Prapaskenat e takimit të Ramiz Alisë me intelektualët

Xhevdet Shehu – DITA

Akademiku i shquar Alfred Uçi u nda nga jeta më 26 tetor të vitit të kaluar. Vitet e fundit ai pati një jetë tepër aktive në botimtari mbi filozofinë dhe estetikën. Po shkruante dhe kujtimet e jetës së tij, të cilat nuk arriti t’i përfundonte. Sidoqoftë ai kishte nisur t’i shkruante. Me sa di kishte mbaruar pjesën e kohës së luftës ku kishte qenë partizan fare i ri si dhe pjesë nga jeta e tij, të cilat i shkruante jo në rendin kronologjik. Për shembull ai kishte shkruar përjetimet nga përmbysja e regjimit komunist.

Pesë vjet më parë, në gusht 2012, në një nga takimet e shpeshta që kisha me Prof. Alfred Uçin, ish-ministër i Kulturës në kapërcyell të ndryshimeve të mëdha që ndodhën, ai më dha një fragment të këtyre shënimeve të tij. Ndërsa shtypi ziente e tregonte histori të qena e të paqena rreth takimit të ish-udhëheqësit komunist, Ramiz Alia me intelektualët në 12 gusht 1990, takim që është quajtur se përcaktoi fatet e zhvillimeve të stuhishme politike që do të pasonin me përmbysjen e regjimit komunist dhe hartën e pluralizmit politik shqiptar, Alfred Uçi më tha se jo të gjithë thonë të vërtetën. E meqenëse të gjithë flasin, po tregoj unë atë pjesë që e kam përjetuar vetë si ministër i Kulturës në atë kohë.

Botimi i këtyre shënimeve kujtime dhe refleksione, le të jetë dhe një homazh për akademikun e shquar që ishte vazhdimisht i shqetësuar dhe i interesuar për mbrothësin ë e punëve në këtë vend.

Për 27 vjet me radhë, i ashtuquajturi takim i Ramiz Alisë me rreth 60 intelektualët më të shquar të vendit më 12 gusht 1990, merret e rimerret në analizë, duke kujtuar se ç’tha njëri e ç’tha tjetri, pse u bë dhe çfarë rezultatesh solli etj., etj. Kjo ndodh sepse në të vërtetë ai takim, po të vërehet me vëmendje, përcaktoi në njëfarë mënyre fytyrën e pluralizmit politik shqiptar që do të vinte pas përmbysjes së diktaturës.

Në këtë rrëfim të pazakontë, Alfred  Uçi tregon prapaskenat e atij takimi, si u hodh ideja e një takimi të tillë, si u shtrembërua dhe u manipulua ai takim për qëllime të caktuara të atyre që e organizuan. Shumë zhvillime të mëvonshme të demokracisë shqiptare gjatë këtyre 20 e ca vjetëve, marrin përgjigje nga ai takim. Mjafton të përmendim faktin që në atë takim me ish-liderin komunist, ndër intelektualët e thirrur për të dhënë mendime e për të debatuar ishin edhe Sali Berisha dhe Fatos Nano, kryetarët e dy partive më të mëdha politike që do të shfaqeshin pas disa muajsh në skenën shqiptare dhe që do ta dominonin jetën politike dhe pushtetin për më shumë se 20 vjet, duke ia lënë stafetën njëra-tjetrës. Edhe intelektualët pjesëmarrës në atë takim, me ndonjë përjashtim mjaft të rrallë, gjatë këtyre viteve të pluralizmit kanë qenë dhe mbeten intelektualët më aktivë në një krah ose në një tjetër, aq sa të sjellin ndërmend një slogan të Enver Hoxhës ku i konsideronte intelektualët ndihmës të Partisë për edukimin revolucionar të masave. Ndaj me të drejtë Prof. Alfred Uçi hedh hije të forta dyshimi për ndershmërinë e atij takimi, duke u shprehur se ai nuk kishte kurrsesi frymë “armiqësore”, sepse ishte një takim ku nuk pati debat, ndërsa konkludon se “takimi me intelektualët u manipulua dhe degjeneroi në vërejtje kryesisht për  thashetheme dhe për ca vogëlsira mbi ca çështje që kishin të bënin me shqetësime personale më tepër shkrimtarësh e gazetarësh që hidhnin zaret të pangopur nga lojërat për karrierizëm”. Duke u njohur me analizën e Prof. Alfredit, bindesh se nga ai takim nuk mund të pritej më shumë, pasi sikurse shkruan autori, të pranishmit ishin caktuar sipas listës protokollare zyrtare e të përhershme të Aparatit të KQ, që nuk njiheshin “të rrezikshëm” e “të guximshëm” për t’u ngritur kundër vijës së përgjithshme të Partisë.

