Programi i Rindërtimit, standarde shumë më dinjitoze se ato ku jetonin përpara tragjedisë familjet e prekura nga tërmeti

ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama vizitoi sot banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë të Krujës.

Në një prononcim për mediet, i pyetur se çdo të bëhet me familjet që nuk mund të kthehen më në banesat e tyre pasi janë dëmtuar nga tërmeti, Rama tha se, “nuk ka një shkop magjik në këto punë. Është një situatë krize. Të gjithë janë patjetër të mirëkuptuar, por duhet mirëkuptuar dhe nevoja për të pasur pak proces”.

Ne, theksoi Rama, “gjatë gjithë ditës së sotme, një pjesë jemi marrë me listimin e këtyre familjeje. Para se të vija u informova se po vijon transportimi i familjeve pak nga pak nga fusha e Durrësit drejt hoteleve sepse ndërkohë është dhe marrëveshja në parim. Këtu fola me Erionin dhe janë bërë listat. Po bëhet dhe një listë tjetër për çfarë ka ndodhur pak më larg se këtu në zonën e Laçit, ku përsëri janë një numër jo i vogël familjesh që ndjehen të rrezikuara si pasojë e kësaj goditjes së fundit. Do kemi një shqetësim më shumë, do kemi një problem më shumë. Ajo që është e rëndësishme është që e kemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Shkop magjik nuk kemi. Do të donim që t’i zgjidhnim të gjitha përnjëherë. Ky është një proces i vështirë.

Rama u shpreh se, “duhet të ndajmë të njomin nga i thati në kuptimin e mirë të fjalës. Pra ata që janë vërtetë në nevojë dhe që janë vërtetë të goditur nga tërmeti, për të mos përzierë. Duhet të përgatisim një proces shumë transparent për ndihmat sepse dihet gjithmonë që jo këtu por në të gjithë botën që në këto raste rreziku i abuzimeve ekziston. Duhet të harmonizojmë të gjitha veprimet dhe do të duhet të bëjmë maksimumin e mundshëm që askush që ka mbetur pa çati si rezultat i kësaj pabesie të natyrës nuk do të mbetet pas dore”.

Rama theksoi se krijimi i këtij Komiteti është në funksion të Komitetit Shtetëror që krijohet me ligj për të bërë gjithë procesin e koordinimit, monitorimit dhe transparencës.

“Dje ka qenë dita e parë e tmerrshme e shokut, por edhe e nevojës për të përqendruar të gjitha forcat, të gjitha energjitë dhe vëmendjen tek jetët që duhet të nxirreshin nga gërmadhat. Është bërë një punë kolosale nga skuadrat  tona. Duhet bërë ende më mirë në funksion të atyre veprimeve që falë ekspertëve që erdhën nga vende të tjera janë kryer”, tha Rama

Po ashtu, vijoi Kryeministri, “sot në mëngjes, pasi kemi bërë një vlerësim gjatë ditës së djeshme për mënyrën sesi duhet të bëhet dhe për të parë se ku duhet të fokusohet për të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për këtë perimetër, në konceptin e gjendjes së jashtëzakonshme ka shumë gjëra, por një nga gjërat është krijimi i një Komiteti Kombëtar të Rindërtimit, i cili do të jetë funksion i Komitetit Shtetëror që krijohet me ligj për të bërë gjithë procesin e koordinimit, monitorimit dhe transparencës”.

“Në këtë ne do të ftojmë të gjithë ata që janë të gatshëm të përfshihen duke pasur kontribute të mbledhura nga të tjerët. Ju e njihni shumë mirë Elvisin (Naçin), siç njihni dhe të tjerë. Dhe kemi diskutuar që në këtë jemi bashkë të gjithë. Këtu sigurisht qeveria ka barrën më të madhe. Por kushdo tjetër që ka një barrë shumë më të vogël se qeveria, por më të madhe se një individ, dhe që në emër të një grupi individësh jepni  kontribut, jo vetëm që është i bekuar, por është e rëndësishme të dimë ekzaktësisht planin Kombëtar”, tha Rama.

Sot, theksoi kreu i qeverisë, “u rilidhëm përsëri për shkak se Elvisi donte të fokusohej në këtë zonë. I thashë që padiskutim. Patjetër që kjo është një arsye për t’u shpjeguar të tjerëve që dëshira e mirë nuk mjafton. Na duhet të bashkohemi të koordinohemi në mënyrë që të bëjmë maksimumin dhe nga forcat e bashkuara del shumë herë më shumë sesa nga forcat e ndara që mund të harxhohet kohë, energji dhe para kot. Kjo është ideja e këtij Komiteti”.

“Po ecim dhe po përpiqemi shumë fort për të shtuar fuqitë financiare. Buxheti I shtetit patjetër që do të marrë një barrë të konsiderueshme dhe të paparashikuar. Por nuk mjafton. Bëhet fjalë për mijëra familje. Bëhet fjalë për një rindërtim që i kalon përmasat e fuqive të një vendi të kategorisë tonë, të rajonit tone”, tha Rama.

“Çfarë është e shkruar nuk fshihet. Kështu që çfarë është e shkruar do të bëhet. Ne nuk kemi ardhur në këtë jetë për të qenë përgjithmonë. Jemi kalimtarë. Do të bëjmë më të mirën për aq kohë sa e kemi lejekalimin”, tha Rama.

Nga ana tjetër, theksoi Kryeministri “është shumë e rëndësishme që të përcjellim mesazhe qartësie lidhur me panikun. Sepse paniku krijon trauma psikologjike. Nga paniku njerëzit hidhen nga dritarja. Siç ishte një rast shumë dramatik që vdiq një djalë pasi u hodh nga paniku. Ne s’kemi asnjë ‘njeri për të humbur dhe kemi për të mësuar. Deri tani ajo çka kemi mësuar është që pas goditjes kryesore ka një proces stabilizimi të pllakave tektonike. Dhe ai proces stabilizimi krijon lëkundje që janë më të moderuara. Kjo që ndodhi pak më parë nuk ishte aq e moderuar. Megjithatë ajo që na mbetet është ta bëjmë me sa më shumë përkushtim, nder dhe dinjitet, rolin që na është shkruar.

“Arsyeja pse mendoj që mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë proces është që të jemi në një tryezë është transparenca dhe koordinimi. Pra që “Shqiptarët për shqiptarët” të marrin përsipër diçka. Ambicia është që programi i rindërtimit të shkojë përtej standardeve dhe cilësisë së jetës ku ishin këto familje përpara se të ndodhte kjo. Jetën e humbur s’ua kthejmë dot. Ja kemi borxh atyre dhe vetes dhe vendit, që të bëjmë më të mirën”, theksoi Rama.

“T’i garantojmë të gjithë shqiptarët që çdo lek, euro, dollar deri ke shuma më e madhe të shkojë te ato që kanë nevojë. Të gjitha paratë e mbledhura, edhe ato të buxheti do të jenë bashkë dhe të gjithë do të marrin përgjegjësitë e veta. Njerëzit të mos e diskutojnë faktin se po e çoj lekun, por s’di se ku do shkojë. Po vijnë ndihmat nga katër anët. Ne do të japim një shembull e të mësojmë prej njëri-tjetrit’, u shpreh Rama.

“Me thënë të drejtën, e thashë edhe më parë: E tundojmë perëndinë duke bërë gam-gam, duke prodhuar energji negative kush më shumë e kush më pak. Më urtë më butë, më qetë. Ka një kohë për të luftuar, ka një kohë për të qenë bashkë. Ka një kohë për të fjetur dhe ka një kohë për t’u zgjuar”, tha Rama. /a.g/