Preç Zogaj: Rama ka thyer marrëveshjen e 18 majit, preu në besë Lulzim Bashën

Kandidati për deputet në listat e Partisë Demokratike në Lezhë që nuk arriti ta marrë mandatin në garën e 25 qershorit, Preç Zogaj akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama se ka zhdukur tenderin dhe garën, ndryshe nga paraardhësi i tij Sali Berisha. “Rama ka krijuar defekte siç janë koncesionet duke i bërë rrush e kumbulla. Berisha ka bërë punë të mëdha në atë kohë. Rama zhduku tenderin dhe garën. Kjo do të thotë se gjithçka e vuri në funksion të autoritarizmit të tij. Në kohën e Berishës kishte korrupsion, por kishte një garë. Konkurronin 20 firma për të marrë një tender. Në periudhën e Ramës u zhduk tenderi. Koncesionarët janë të përcaktuara. Rama ndërtoi sistemin e kapjes së gjithë institucioneve”- tha Zogaj. I ftuar dje në ‘Këndin e Ekselencës’ në emisionin ‘Vila24’ në ‘Neës24’, ku ai iu përgjigj pyetjeve të studentëve mbi zgjedhjet e 25 qershorit, Preç Zogaj tha se ato ishin zgjedhjet më të shëmtuara duke i krahasuar me zgjedhjet në vitin 1996, pasi sipas tij dominoi shitblerja e votës e cila fryu fitoren e PS-së. “Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 ishin zgjedhjet më të shëmtuara krahasuar me zgjedhjet e vitit 1996. Shitblerja masive e votës dominoi. Kjo është një nga shkaqet e humbjes së PD, por PS nuk i ka fituar zgjedhjet. Manipulimi dhe shitblerja kanë fryrë fitoren e PS”- tha ai. I pyetur për marrëveshjen e 18 majit Rama-Basha ku iu dha fund ngërçit politik, Prec Zogaj u shpreh Edi Rama ka thyer marrëveshjen duke prerë në besë Lulzim Bashën. “Siç erdhën punët, PD më mirë të shkonte në ‘luftë’ me PS sesa me marrëveshje. Problemi madhor është shitblerja e votës dhe kanabisi. Marrëveshja i maskoi problemet. Edi Rama e ka thyer marrëveshjen. PD refuzoi Evropën, por jo SHBA. PD u tërhoq nga vendimi i bojkotit pasi kishte filluar fushata dhe pas ndërhyrjes së SHBA. Edi Rama e ka prerë në besë Lulzim Bashën. Ai ka thyer një marrëveshje e cila u realizua me ndërhyrjen e SHBA”- tha Zogaj. Mes të tjerash Zogaj u ndal gjerësisht edhe tek politika, ndërsa komentoi edhe bashkëpunimet ndër vite me Berishën, Ramën dhe Bashën. “Historia e karrierës time politikë është e veçantë. Kam qenë besnik i idesë liberal-demokrat. Kam përcaktuar edhe pozicionet e mia politike. Njerëzit duhet të gjykojnë qëndrimet e mia, jo lëvizjet e mia. Unë kam qenë dhe jam pro këtyre ideve. Bashkimi me zotin Rama i përgjigjet një rrethane specifike. Unë konsumova një përplasje me PD dhe isha në opozitë. Në 2009-2013 kam bërë opozitën si individë. Por kur je në opozitë krijohet dhe një lloj sintonie me opozitën tjetër. Konfliktet me Berishën kishin lidhje me vendimmarrjen e mbyllur, ku binin ndesh me pikëpamjet e mia. Tek qeveria Rama nuk gjen asnjë zbatim. Ndaj janë bindjet e mia që më çojnë drejt një konfrontimi. Rama ka shpikur dhe ka krijuar defekte më të rënda. I ka çuar në ekstrem”, theksoi ai. Ndër të tjera, shkrimtari dhe politikani Preç Zogaj ndau me publikun fragmente nga jeta e tij, që nga shkollimi e deri tek angazhimi në politikë. Zogaj deklaroi se pavarësisht faktit se gjatë regjimit për shkak të biografisë nuk i dhanë të drejtën për të vazhduar shkollën, ai e ndoqi më vonë atë ndërsa studio për ‘Gjuhë-Letërsi’. Po ashtu, Zogaj nuk e kurseu as një batutë sa i takon kandidimit të tij në Lezhë, ndërsa shtoi se nuk kishte fat me listat. “Jam marrë me politik që prej shumë vitesh. Jam shkrimtar i angazhuar, mbaj qëndrime, mbajë anë. Por nuk mund të them se jam politikan. Skam vendosur të merrem me politikë në kohë të plotë. Zotin Berisha e kujtoj si në protagonist, lider i kohës që kishte krijuar pak a shumë natyra por edhe nga lëvizja popullore e asaj kohe. Kam marrë pjesë në lëvizjen studentore si poet. Se kam menduar të merrem me politikë. Ishte apel që vinte nga nevoja për të ndryshuar fatin e njerëzve. Kam qenë dhe dy herë ministër. Nuk kam fat me lista, është hera e parë që konkurrojë me lista në PD. Tani isha i katërti në listën e Lezhës, por kjo është histori tjetër. Kam bërë shkollën nga ushtria, kam qenë me 10-ta, por nuk mu u dha e drejta për të vijuar. Kam qenë pas Shaban Sinanit, studenti me i mirë”, pohoi dje kandidati për deputet i PD-së, Preç Zogaj.