Prend Doçi, bariu i vyer, letrari i shquar dhe kontributori i flaktë i shqiptarisë

Nga Albert Vataj

Shkoi në paqe, i shëlbyer dhe i përkorë, përkushtues dhe ngadhnjimtar, devotshmërisht i asur para besimit dhe atdheut. Bëri gjithçka mundi për një qëllim të lartë, për të mbetur në kujtesën e gjeneratave dhe në historinë e kombit si një emër i skalitur prej rrufeve të zellit dhe përulësisë me të cilat ai i’u dedikuar kishës dhe vatanit.
U shua për të marrë rrugën e amshimit duke dorëzuar trupin e papërlyer dhe shpirtit e lartësuar në duart e dritshme të atij bekimi që i dha jetë dhe pasion përpjekjeje.
Me 17 shkurt 1917 duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murrlanit, në oborr të Abacisë, abati ndjeu një dobësi! Rrëzohet! E ndien veten keq! E vizitojnë dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me ushtri. Diagnoza: bronkopolmoni e dobësim zemre! “I ka ditët e numëruara!”, thanë mjekët! Lajmërohet kleri e të afërmit. Abat Doçi kujtohet e thotë: dies annorum nostrorum septuaginta anni, (që jeta e një njeriu është normalisht shtatëdhjetë vjet, (Ps. 89.10)”, të cilat i kishte mbushur e kaluar. Thërret Dom Zef Skanen; ai e rrëfen, ia ndan kungimin dhe sakramendin e vajimit. Kështu i bërë gati, vdekja i arriti me 22 shkurt 1917, në orën 14.30.
Ishte shuar një klerik i përkushtuar, një patriot i zedhshëm, një kontributor i vlertë i asaj pasurie që mbeti një testament shqiptarie. Abati Prend Doçi, përvese një diplomat i shquar, e ndërmendim edhe si krijues. Poezinë dhe prozën e shkroi me një gjuhë të rrjedhshme dhe të përdorur mirë, duke i botuar ata në “Kalendarin Vepra Pijore”, më 1916 dhe “Kalendar për të Gjithë”, më 1925. Ai edhe pse në të shumtën e rasteve shkroi pa emër, ka publikuar rreth 32 vepra. Ndër të tjera edhe fjalorin e dom Dodë Koletsit të publikuar përgjatë një periudhë 9-vjeçare nga shoqëria “Bashkimi”. Doçi me themelimin e shoqërisë “Bashkimi” më 1899 dhe të ortografisë shqipe me germa latine, zë vend të merituar në literaturën shqiptare. Përveç librave të botuar prej kësaj shoqërie, kemi edhe Alfabetin që Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor të 1908 ës, që u miratua më pak ndryshime. Abati cilësohet edhe si mbrojtës dhe nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Mirditë e rrethina.
Jeta dhe vepra e Prend Doçi, ndahet në periudhën kur ai ushtronte përkushtueshëm meshtarin, për të vijuar me kalvarin, kohën kur ai e kaloi në burgje dhe në mërgim. Koha kur ai mori detyrën e Abatit, dhe si prelat i lartë dhe diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, u pasua nga angazhimi që ai pati në krah të Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore gjendej në sprova të vështira.
Abati i madh i Mirditës hyri në histori si meshtar i zellshëm, atdhetar i flaktë, mbrojtës i popullit e vendit, si poet, studiues e prijës trim. Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm të popullit shqiptar e Vendit.
Imzot Doçi udhëhiqte dy seli, njërën në Orosh, si kryetar i kishës së Mirditës dhe tjetrën në Shkodër, si kryesues i shoqërisë së njohur “Bashkimi”, por ideali i tij ishte Shqipëria në të gjithë hapësirën e saj etnike, ku ai njihet dhe si hartues i një promemorie për Çamërinë. Abati dhe Mirdita ishin një simbiozë historike, aq më tepër që mirditasit njiheshin si fisi më i fuqishëm luftarak në Shqipërinë Veriore. Kështu ai rrugëtoi gjatë me dy “këmbët” mbështetur fort në Mirditën e papërkulur dhe qëndrestare dhe pasurore në doke dhe zakone, në burrëri dhe trimëri… dhe në Shkodrën e dritshme diturie dhe e përkushtuar besimi për fe dhe atdhe. U prit prej dritës së hyut si shpërblesë e devocionit, sot 102 vite më parë, për të lënë pas çfarë dot nuk e mori, veprën, emrin, dinjitetin dhe atdhedashurinë.