PROFIL – Lulash Nikë Palushaj, shpirti në krijim dhe jeta në vepër

Kur dëshiron të flasësh për personalitete të Malsisë, për ata, të cilët shkruan një faqe përfaqësimi të vlershëm, ata që sakrifikuan gjithë jetën për çfarë do të mbetet pas, nuk mund të mos shënosh në këtë listë emrash, Z. Lulash Nikë Palushaj, ai që nuk resht së shënuari emrin e tij aty ku thirret një vullnet i mirë për një kontribut dhe ku kërkohet një zë i fuqishëm për një kushtim.

Malsisë kurrë nuk i kanë munguar burrat e pushkës dhe penës, burrat e dinjitetshëm të çështjes kombëtare dhe vlerave të larta të përfaqësimit. Malsia ka qenë e shpërblyer me male e me krenari, me tradita dhe me nder, me bukuri dhe sofër bujare, me shpirt të pasur në mendim dhe në art, me njerëz të bekuar në veprën e mirësisë dhe dëlirësisë. Aradhja e atyre që përfaqësojnë me nderime dhe me vepër vlerash, Malsinë e Madhe, është e gjatë, Lulash Nikë Palushaj ka vendin e privilegjuar, sepse është e cilësishme dhe konkurruese, ajo që ai ka bërë dhe bën, ajo që ai ka ofruar si një shprehi e zërit ndriçues dhe shpirtit që kungon përjetim dhe ndjesi, për çfarë është për krijuesin subjekt dhe për admiruesit mëkim i shenjtëruar në art.

Është e bekuar Malsia e Madhe, e lartësuar kjo tokë, ky truall, ky djep, për bijtë e bijat që rriti, ai gji, për zemrat dhe shpirtrat prej drite që mëkoi, siç i është mirënjohës të gjithëve, për gjithçka bënë, jo vetëm për emrin e tyre, por për Malsinë, për Shqipërinë, për çështjen e madhe shqiptare, gjithkund janë ata që e duan dhe i shërbejnë shqiptarisë, si Lulash Nikë Palushaj.

Shpirti në krijim dhe jeta në vepër, kjo është sintezë e një emri, e asaj që është dhe që përfaqëson, Lulash Nikë Palushaj, e këtij personaliteti, e kësaj vlere, shërbesa me të gjitha forcat dhe energjitë, të cilit janë tek ai një ngulm për të konkurruar me dinjitet në botën e përfaqësimit dhe promovimit.

Lulash Nikë Palushaj u lind në Bëkaj të Trieshit, më 1944. Rrjedh nga një familje me zë të Malësisë së Madhe, atë të Dul Gjeloshit, e njohur që nga Shjaku e Zejmeni, Shtoji i Mbishkodrës, Lugu i Cemit, Bëkaj të Trieshit dhe në Plavë – Guci.

Bir i atit Nikë, i cili ishte shembull i Malësisë së Madhe për moralin e karakterin e fortë që e karakterizonte, zgjuarsia e qëndrueshmëria e gjakut arbëror të Maleve tona, që Lulashi ndoqi rrugën e të parëve dhe mbeti pinjoll i oxhakut që i takonte dhe i nënës, Katrinë, bijë nga Vukli i Këlmendit, shtëpi bajraktarësh, nga e cila trashëgoi fisnikërinë e brezave dhe historinë e lavdishme që patën Malet tona.

Shkollën tetëvjeçare e kreu në Tuz, normalen për mësuesi në Shkup dhe Fakultetin Filologjik, degën Gjuhë – Letërsi në Prishtinë. Që nga rinia merret me jetën kulturore – artistike. Ka dhënë një kontribut me vlera të jashtëzakonshme si koreograf dhe regjisor dramash.