Ky skaner i Profesor Uçit mbyllet me fjalët tejet trishtuese dhe ironike të ndihmësit kryesor të Ramiz Alisë, Sofo Lazrit: “Eshtë edhe faji i masave, që nuk janë të përgatitura për më shumë, prandaj s’ke ç‘kërkon nga  dredhitë e intelektualëve!”

Alfred Uçi

Rrefimi i Alfred Uçit: Si duhej të ishte dhe si u bë takimi

 Meqënëse po hapen e po botohen regjistrimet e këtij takimi, për të cilin janë thënë të vërteta e të pavërteta, nuk ka përse të hesht kur e di se si duhej të ishte bërë ky takim dhe si u bë. Duke lexuar këto që shkruhen e fliten, m’u ringjall atmosfera e atyre ditëve kur u mbajt takimi dhe vendosa të shkruaj, duke treguar të vërtetën rreth atij takimi.

Në atë kohë ishte acaruar situata e përgjithshme e vendit dhe, njëkohësisht, krerët kryesorë të regjimit të atëhershëm po përpiqeshin që t’i jepnin një drejtim të favorshëm për ta situatës, duke organizuar një Plenum të KQ pak kohë para se të përgatitej “Takimi me intelektualët”. Unë rastësisht u takova me një nga këshilltarët kryesorë të Ramiz Alisë, me Sofo Lazrin, i cili më pyeti për përshtypjet e mia  nga vendimet e Plenumit të fundit të KQ dhe më shtoi se “ç‘kishim për të thënë, i thamë në këto vendime dhe më tej s’kemi çfarë t’u shtojmë atyre asgjë tjetër”.

Në fakt ky mendim nuk ishte një opinion i tij personal, që siç e dija mirë unë, shpesh personi në fjalë nuk puqej plotësisht me opinionet e Ramiz Alisë, si edhe për vendimet e Plenumit të fundit të KQ.  R. Alia, si gjithnjë, edhe këtë herë, ishte i kënaqur dhe besonte se pat venë pikën në Plenumin e fundit, sepse në to i dukej se kishte bërë aq “lëshime” sa mund të ndërpritej acarimi i mëtejshëm i debatit dhe i “reformave” që do t’u pëlqenin të gjithëve. Unë i thashë Sofos se vendimet e Plenumit mund të kënaqin vetëm ata që i kanë hartuar, kurse në fakt ato janë formuluar duke mos e përfillur realitetin, ose duke mos e pranuar krizën e thellimin e saj të pandalshëm; kurse, nga ana tjetër, i thashë se debati nuk do të ndërpritej, sepse njerëzit kërkojnë më shumë nga ç‘premtojnë vendimet tuaja, kurse shumë intelektualë të rinj specialistë paraqitin në bisedime me miqtë e tyre të ngushtë shumë ide interesante, të reja, radikale dhe të domosdoshme, realizimi i të cilave do ta nxirrte vendin nga qorrsokaku, ku po e mbajnë vendimet si këto të Plenumit të fundit.

