Presidenti, Ilir Meta: Skënderbeu, dielli që do të ndriçojë çdo shqiptar dhe mbarë kombin

Me rastin e 105-vjetorit të Festës së Pavarësisë dhe çeljes zyrtare të vitit 2018 si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastrioti Skënderbeut”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në ceremonitë shtetërore të zhvilluara në Sheshin e Flamurit dhe të Monumentit të Pavarësisë në qytetin historik të Vlorës si dhe më pas, në Shtëpinë Muze ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë.

Në prani të Presidentit Meta, të Kryeministrit Rama, të Presidentit të Kosovës Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj si dhe autoriteteve më të larta shqiptare në Sheshin e Flamurit u ngrit duke u valëvitur krenar Flamuri ynë Kombëtar.

Më pas autoritetet e larta shtetërore zhvilluan homazhe në vendprehjen e Ismail Qemalit, ku Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule në shenjë nderimi dhe u përul me respekt para veprës dhe kujtimit të Atit Themelues të Shqipërisë së Pavarur.

Në veprimtarinë e mbajtur për çeljen dhe shpalljen zyrtare të vitit 2018 si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastrioti Skënderbeut” Heroit tonë Kombëtar, Presidenti i Republikës u shpreh se “figura e heroit tonë kombëtar dhe vepra e tij frymëzoi burra shteti, patriotë, politikanë, diplomatë, ushtarakë, historianë, kompozitorë, piktorë, artistë, shkrimtarë e poetë të talentuar, rapsodë, të të gjitha kohërave, të kombeve dhe vendeve, duke bërë kështu të njohur ndërkombëtarisht kombin shqiptar përmes emblemës së tij më të vyer historike. Në të gjitha gjuhët e botës është folur, shkruar e debatuar për heroin kombëtar duke provuar dimensionin, vlerat e rolin e tij të pazëvendësueshëm, jo vetëm në ruajtjen dhe përbashkimin e kombit tonë po veçanërisht në mbrojtjen e civilizimit evropian, identitetit dhe përkatësisë së tij të vyer”,- tha Presidenti Meta.