PRECEDENTET E PAPRECEDENTE TE POLITIKES SHQIPTARE/ Nga Frroku te Shullazi, batutat e të burgosurve VIP gjatë votimit

E drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës u ushtrua dje edhe nga të dënuarit me burg dhe të paraburgosurit. Ata e shprehën vullnetin e tyre politik në qendra votimit të ndërtuara brenda institucioneve ku vuajnë privimin e lirisë.

Gazeta “Panorama” vëzhgoi procesin e votimit në ambientet e paraburgimit “Mine Peza” në kryeqytet, i njohur edhe si paraburgimi nr. 302.

Procesi i votimit u karakterizua nga rregullsi proceduriale, zbatim ligji dhe klime miqësore e mirëkuptimi mes anëtarëve të komisionit të votimit. Proces i qetë votimi u regjistrua edhe në paraburgimin 313, ku votuan më shumë se 200 persona. Procesi i votimit është hapur nga Emiliano Shullazi, i pari në radhën e votuesve, për të vijuar më pas me të paraburgosur të tjerë që vuajnë masën e sigurisë “arrest në burg” në këtë institucion.

Ish-deputeti Mark Frroku, i dënuar me një vendim me 7.5 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për akuza të cilat nuk i ka pranuar, ishte në grupin e parë të votuesve. Ai përshëndeti me mirësjellje të pranishmit, duke i shtrënguar dorën secilit.

Ndërsa u fut në dhomën e fshehtë për t’i vënë shenjën “x” apo “+” kuadratit pranë forcës partiake të dëshiruar prej tij, Frroku tha: “I uroj secilit sukses tek logoja e vet. Në fund le të fitojë Shqipëria”.

Ish-deputeti nuk lë pa bërë batutë as në momentin kur pa që u fotografua. “Hë, dola mirë? Po s’pata dalë mirë, rri prapë unë”, tha ai me humor.

Kërkesa e njërit prej anëtarëve të komisionit për timbrimin e gishtit, shenjës së zezë në thoin e votuesit, u shoqërua herë pas here me situata gazmore plot batuta në qendrën e votimit.

I pari që u “ankua” ishte Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, i akuzuar si një prej anëtarëve të një grupi kriminal të përpunimit dhe trafikimit të kokainës.

“Edhe me dashur unë, nuk kam se ku votoj tjetër”, u tha Hoxha komisionerëve i buzëqeshur.

Një i tillë pretendim u shfaq edhe nga votues të tjerë. “C’e du atë mor burrë? Ku do shkosh këtu? Kush të le këtu të ikësh? Po re këtu, s’të nxjerr kush më”, tha njëri prej tyre.

Jo pak të qeshura shkaktoi në qendrën e votimit edhe i paraburgosuri Elson Merdani. Teksa po kryente procedurat e votimit, ai pyeti anëtarët e komisionit nëse procesi vijonte deri në orën 19:00.

“Ju do jeni këtu deri në 7, ë?”, pyeti ai. Përgjigjen pozitive të komisionerëve Merdani e pasoi me një tjetër pyetje. “Domethënë, a bën të vij në 7 pa 5? Votoj prapë?”. Kureshtjen e të pranishmëve se përse e bënte këtë pyetje derisa ai po e ushtronte të drejtën e votës, i paraburgosuri u përgjigj:

“Ore, unë e hëngra, po t’u them të tjerëve. Të kishim dalë në ajrim o burrë, ndaj”. Ndër të tjerë të paraburgosur që votuan në paraburgimin 302 ishin edhe ish-komandoja Neim Avdylaj dhe ish-punonjësi i policisë private, Fatjon Xhyliu.

Ata po mbahen në paraburgim pas dyshimeve se janë përfshirë në role të ndryshme në grabitjen e 3.2 milionë eurove në blindin e një banke të nivelit të dytë në rrugën e Rinasit, në shkurt të këtij viti. .javanews.al