PS-PD parti pa demokraci. ISP: Garat për kryetarë, fiktive dhe pa standarde

“Demokracia në partitë politike shqiptare është e asfiksuar dhe proceset zgjedhore për liderat dhe kupolën drejtuese janë farsë”. Mbi këtë përfundim ka dal një studim i Institutit të Studimeve Politike, ndërsa i referohet zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike të disa ditëve më parë por edhe zgjedhjeve në Partinë Socialiste. Drejtori i ISP-së Afrim Krasniqi, teksa shpjegon studimin në fjalë, shprehet se pjesa e vogël e militantëve të partive politike  është përcaktuese për çdo vendim politik që merret në parti. “Do të thotë që brenda partive nuk votohen alternative, nuk debatohen programe. Nuk ka debat mbi atë çka përfaqëson identiteti i partisë dhe çfarë duhet të përmirësojë në të ardhmen, por kanë përpjekje për mobilizimin e militantëve besnikë të cilët vrapojnë pas liderit politik. Dhe pjesëmarrja e tyre në votim, sidomos pjesëmarrja familjare në votime, është përcaktuese se kush  mund të fitojë garën brenda partisë”- tha ai. Studimi, thotë politologu, Afrim Krasniqi, tregon qartë se mekanizmat që përdoren në partitë poltike shqiptare për zgjedhjen e drejtuesve nuk respektojnë as kriteret më  minimale të partive perëndimore. “Të gjithë mekanizmat zgjedhorë brenda partive politike nuk plotësojnë asnjë nga standardet normale të zgjedhjeve në partitë perëndimore që quhen neutraliteti, besueshmëria,  administrimi i pavarur, dhe transparenca e procesit zgjedhor”- theksoi Afrim Krasniqi. Në studim, sipas Krasniqit, gjenden dhe shifrat e procesit zgjedhor që janë paradoksale, dhe që tregojnë farsitetet e garave. “Si është e mundur që qytetarët japin një besim kaq të madh kryetarëve të partive kur ata sapo kanë humbur zgjedhjet parlamentare. Në rastin e PD-së, kemi të paktën dy njësi, si Peqini dhe Belshi ku rezultati është 99 % për një kandidat. Rasti i Peqinit është rekord historik, ndoshta rezultati më i thellë në pluralizmin në Shqipëri ku nga 555 vota vetëm 1 votë nuk është për kryetarin në detyrë. Kjo na shtyn për të bërë një analizë: Qytetarët e Peqinit, kaq të dashuruar qenkan pas kryetarit dhe njohin kaq mirë programin dhe janë kaq të vendosur sa ata duan me çdo kusht kryetarin, apo kemi të bëjmë me një proces tërësisht fiktiv”- u shpreh Afrim Krasniqi. Por kur një parti nuk funksionon si demokratike dhe me rregulla të qarta, a mund te qeverisë apo të bejë opozitë  të drejtë? “Një parti që është autoritariste e personalizuar nga brenda do të prodhojë autoritarizëm dhe personalizim nga jashtë”- u shpreh dje politologu Afrim Krasniqi.