Dhe, meqë Sofua desh të dinte se ç‘ishin këta specialistë, unë pata rast t’i rrëfej disa nga këto ide, që kishin të bënin me gjithë fushat kryesore të jetës – politike, ekonomike, të brendshme e të jashtme, të cilat iu dukën edhe atij interesante. Dhe, për me tepër, shtova se me që thuhet se R.Alinë e “pengojnë elementët konservatorë në krye të shtetit e të Partisë”, atëhere përse të mos bëhen publike të tilla ide, duke organizuar një takim me bartësit e tyre, që ato mos të kumtohen vesh më vesh, por të shprehen hapur e lirisht përballë Ramiz Alisë; le të organizohet me të tillë intelektualë një takim, në të cilin R.Alia të mos u mbajë ndonjë konferencë të rëndomtë, por t’i dëgjojë e pastaj, t’i rrahë në mendjen e tij e t’u përgjigjet, t’i falënderojë për sinqeritetin e dobinë e tyre dhe t’u premtojë, pas një meditimi të thellë (që s’ishte në huqet e tij), të shprehej qartë nëse ishte apo s’ishte në anën e ideve të tyre liberale, reformatore, radikale. Por, shtova, që në një takim të tillë duhet të ftoheshin jo ministra, anëtarë të KQ dhe intelektualë që kanë dhënë e japin prova të vazhdueshme ligjërimesh oportunizmi, nënshtrimi me inflacion fjalësh dhe parullash të zbrazëta, si gjuha e direktivave partiake, si vendimet  gjithnjë “të drejta të Partisë”, domethënë kjo mbledhje duhej të shërbente si nxitje për debate të hapta e të lira në dobi të reformimit demokratik të shoqërisë, pa ovacione e duartrokitje hipokrite, siç ndodhte zakonisht.

Sofua e pëlqeu propozimin tim dhe më tha se do ta bisedonte me R. Alinë. Të nesërmen më telefonoi në zyrë e më tha se bisedoi me Shefin dhe ai ishte përgjithësisht i gatshëm të bënte një takim të tillë. Dhe unë prisja me padurim e mëdyshje të bëhej takimi. Por shpejt nga gazetat mora vesh se u bë takimi i parë me intelektualë të zgjedhur, por jo me ata që patëm biseduar me Sofon. Për më keq, takimi ishte organizuar në tre drejtime krejt ndryshe nga ç‘e patëm biseduar.

Së pari, Ramiz Alia nuk kish dalë para grupit të intelektualëve në rolin e dëgjuesit, por të kreut të Partisë e të Shtetit, që jep direktiva se çfarë lejon Partia dhe çfarë nuk e lejon. E hapi mbledhjen, duke u mbajtur të pranishmëve një fjalim të zakonshëm, në të cilin zbërthente ato ide, që i kishte kthyer në vendime të Plenumit të fundit të KQ. Mirë është të mos harrohet  përmbajtja e këtij fjalimi, i cili imponoi kuadrin e pyetjeve dhe të diskutimeve, që i lejonte Partia. Ky fjalim ishte shkelje e asaj që patëm biseduar me Sofon: –Mbledhja të bëhej pa fjalim hyrës, sepse të gjithë pjesëmarrësit ishin njohur me vendimet e fundit të KQ dhe prandaj R. Alia s’kish ç‘të shtonte, dhe vërtet nuk shtoi asgjë me rëndësi. Fjalimi refuzonte ndryshime të thella demokratike, ngaqë e quante Shqipërinë “rast i veçantë”. Sigurisht, nga pjesëmarrësit pritej më shumë se sa u tha nga R. Alia. Në këtë mbledhje s’pati njerëz të kënaqur, por nuk pati as “kritika të ashpra”. Mbledhja  nuk doli në përgjithësi përtej kufijve që i caktoi asaj R. Alia. Emrat dhe fjalët nga diskutimet nuk shprehnin idetë e opozitës, që ish në formim e sipër. Shumica dërrmuese e të pranishmëve i përkisnin, siç e dëshmuan fjalët e tyre, “shumicës që ishte në fuqi” dhe që ishte bërë pengesë për ndryshime radikale të sistemit ekzistues. R. Alia dhe bashkëpunëtorët e rangut të lartë të tij kërkonin të arrinin një miratim sado artificial, hipokrit e servil të direktivave të tyre.

