë temat kryesore të bisedimeve.

Palë të kundërta – gjuhë e zbutur

Para samitit të tre presidentëve, atij turk, iranian dhe presidentit rus, Erdogan është takuar më vete me presidentin iranian, Rohani. Më parë Erdogan ishte shprehur, se “jemi të një mendimi, se duam të vazhdojmë përpjekjet për një zgjidhje politike në Siri”. Ndërsa presidenti iranian, Rohani kishte theksuar se nuk ka zgjidhje ushtarake për Sirinë dhe se e ardhmja e Sirisë është vetëm tek zgjedhjet e lira demokratike.

Rusia dhe Turqia qëndrojnë në konfliktin e Sirisë në palë të kundërta. Ankaraja mbështet rebëlt, ndërsa Moska si Teherani presidentin, Bashar al-Asad. Ndikimi i këtyre tre vendeve me gjasë mund të rritet në Siri, ndërkohë që presidenti, Trump ka bërë të ditur fundin e shpejtë të misionit në Siri.

la/(afp, dpa)