Projekti për diasporën, Kryeministri Edi Rama: Do mundësojmë regjistrimin e plotë të shqiptarëve

Është prezantuar paraditen e së hënës në Krysinë e Kuvendit plani i veprimit i qeverisë për Diasporën. Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një sfidë jo të lehtë, në të cilën sipas tij duhet të kontribuojnë njësoj të gjitha forcat politike në kuvend, pasi kjo është një temë që nuk njeh parti. Regjistrimi i të gjithë emigrantëve shqiptarë kudo në botë, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësia të bëhen pjesë e proceseve zgjedhore, sipas kryeministrit, është sfida kryesore, për të cilën Shqipëria qëndron në vend të fundit në raport me të gjitha vendet e tjera rreth e rrotull ose më larg. E në këtë linjë, Rama u zotua se regjistrimi i emigrantëve do të kryhet vitin që vjen, që përkon edhe me vitin e Skënderbeut të shpallur nga qeveria. “Vijmë me të gjithë vullnetin dhe vetëdijen se jemi larg të gjitha dijeve të nevojshme për ta bërë procesin sa më cilësor, ndaj me miqtë ndërkombëtarë çmohen si pika referimi për atë që mund të japin në këtë proces. Nuk ka dyshim se ky është një proces shumëplanësh dhe përfitueshmëria nga ky proces për Shqipërinë mund të konsiderohet si shumë e gjerë në shumë aspekte. Ky proces synon edhe atë që ne jemi të fundit që nuk kemi plotësuar në raport me vendet e tjera; përfshirja e drejtpërdrejtë e të gjithë emigrantëve shqiptarë në votime. Është një arsye shumë e fortë që asnjë parti të mos mungojë në parlament, në mënyrë që të mos tregojë se nuk është e interesuar për votën e shqiptarëve jashtë vendit. Premtimi për të regjistruar diasporën është shtyrë vit pas viti nga të gjitha qeveritë; hapi i parë serioz u hodh vetëm vitin e shkuar. Instituti shqiptar i diasporës u shkri në janar 2013, pa përmbushur asgjë në këtë fushë. Por fatmirësisht një vit më vonë u riorganizua si një drejtori në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Jemi të vendosur që vitin e ardhëm, që përkon edhe me vitin e Skënderbeut’ të kryejmë regjistrimin e të gjithë emigrantëve”, tha Rama. Kryeministri deklaroi më tej se do mbyllet me sukses regjistrimi i plotë i gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë. “Ministri ka bërë të mundur që në këtë tryezë të gjendet sot një dokument i rëndësishëm si pikënisje që ta çojmë përpara dhe ta mbyllim me sukses regjistrimin e plotë të të gjithë shqiptarëve ku ata jetojnë”, shtoi Rama. Rama tha se do të nisim shërbimet konsullore me Kosovën, pasi sipas tij diaspora është e përfshirë në strategjinë për zhvillimin e vendit. Gjithashtu në kuadër të strategjisë së re për diasporën, i pari i qeverisë tha se do të krijohet Këshilli i Diasporës Shqiptare, që do diskutojë lidhur me aspektet që ndërthuren në bashkëpunim mes politikës shqiptare dhe gjithë organizative të diasporës shqiptare. Rama, tha se diaspora është një potencial i pa shfrytëzuar për zhvillimin e ekonomisë por edhe të vetë shoqërisë në Shqipëri duke theksuar se diaspora do të ketë mbështetjen e plotë nga ana e qeverisë shqiptare. “Po ashtu ka një interesim të ndjeshëm të diasporës për të investuar në Shqipëri. Dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social diaspora është një burim i pashfrytëzuar dhe sot ne besojmë që janë pjekur kushtet jo thjesht nga nevoja jonë, por dhe interesimi i diasporës për të hedhur një hap të ri duke strukturuar mekanizmat dhe gjetur rrugët që ky hap të materializohet me investime direkte të diasporës në Shqipëri”,- tha dje kryeministri Edi Rama.