Prokurori i Antimafias italiane, Franco Roberti: Papa Françesku është i rrezikuar, deri tani kemi parandaluar disa komplote

Pyetjes nëse Papa Françesku rrezikon të jetë në qendër të sulmeve terroriste, Prokurori i Antimafias italiane, iu përgjigj duke thënë se po, por ai shprehet se deri më tani është bërë i mundur parandalimi i disa komploteve për sulme të mundshme në vendin fqinj.

Në një intervistë për TV 2000, Franco Roberti tha se kjo ka ardhur falë punës së kujdesshme dhe hetuese të Inteligjencës italiane dhe forcave të policisë.

Franco Roberti u shpreh se institucioni që ai drejton është gjithnjë vigjilent dhe se nuk mund të përjashtohet kurrë rreziku.

Ai tha se Italia është padyshim një vend i rrezikuar nga sulmet terroriste, transmeton TV Klan.

Prokurori theksoi gjithashtu se shkëmbimi i informacioneve mes shërbimeve të inteligjencës së vendeve të Bashkimit Evropian është shumë i rëndësishëm, por sipas tij, jo gjithmonë vendet janë të gatshëm për të bashkëpunuar.