Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe strategjia e re për Afganistanin

Pas një njoftimi të Presidentit Donald Trump ku shpalli angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Afganistanit, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis tha të martën se ende nuk ka marrë një vendim se sa trupa shtesë do të dërgohen në vendin e Azisë Jugore.

Duke folur nga Bagdadi, zoti Mattis tha se po konsultohet me gjeneralin Joseph Dunford, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, dhe do ta marrë vendimin bazuar në planin e tij.

Në një fjalim të hënën mbrëma në një bazë ushtarake pranë Uashingtonit, Presidenti Trump tha se nuk do të fliste për numrin e trupave apo planet për aktivitete të mëtejshme ushtarake. Ai njoftoi një qasje të bazuar mbi kushtet në terren për të mposhtur terrorizmin në Afganistan, por pa folur për hollësi.

Presidenti ka miratuar deri në 4,000 trupa amerikane shtesë në Afganistan, sipas burimeve që folën me kusht që të mos identifikohen.

Aktualisht, në Afganistan ka rreth 8,400 trupa amerikane. Shumica janë atje për të këshilluar forcat afgane, ndonëse një pjesë janë merren me kryerjen e operacioneve kundër terrorizmit ndaj grupeve të tilla si talebanët apo afganë të Shtetit Islamik.

Ky numër është zvogëluar ndjeshëm nga maksimumi që arriti gjatë Presidencës Obama, me gati 100,000 trupa amerikane në gusht të vitit 2010.

Pas shumë vitesh gjatë të cilave e quante me ironi luftën e SHBA në Afganistan si një “shpenzim i kotë”, Presidenti Trump shpjegoi të hënën se përse ai tani beson se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të mbeten të përkushtuara ndaj këtij vendi të Azisë Jugore.

Qëllimi, tha ai, është të ndalet rikthimi i strehëve të sigurta për terroristët që kërcënojnë Amerikën si dhe për të garantuar se ata nuk do të shtien në duar armë bërthamore.

Menjëherë pas fjalimit të presidentit, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson lëshoi një deklaratë ku thuhej: “Ne jemi të gatshëm të mbështesim bisedimet e paqes midis qeverisë afgane dhe talibanëve pa parakushte. Ne shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht fqinjët e Afganistanit, të bashkohen me ne në mbështetje të një procesi paqeje në Afganistan”.

Zoti Trump, në fjalimin e tij, megjithatë, kritikoi publikisht dhe drejtpërsëdrejti Pakistanin.

“Ne i kemi paguar Pakistanit miliarda e miliarda dollarë dhe ata vazhdojnë të strehojnë pikërisht terroristët kundër të cilëve ata luftojnë. Por kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë menjëherë,” u zotua Presidenti Trump.

Fjalimi i tij u prit me komente të ndryshme.

“Presidenti nuk arriti të përcaktojë qëllimet apo objektivat që do të drejtonin veprimet e krejt qasjes qeveritare. E vetmja gjë që ai tregoi ishte se besimi i tij i mëparshëm se mund të heqësh trupat nga një zonë luftimi pa pa marrë parasysh pasojat e këtij veprimi doli i gabuar”, tha Moira Whelan, ish-zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit.

“Zoti Trump u tërhoq nga qëndrimi i tij i mëparshëm për Afganistanin, por nuk e zëvendësoi me diçka tjetër që do ta bënte Amerikën më të sigurt”, tha Whelan për Zërin e Amerikës.