Gjithë jetën Lulash Nikë Palushaj ia kushtoi edukimit të breznive, çështjes shqiptare për unisimit dhe të drejtave të tyre, aspiratës për një komb të pandarë. Dhe e bërë këtë, me një përkushtim të pashoq, me një shpirt të paepur dhe një vullnet të fortë si një besim, sepse ai beson te vlerat, te aspiratat e larta, te dinjiteti, te edukimi dhe dija, si rrugët prej nga ne rendim për ta rritur e lavditur Malsinë dhe bijtë e saj, gjeneratat që do të vijnë, ata që do të kenë legjitimitetin, jo vetëm për tu mburrur për Malsinë, por edhe për të vlerësuar dhe për t’i qenë mirënjohës emrit, veprës dhe vlerave të të gjithë atyre, që si Lulash Nikë Palushaj, punuan e begatuan, u përpoqën dhe nuk u ndalën, luftuan dhe fituan.

Nuk duhet kurrsesi të lëmë mënjanë dhe të mos e shënjojmë atë që, Lulash Nikë Palushaj ka dhënë si misionar paqeje, si pjesëmarrës aktiv i Besëlidhjes së Malësisë të 6 Prillit 2005, brenda kufirit shqiptar. Sepse më shumë se punë, përpjekje, sfida dhe sakrifica, për Lulash Nikë Palushaj, ishte angazhimi në misionin e pajtimit dhe paqtimit, ishte besim dhe lartësim i veprës dhe vlerave të tij si malsor, si intelektual, por mbi të gjitha si një rilindës i kohëve moderne.

Duke faktuar me vepër atë çfarë Lulash Nikë Palushaj dha, na duhet të shpalojmë arkivin e tij krijuese. Krijimtaria e tij është e larmishme e vlerësuar. Ai ka në galerinë krijuese dy vëllime me poezi; “Rrajë të ndame” dhe “Votra ime”, librin etnografik “Malësia e dhe fiset e saj”, në dy vëllime. Për të  vijuar me librin “Malsorja e bjeshkëve tona”, “Oqeani që përpin”, “Nusja me duvak të bardhë”, “Lot që nuk teren – zemër që s’pushon”.

Krijimtaria e Lulash Nikë Palushaj spikat për origjinalitet dhe forcë shprehëse. Trajtesat e librave të tij kanë në qendër vlerat dhe traditën malsore, konsiderojnë si të shenjtë çështjen kombëtare dhe identitare. Ai nuk toleron cilësinë e punës së tij krijuese, sikurse është i rreptë me vetveten në lidhje me shtjellimin e komponentëve. Dallon gjithashtu për një gjuhë të pasur dhe zhdërvjelltësi shtjellimi, thjeshtësi komunikimi dhe thellësi analize dhe figurshmërie, metafore dhe narrave. Pena e tij është e hollë, vëmendja për gjërat e rëndësishme rrëmbejnë prej trajtesave të tij, një ngulm me përgjegjësi të lartë shkencore dhe akademike, qytetare dhe bashkëkohore. Ai, në atë që shkruan, në atë që bën, e vlerëson si prioritare të qenin malsor, të qenin i privilegjuar për të përfaqësuar një brez, për të qenë zë dhe zemër e një gjenerate.

Veprimtaria e Lulash Nikë Palushaj, nuk mund të kalonte pa marrë, jo vetëm interesimin e duhur, por edhe vlerësimet e merituara.

Për të gjithë veprimtarinë, Lulash Nikë Palushaj dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë, zoti Bujar Nishani me dekoratën – Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut. Patjetër që ky është një nderim i madh dhe i merituar për z. Lulash Nikë Palushaj, por në të njëjtën kohë është dhe do të mbetet një peshë e rëndë përgjegjësie për vlerat dhe veprën, me të cilën ai promovon veten dhe Malsinë.

Pak a shumë ky është, Lulash Nikë Palushaj, misionari i dijes dhe pajtimit, mësuesi dhe mëtuesi, poeti dhe publicisti, eseisti dhe koreografi, regjisori dhe malsori i mirë e shpirti i dlirë i një vepre, i një jete të mbushur me përkushtim dhe devocion.

Zani i Malsisë