Protesta e Diasporës në Tiranë-organizatorët: U dhe leje për protestë ekstremistëve grekë, neve jo

Ish-kolegia sulmon Ramën: Braçe dizinformonte për armët kimike, e bëre zv/kryeministër

Ka zgjatur rreth 1 orë e gjysëm protesta e organizuar pasditen e kësaj të premte nga një grup emigrantësh shqiptarë. Ashtu siç ishte paralajmëruar rreth orës 17:00 mbështetësit e kësaj proteste u mblodhën përpara Kryeministrisë. Me protestën e shqiptarëve të ardhur nga diaspora, janë bashkuar edhe një grup banorësh të Unazës së Re, të cilët kanë zhvendosur ditën e 56 të protestës e tyre nga zona e Astirit, përballë godinës së qeverisë. Në protestë nuk munguan dhe protestuesit që kanë dalë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ndonëse Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk i kishte dhënë leje për zhvillimin e protestës, organizatorët dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që morën pjesë në këtë protestë në fjalimet e tyre përcollën mesazhe kundër krimit, korrupsionit dhe varfërisë në vend. Organizatorët e kësaj proteste, e cila nuk shënoi asnjë akt dhune, kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestën e tyre edhe dy ditët e ardhshme. Protesta e Diasporës do të zhvillohet edhe sot dhe nesër, në orën 12:00 para godinës së Kryeministrisë.

Protesta e djeshme

Ashtu siç kishin paralajmëruar, emigrantët shqiptarë nisën pasditen e djeshme protestën e tyre treditore para godinës së kryeministrisë, pavarësisht se policia nuk ua dha lejen organizatorëve për këtë tubim. Mijëra shqiptarë i janë bashkuar protestës së diasporës që po zhvillohet tek Kryeministria. Të ardhur nga vende të ndryshme Europiane edhe nga Amerika, emigrantëve u janë bashkuar edhe qindra e mijëra shqiptarë të cilët protestojnë kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Protestuesit kanë bërë thirrje për bashkim dhe largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Protestës i janë bashkuar edhe një grup studentësh si dhe banorët e zonës së Unazës së Re që protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre prej 55 ditësh. Në hapje të protestës, organizatori Genc Sejko, i njohur ndryshe si “Njeriu Meme”, u shpreh se pushteti u mundua të frikësojë qytetarët, por nuk ia doli, pasi qytetarët i ka poshtë zyrës së tij. Sejko tha se Kryeministri u garantoi protestë ekstremistëve grekë, por ua mohon patriotëve shqiptarë. “Ka qenë gjithmonë besimi im, se nëse ke një çështje të drejtë, mund të qëndrosh edhe vetëm, pak rëndësi ka sesa veta janë. Dje ata i dhanë një sinjal qytetarëve, se Diaspora nuk do të protestojë para Kryeministrisë, sepse nuk iu dha leje. Z. Kryeministër, nuk kërkuam leje. Ju garantuat protestën e ekstremistëve grekë dhe kërkuat të ndalonit protestën e patriotëve shqiptarë. Ju thatë se nuk do të ketë protestë, por ne jemi këtu. Me bashkatdhetarët nga e gjithë diaspora diskutuam të vinim këtu, kundër kësaj arrogance përballë popullit të vet. Jemi këtu për të gjitha kauzat, nga Teatri Kombëtar, banorët e Astirit, minatorët, ish-të përndjekurit e deri tek studentët”, tha Sejko, ndërsa i falënderoi të gjithë për pjesëmarrje dhe paralajmëroi se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Ish-kolegia e Ramës

Ndër personat që mori fjalën, ishte Irena Kurti, një ish-sportiste shqiptare, e kohës së ish-sportistit Edi Rama, e cila tha se kur ai erdhi në pushtet mendonte se do të ndryshonte diçka, por gjithçka rezultoi ndryshe. Ajo kërkoi që të mos punësohen militantët e tyre, por njerëzit e aftë, pasi, sipas saj, militantizmi dhe arroganca po e dëmtojnë Shqipërinë, ndërsa shtoi: “Je shqiptar në radhë të parë, pse kaq të babëzitur ore”- tha Irena Kurti. Ajo u ndal tek emërimi i Erjon Braçes së zv.Kryeministër, ndërsa tha se: “Braçe dizinformonte për armët kimike, por sot bëhet zv.Kryeministër. Turp!”- u shpreh ajo para protestuesve.

Propozimi i emigrantit: Të krijohet një parti nacionaliste

Një prej emigrantëve që mori pjesë në protestën e Diapsorës të thirrur para Kryeministrisë propozoi që duhet të krijohet një parti e re, nacionaliste që i djeg zemra për Shqipërinë. Gjatë protestës para kryeministrisë, emigranti tha se nuk kanë nevojë për një kryeministër si Rama, por as një kryeministër si Basha që fle gjumë. “Duhet patjetër të formohet një parti, që i djeg zemra. Një parti nacionaliste që e ka emrin vetëm “shqiptar”. Nuk duam një kryeministër që thotë njëherë jam pukjan, njëherë mirditor. Nuk na duhet një kryeministër i ardhshëm si Lulzim Basha, që kur u zgjodh kryetar bashkie thashë do ketë ndryshim. Kur e pashë që Basha fle gjumë në zyrë nuk desha ta besoj, por sot e kuptoj. Turp marrëveshja e dhjetorit 2014 kur Basha mbylli gojën. Unë e di që shumica e njerëzve nuk vijnë këtu se thonë për kë të votojmë tani? Prandaj i bëj thirrje, parti nacionaliste. Nuk ka rrugë tjetër. Kështu e votoi edhe Amerika Donald Trump që ishte vetëm një biznesmen dhe nuk ishte i përzierë në politikë, por i digjte shpirti për Amerikën”- u shpreh emigranti i revoltuar nga klasa politike shqiptare.