Presidenti amerikan Donald Trump: Fjalët nuk janë zgjidhje për problemin koreano-verior

Presidenti amerikan dhe sekretari i tij i mbrojtjes kanë dalë me komente kontradiktore lidhur me përgjigjen ndaj programit bërthamor dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut. Siç njofton korrespondenti Bill Gallo, komentet e tyre pasojnë provën e fundit me raketë balistike nga Pheniani, e cila u përcoll me kritika të ashpra nga figura botërore.

Koreja e Veriut thotë se ky është hapi i parë për të kontrolluar forcat amerikane në rajon. Raketa me rreze të mesme veprimi fluturoi mbi Japoni, duke aktivizuar sistemin e alarmit dhe duke krijuar panik tek popullata. Këshilli i Sigurimit OKB e dënoi provën si një akt indinjues.

Përmes një deklarate, Presidenti Donald Trump paralajmëroi se të gjitha opsionet mbeten të hapura. Por dje presidenti doli me një tjetër mesazh duke postuar në Twitter: “Fjalët nuk janë zgjidhje”.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis, në takimin me ministrin e jashtëm koreano-jugor në Seul, dha menjëherë një tjetër reagim:

“Jo, nuk kanë mbaruar zgjidhjet diplomatike. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku. Unë dhe ministri (koreano-jugor) kemi përgjegjësinë të ofrojmë mbrojtje për vendet tona, popujt tanë dhe interesat tona, për të cilat po diskutojmë sot këtu,” tha Sekretari Mattis.

Presidenti Trump ka bërë shpesh komente lidhur me Phenianin që kanë shkaktuar bujë dhe konfuzion.

Trump

“Do t’i presim dhe zjarr dhe furi si s’ka parë ndonjëherë bota,” pati thënë presidenti në fillim të këtij muaji. Katër muaj më parë, zoti Trump tha se do ta kishte për nder që të takohej me Kim Jong Unin.

Ndërsa gjatë fushatës, presidenti pati thënë se ishte i hapur që ta priste udhëheqësin koreano-verior në Shtëpinë e Bardhë, si dhe u kanos se do ta fuste Kinën ta “hiqte qafe”. Kjo krijon mesazhe kundërthënëse, thotë Gary Samore, ish-zyrtar për përpjekjet e mospërhapjes së armëve gjatë administratës Obama.

“Është pak e vështirë për mua të interpretoj atë që ka në mendje Presidenti Trump. Mund të them se administrata Trump është përpjekur që të bindë Korenë e Veriut përmes presionit ekonomik dhe premtimeve për përparim që të kthehet në negociata”.

Këtë javë Shtetet e Bashkuara vazhduan të demonstrojnë forcën duke kryer manovra ushtarake me Korenë e Jugut…

Si dhe duke publikuar regjistrime të një prove të suksesshme për interceptimin e raketave me rreze të mesme veprimi.

Por provat e fundit të Koresë së Veriut kanë treguar se megjithë këto paralajmërime të Amerikës, Pheniani nuk është i gatshëm të heqë dorë nga kursi që ka ndjekur.