Së dyti, përbërja e pjesëmarrësve, nuk ishte  ajo që patëm  biseduar me Sofon. Të pranishmit ishin caktuar sipas listës protokollare zyrtare e të përhershme të Aparatit të KQ, që nuk njiheshin “të rrezikshëm” e “të guximshëm” për t’u ngritur kundër vijës së përgjithshme të Partisë. Në mbledhje nuk u ftua asnjë nga specialistët e rinj, që ishin të panjohur përgjithësisht dhe që kishin ide të tjera të reja, të cilat filluan të dalin në shesh pak nga pak, më vonë, kur filluan mitingjet, që s’kanë qenë vetëm të rinisë, as vetëm intelektualë, por të gjithë popullit, i cili ishte i pakënaqur dhe kërkonte transformimin rrënjësor demokratik të shoqërisë e të rendit shoqëror, ashtu siç po kryhej në vendet e tjera ish-socialiste.  Në përgjithësi folën shumë pak veta dhe vetëm ndonjë nuk ish nga kategoria e diskutantëve e të njohurve të vjetër tashmë që ishin stërvitur prej kohësh t’i shpinin idetë e tyre të ndrojtura, oportuniste e pajtuese në përputhje me idetë e Shefit.

Vetëm nja dy a tre veta, shprehën ca kritika, që përcilleshin me “lutje” për të mos u keqkuptuar nga Shefi, duke iu përmbajtur temës mbizotëruese të “informimit”, rreth të cilit pati një farë “debati” se është apo jo i saktë informimi zyrtar apo mbizotëronin keqkuptimet e shtrembërimet e vetëdijshme të së vërtetës rreth tyre në valën e thashethemeve që qarkullonin gjithandej. Nga mënyra dhe përmbajtja e të folurit të diskutantëve, kuptohej se ruheshin mos i kalonin “kuadrin”, “kufijtë”, që caktonte fjala e Shefit.

Shihni me kujdes gjuhën që përdorin ata: “Por një bashkëbisedues (cili është ky –pyesim) thotë që ka varre masive”. Bashkëbiseduesi tjetër anonim shprehet: “T’i themi gazetës se në malin me Gropa, nuk ka gropa, po ka varre”. Po ky cili është?.Bashkëbiseduesi i vonuar pyet: “A e dini se njerëzit nuk rrinë në zyra, nuk punojnë? Këtë s’e kish ditur Partia, prandaj u thirr mbledhja e intelektualëve që të kuptoheshin ca theshetheme. Dhe R. Alia zbulon të vërtetën, duke u telefonuar intelektualëve zyrtarë e asnjë prej tyre nuk i përgjigjet, përveç Dritëro Agollit, i cili pohon: “Mua më ke gjetur!”. Bashkëbiseduesi tjetër merr përsipër të shpëtojë nga fajet Byronë Politike, që Ramizi mos e keqkuptojë se po kritikohen anëtarët e saj, por sqaron se  “ne jemi dhjetra mijë. Jo, dëgjo Ismail, e kuptoj por këtu e kam hallin, që ndoshta duhet të nxjerrim një konkluzion edhe neve. Që të tërë duhet të jemi më aktivë, mendoj unë…”.

Ramiz Alia

Edhe më absurde duket shkëmbimi i mendimeve, kur tërthorazi përmenden fakte mbi dukuri tmerrësisht të rënda si problemi i tufëzimit, domethënë i varfërimit të gjithë fshatarësisë, dhe bashkëbiseduesi ka frikë mos keqkuptohet dhe pohon se “ka pasur nxitim” dhe problemi mund të ishte zgjidhur më shpejt po të kishte pasur pluralizëm mendimi”. Dhe guxon të shtojë se “Partia nuk na e ka mohuar kurrë, përkundrazi na e ka kërkuar dhe na e kërkon vazhdimisht pluralizmin e mendimit”. Por “debati” mes “bashkëbiseduesit anonim”me Shefin shkon më tej, se  “ky pluralizëm mendimesh” nuk bën të barazohet me “pluralizmin politik e ideologjik, që do të vinte në dyshim formën e rendit tonë shtetëror” (larg qoftë!-na shket goja neve). Ky s’është debat, dhe aq më pak, nuk e ka detyruar R. Alinë “që të pranojë nevojën e pluralizmit politik në vend”, siç mund të mendojë ndonjë. Kjo frymë “bashkëbisedimi” vazhdon edhe për Frontin Demokratik, për problemin e lirisë së besimeve fetare, pale për ndryshimet e Kushtetutës, që konsiderohej “e paprekshme”, “e shenjtë”.

