Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta viziton Arkipeshkvinë njëmijëvjeçare të Tivarit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi ka postuar disa foto nga vizita në Arkipeshkvinë një mijëvjeçare të Tivarit, e para vizitë e një Presidenti në këtë institucion kaq të shenjtë. Kreu i Shtetit, shkruan më tej se është pritur nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, me të cilin thotë se biseduan për rëndësinë e jashtëzakonshme që luan besimi në shërbim të bashkëjetesës. “Shumë i lumtur të vizitoja Arkipeshkvinë një mijëvjeçare të Tivarit, ku u prita nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, me të cilin biseduam për rëndësinë e jashtëzakonshme dhe universale që luan besimi në shërbim të bashkëjetesës dhe harmonisë sociale’‘,-shkruan Presidenti. Më tej, Presidenti ka veçuar kontributin e madh që lanë kolosë si Pjetër Bogdani dhe Dom Simon Filipaj. “Këtu kanë shërbyer shumë kolosë të besimit katolik, në veçanti i madhi Pjetër Bogdani si dhe përkthyesi i parë i Biblës në gjuhën shqipe, Dom Simon Filipaj”.