Pushuesit shkodranë gjatë fundjavës udhëtojnë drejt Razmës

TIRANË, 4 Qershor / ATSH / – Fshati turistik i Razmës ndodhet rreth 40 km nga qyteti i Shkodrës me një rrugë automobilistike të asfaltuar, me bjeshkë shumë të njohura për bukuritë e saj me një lartësi deri në 950 m mbi nivelin e detit, me një pozicion mes majave piramidale të pyllëzuara dhe të rrethuara me kullota alpine.

Këtu ndodhet dhe mali Veleçik me 1724 m mbi nivelin e detit. Razma ka një klimë shumë të mirë kurative dhe krahas kësaj ka vlera për të pasionuarit për ngjitje alpine dhe shpella karakteristike si shpella e Pëllumbave, Dhenve, Ujit në Lujs etj.

Me një reliev malor ku mbizotërojnë ahu, pisha, larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër e bëjnë këtë zonë piktoreske dhe një destinacion të frekuentuar për të pasionuarit pas gjuetisë.

Kjo bjeshkë  ka qenë dhe është një destinacion i frekuentuar për turistët kohë më përpara dhe vazhdon përsëri në të gjitha stinët meqenëse natyra ofron mundësi për ecje malore, piknik, eksplorim në shpella, në ski etj.

Pra akomodim në hotele luksi të thjeshta, apo tenda kampingjesh duke shijuar një gastronomi me produkte bio. Shtrirja  e Razmës shënon kufijtë 900-950 metra mbi nivelin e detit. Klima është e freskët me ajër të pastër.

Masivet e pyjeve që e rrethojnë, krijojnë një mikroklimë apo më saktë një klimë të mrekullueshme, ku ajri jo vetëm është në shkallën më të lartë të pastërtisë, por edhe ka një përqindje të madhe oksigjeni  që “mushkëritë” e gjebërta, pemët, me laboratorët e tyre, gjethet, e prodhojnë pa kursim.

Afër Razmës gjendet mali  i Veleçikut me lartësi 1725 metra mbi nivelin e detit, mal që me reshjet e dëborës (gjatë dimrit) krijon kushte për zhvillimin e sportit të skive.

Razma është shfrytëzuar si vend turistik që në shekullin e XIX nga të huajt. Botanisti italian Antonio Baldoci, gjeologu Boran Nopce, austriaku Dofler, e kanë vlerësuar Razmën për bukuritë dhe pasuritë e saj natyrore të veçanta.

Rreth viteve 1920 tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre të verimit, kjo gjë dëshmohet nga rrugët dhe shtëpitë e vjetra me arkitekturën e kohës.

Qytetarët shkodranë, e vizitojnë Razmën çdo fundjavë tani në verë por edhe në dimër. Mundësitë infrastrukturore drejt Razmës janë mjaftë të mira dhe krijojnë një mundësi lëvizjeje komode./m.m/