Kjo frymë e diskutimit të stërzgjatur e të mirësjellë vazhdon për të mos u keqkuptuar asnjëra palë. Dhe në fakt fjalët e askujt prej folësve nuk mund të merreshin si “armiqësore”. Prandaj, s’është e vërtetë siç shkruhet ndonjë herë se “debati”,  u kthye “në kritika të ashpra ndaj udhëheqjes së Partisë”. Debat nuk pati, sepse ai nënkuptohet, kur ndeshen ide të kundërta deri në të papajtueshme. Kritikat ishin kryesisht për gjëra të pjesëshme, ishin tërësisht të ndrojtura, fshihnin frikën e folësve se mos nuk e kënaqnin Shefin dhe madje disa ishin krejtësisht pajtuese me direktivat e Plenumit të KQ të Partisë. Vetëm në një rast njëri e mbylli diskutimin me një fjalë “të rrezikshme”: “Unë e konsideroj të domosdoshme pluralizmin e mendimit”, që ishte bërë moto e përgjithshme e thashethemnajave të atyre ditëve, të cilat pengonin kuptimin e vërtetë të kësaj fjale si ndryshim të rendit politik shoqëror, të likuidimit të diktaturës. Tani s’është mirë që të “interpretohen” diskutimet ose ndërhyrjet e disave, duke u dhënë kuptimin që s’e kanë pasur, “interpretime” të njërit ose të tjetrit që folën ose jepen “të redaktuara” sipas shkallës së miqësive që kanë mbetur deri tani.

Për një mbledhje si kjo, duhet të jepen tashmë autentike e të plota, jo fragmentare se ç‘u tha nga secili që foli në atë mbledhje, të jepen shënimet që janë ruajtur dhe të mos përpunohen nga ish sekretarë të  atëhershëm të Alisë, të cilët i kanë shkruar edhe fjalimet e tij.

Së treti, takimi u copëzua, duke i ndarë specialistët e ekonomisë dhe të fushave  të tjera, që kishin ide edhe më të rëndësishme e më të reja sidomos për reformat e ekonomisë e të politikës, aq më tepër që gjendja e ekonomisë ishte katastrofike. Nuk u përmend në njoftimet zyrtare asnjë inxhinier, asnjë agronom, asnjë jurist, asnjë historian, asnjë diplomat, asnjë teolog, politikan profesionist. Kishte vetëm dy doktorë, njëri që heshti e tjetri zelltar për debate, por pa përvojë të re politike.  A nuk kishte edhe kategori të tjera që mund të quheshin “intelektualë” të denjë për të debatuar, por edhe nga populli i thjeshtë, punëtorë e fshatarë, që t’u dëgjohej zëri për hallet e tyre dhe për demokracinë, që është identike me fjalën “popull”. Por në ligjërimet e stërholluara ezoterike nuk u dëgjuan nga asnjë bashkëbisedues orator fjalët: Liri, Demokraci e Popull. As të tilla fjalë të shenjta nuk ishin ftuar në takimin me intelektualët. Ata që e drejtuan disa ditë më vonë pjesën e dytë të takimit, thanë se “mund të mos ishte bërë fare, se si edhe në pjesën e parë, nuk kishte anjë ide të re”. Në këtë mënyrë takimi me intelektualët u manipulua dhe degjeneroi në vërejtje kryesisht për  thashetheme dhe për ca vogëlsira mbi ca çështje që kishin të bënin me shqetësime personale më tepër shkrimtarësh e gazetarësh që hidhnin zaret të pangopur nga lojrat për karrierizëm.

