Programi i Lotarisë Amerikane/Ja cilat janë arsyet kryesore të skualifikimit, flet avokati Kieran Both

Programi i Lotarisë Amerikane në shumë vende të botës u jep përfituesve të drejtën për emigrim dhe banim të përhershëm në SHBA. Çdo vit “Diversity Immigrant Visa Program” jep viza të përhershme për njerëzit, të cilët përmbushin kërkesat për përshtatshmëri. Aplikimi bëhet falas në faqen zyrtare të departamentit të shtetit amerikan. Aplikantët fillimisht përzgjidhen përmes shortit, gjeneruar nga kompjuteri, që tregojnë se ata posedojnë shkollën e mesme ose ekuivalenten e saj apo dy vjet aktivitet pune të kryer gjatë pesë viteve të fundit. DV-2019, është një lotari, e cila pavarësisht plotësimit saktë të formularit të aplikimit, nuk ka garanci fitimi. Avokati Kieran Both jep të gjitha detajet për çdo paqartësi që mund të hasin personat e interesuar për programin e lotarisë amerikane.
Regjistrimi i pasaktë,
skualifikimi
Avokati Kieran Both njofton se aplikimet për Lotarinë Amerikane, DV-2019, duhet të dorëzohen elektronikisht, duke filluar që nga mesdita e datës 3 tetor deri ditën e martë 7 Nëntor 2017. Gjatë periudhës së regjistrimit kandidatet do të kenë akses për formularin e aplikimit në adresën www.dvlottery. state.gov. Avokati i sugjeron aplikantëve që mos të presin deri ditën e fundit, pasi sistemi mund të pësojë mbingarkesë. Të gjithë aplikantët që tentojnë të regjistrohen dy herë do të skualifikohen, pavarësisht se kush e ka paraqitur regjistrimin për individin. Në njoftimin e tij avokati thekson se në qoftë se kërkesa është bërë si duhet, kandidatit do të marrë një konfirmim të menjëhershëm në internet, ku do të shohë emrin e tij, ditëlindjen dhe vendlindjen. Sipas tij, personat e interesuar për tu bërë pjesë e shorteut të lotarisë amerikane mund të skualifikohen nëse nuk dërgojnë fotografitë elektronikisht. Fotografitë e nevojshme që duhet të dërgohen duhet të jenë të aplikantit kryesor, të bashkëshortit edhe të secilit fëmijë nën moshën 21 vjeç, duke përfshirë këtu edhe fëmijët e adoptuar. Gjithashtu, ai thekson se formularët në letër nuk pranohen. “Personat e interesuar që do të bëhen pjesë e shorteut duhet të kenë kujdes të mos regjistrohen më shumë se një herë, pasi Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të zbuluar hyrjet e shumëfishta dhe individët me më shumë se një hyrje do të skualifikohen”, shkruan avokati Kieran Both. Sipas tij, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk do të pranojë formularë të pa kompletuar, duhet që plotësimi i të dhënave të bëhet i plotë që kandidati të behet pjesë e programit. Më tej thekson se kandidatët nuk do të tarifohen për dorëzimin e formularit të aplikimit, por që mos të hasin probleme me sistemin DV në internet duhet të përdorin një brouser të ri kur të dorëzojnë aplikimin. “Versioni anglisht i udhëzimeve të Programit DV-2019 që duhet të përdoret është në formatin PDF, pasi ky është version i vetëm zyrtar. Përkthimet jozyrtare në gjuhë të tjera do të shtohen në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit, pasi të bëhen të disponueshme. Gjithashtu, ka një video në dispozicion për prezantimin e procesit të Lotarisë Amerikane hap pas hapi”, njofton avokati. Ambasada Amerikane i udhëzon aplikantët që të plotësojnë formularin e lotarisë, pa përzierjen e një “konsulenti”, “agjent të vizës” ose një asistent tjetër që ofron për të ndihmuar dhe nëse dikush i ofron ndihmë kandidatit të interesuar për plotësimin e formularit, ky i fundit duhet të jetë i pranishëm gjatë përgatitjes. Both shkruan se prezenca e kandidatit është e rëndësishme gjatë aplikimit që përgjigjet të jenë të sakta dhe që të mund të marrë letrën e konfirmimit dhe numrin unik. Numri që ofrohet pas konfirmimit i jep mundësim aplikuesit që të përdorë sistemin online ku do të informohen për statusin. “Kini kujdes printoni konfirmimi me të dhënat tuaja dhe nëse dikush ofron për ta mbajtur këtë informacion për ju, duhet të kërkoni kodin që të mund të keni akses në llogarinë e postës elektronike të shënuar në hyrjen tuaj E-DV”, shkruan avokati Kieran Both.