I thashë më në fund edhe S. Lazrit se takimi degjeneroi në një mbledhje që kënaqi vetëm R. Alinë. Mbledhja nuk ishte debat tronditës e aq më pak nuk ishte një revoltë, siç e dëshironte populli e siç diskutonte rrugëve e kafeneve masa dhe jo si ata që aparati i KQ të Partisë i kishte në listën e të ftuarve të përhershëm zyrtarë. Sofo Lazri në çaste të vështira përdorte mprehtësinë e tij ironike karakteristike, duke më thënë “Eshtë edhe faji i masave, që nuk janë të përgatitura për më shumë, prandaj s’ke ç‘kërkon nga  dredhitë e intelektualëve!”

Dialogu i Ramiz Alisë me Ismail Kadarenë

Ramiz Alia fton Ismail Kadarenë të diskutojë. Dhe shkrimtari, sidoqoftë është munduar ta rihapë  sërish çështjen e pluralizmit partiak. Pasi ka folur për çështjen e fesë, të cilën po ashtu Luan Omari e quan të ndaluar, dhe pasi përshkruan se sa të kota janë përpjekjet për të luftuar pluri-partizimin me propagandë partiake, Kadare thotë se : “Lidhur me pluralizmin që shtruam këtu që unë nuk e kam të qartë shumë, të them të drejtën, nga ana juridike as statusin e pluralizmit d.m.th….”

Pikërisht këtu e ndërpret Ramiz Alia, i cili me cinizëm i thotë: “Shiko, pluralizëm, status, e di që ç’ke me të ti se ç’domethënë, posi. S’e dike ti. Të ma thotë ndonjë njeri që s’e di, mirë. Si s’e di? E di, e di ti…”.

Por Kadare ndërhyn sërish dhe thotë: “Ose më mirë: ç’kuptohet me këtë fjalë tek ne?”

Përgjigja  rrufe e Ramiz Alisë është kjo: Ç’kuptohet? Kuptohet që përveç Partisë së Punës së Shqipërisë të ketë edhe një parti tjetër, Socialdemokrate, Republikane, një parti Liberale, një parti e Gjelbër. Ja kjo është. Ja këto janë…” Dhe Kadare ndërhyn sërish: “Kjo është një temë shumë e vështirë për t’u trajtuar aktualisht, sepse këtu ka dhe shumë ngarkesë politike për këtë problem…”

Mënjëherë pas kësaj ndërhyrje Ramiz Alia bën deklaratën më të drejtpërdrejtë të këtij takimi, duke i vënë pikën përfundimisht çështjes së pluri-partizmit. “Shiko, ngarkesë politike ka dhe ky është i tëri politik. Që ta përmbledh unë këtë muhabet. Unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë pluripartitizmin. Si t’i bësh e qysh t’i bësh dredha propagandës së jashtme duhet menduar, duhet reflektuar..” dhe pak më poshtë shton: “Për këtë duhet të jemi të vendosur. Kjo do të ishte shkatërrimi i pushtetit popullor pa pikën e dyshimit.”

Prof. Alfred Uçi

Pedagog i filozofisë dhe i estetikës në Universitetin e Tiranës, profesor, akademik Alfred Uçi lindi në Korçë në 15 dhjetor 1927. Në moshë të re mori pjesë në Luftën ANÇ, në radhët e Brigadës IX S. Kreu studimet e larta për filozofi në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1954). Për një periudhë të gjatë dha lëndët e filozofisë dhe estetikës në UT. Iu kushtua që në fillim studimit të trashëgimisë së mendimit filozofik shqiptar, duke botuar monografi për jetën dhe veprën e Jani Vretos dhe të Theodhor Kavaliotit.

Në vitin 1979–1986 ka qenë drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, kryeredaktor i revistës “Kultura popullore” dhe i një vargu botimesh shkencore e dokumentare të atij instituti; në vitin 1987–1990 kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve dhe ministër i Kulturës.