Përzgjedhja
Avokati bën të ditur se duke filluar nga 1 maj 2018 aplikantët do të jenë në gjendje të kontrollojnë statusin e aplikimit në dvlottery.state.gov duke klikuar mbi Entrant Status Check dhe duke futur numrin e tyre unik të konfirmimit dhe informacionin personal. Gjithashtu, kjo është adresa që duhet të përdorin për të kontrolluar nëse janë përzgjedhur për DV-2019 dhe për të parë datën e intervistës për vizë emigrimi. Kjo është e vetmja mënyrë informimi për ndjekjen e procesit në vazhdueshmëri, pasi qeveria e SHBA nuk do të japë informim drejtpërsëdrejti. Ai thekson se aplikanti duhet të japë emrin, gjininë, datën e lindjes, vendin e lindjes, vendin ku jetoni, adresën postare, adresën e e-mailit dhe fotografitë të marra brenda gjashtë muajve të fundit, të kandidatit kryesor, bashkëshortit dhe të gjithë fëmijëve. Both bën me dije se aplikimi për vizë mund të refuzohet nëse fotografitë janë manipuluar ose nuk plotësohen specifikimet. “Ju, gjithashtu, duhet të shënoni nivelin tuaj më të lartë të arsimit, statusin aktual martesor dhe numrin e fëmijëve të pamartuar nën moshën 21 vjeç. Të gjithë fëmijët duhet të regjistrohen pavarësisht nëse ata jetojnë me ju ose që duan të vijnë e bashkohen me ju, nëpërmjet emigrimit në Shtetet e Bashkuara, moslistimi i të gjithë fëmijëve që kanë të drejtë të bashkohen me ju, do të rezultojë në refuzimin e aplikantit kryesor dhe refuzimin e të gjitha kërkesave për vizë në kohën e intervistës për vizë”, shprehet Both. Departamenti i Shtetit Amerikan do të bëjë përzgjedhje të rastit nga kompjuteri për individët që do të kualifikohen. Gjithashtu, të gjithë pjesëmarrësit e DV-2019 duhet të klikojnë në Entrant Status Check duke përdorur numrin unik për të parë nëse janë zgjedhur në programin e DV. Kontrolli i statusit do të jetë në dispozicion në faqen e web të E-DV në dvlottery.state.gov duke filluar nga 1 maji 2018, deri më 30 shtator 2019. Avokati njofton se në qoftë se aplikanti është përzgjedhur, do të marrë udhëzime të mëtejshme, duke përfshirë informacionin në lidhje me tarifat e emigrimit në Shtetet e Bashkuara. Entrant Status Check do të jetë i vetmi mjet me të cilin Departamenti i Shtetit njofton përzgjedhësit e aplikantëve për llotarine,DV-2019. Both sqaron se Ambasadat dhe konsullatat e SHBA nuk do të ofrojnë ndonjë listë të të zgjedhurve, ndaj aplikantët duhet që të shikojnë Entrant Status Check, përmes të cilit do të marrin njoftim për statusin e tyre. “Online Immigrant Visa dhe zyrtari konsullor, do t’ju bëjë pyetje për të parë ligjshmërinë tuaj për të emigruar në SHBA. Të gjithë të zgjedhurit, duke përfshirë anëtarët e familjes, duhet të njoftohen deri më 30 shtator 2019. Në asnjë rrethanë, Departamenti i Shtetit nuk mund të miratojë rregullime pas kësaj date, as edhe për anëtarët e familjes për t’u bashkuar me aplikantin kryesor në Shtetet e Bashkuara”, shkruan avokati Kieran Both.

Të dhënat për regjistrim

•    EMRI I PLOTË
•    DATA E LINDJES
•    GJINIA
•    QYTETI I LINDJES
•    SHTETI I LINDJES
•    SHTETI I KUALIFIKUE
•    FOTOGRAFIAE REGJISTRIMIT
•    ADRESA E POSTËS
•    NUMRI I TELEFONIT
•    ADRESA E POSTËS ELEKTRONIKE (EMAIL)
•    NIVELI MË I LARTË I EDUKIMIT
•    STATUSI MARTESOR
•    NUMRI I FËMIJËVE
•    INFORMACIONI MBI BASHKËSHORTIN(EN)
•    INFORMACIONI MBI FËMIJËT

Ina Allkanjari

gazetashqiptare.com