Pompeo: në se Irani nuk ndryshon kurs, SHBA do të ushtrojnë sanksione të paprecedent

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo parashtroi një listë me kërkesa gjithëpërfshirëse për një marrëveshje të ardhshme me Iranin dhe kërcënoi me sanksione të ashpra, nëse Teherani nuk ndryshon qëndrim.

Në fjalimin e së hënës, tek Fondacioni Heritage, Sekretari i Shtetit shpalosi një listë me 12 pika, që përfaqëson strategjinë e administratës Trump, pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore me Iranin në fillim të muajit.

Çdo marrëveshje e re, theksoi zoti Pompeo, duhet të përfshijë heqjen dorë përfundimisht nga programi i armëve bërthamore, nga transferimi i raketave balistike dhe nga ndërprerja e “aktiviteteve destabilizuese” në mbarë Lindjen e Mesme. Sekretari i Shtetit tha se Irani duhet t’i lejojë inspektorët e OKB-së të kenë akses në mbarë vendin.

Në se Irani nuk ndryshon kurs, Shtetet e Bashkuara “do të ushtrojnë një presion financiar të paprecedent”, paralajmëroi zoti Pompeo.

“Këto kanë për të qenë sanksionet më të fuqishme në histori. Regjimi iranian ka luftuar për vite me radhë në mbarë Lindjen e Mesme. Pasi sanksionet tona të hyjnë plotësisht në fuqi, Irani do të vvihet në vështirësi të mëdha për ta mbajtur gjallë ekonominë e vendit,” – tha zoti Pompeo.

Administrata e presidentit Trump është zotuar të rivendosë sanksionet që u hoqën në kuadrin e marrëveshjes së vitit 2015, të nënshkruar mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve europiane. Uashingtoni ka vendosur ndaj Teheranit edhe sanksione të tjera.

Vendet europiane janë duke zhvilluar bisedime me Iranin, në përpjekje për ta shpëtuar marrëveshjen. Por nuk është e qartë në se kjo përpjekje e europianëve mund të ketë sukses.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, tha të dielën se “mbështetja politike e Bashkimit Europian për marrëveshjen bërthamore nuk është e mjaftueshme”, sipas medias shtetërore iraniane.

Por nuk është gjithashtu e qartë, në se Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë të ushtrojnë presion të mjaftueshëm financiar ndaj Iranit, pa patur mbështetjen e kompanive europiane. Megjithëse disa biznese europiane kanë thënë se do t’u binden kërkesave amerikane, duke ndaluar të bëjnë biznes me Iranin, disa udhëheqës europianë kanë kërcënuar për kundërmasa, si kompensim ndaj sanksioneve amerikane. Kjo do t’ua vështirësonte më tepër Shteteve të Bashkuara, për të ushtruar presion të madh ekonomik ndaj Iranit.

Në fjalimin e tij, Pompeo pranoi se shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara do të vuajnë “vështirësi financiare dhe ekonomike”, për shkak të rivendosjes së sanksioneve.

Lista e kërkesave të zotit Pompeo prek çështje të një game të gjerë, reflektim i kritikave të administratës Trump për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Sipas zotit Pompeo, Irani duhet të heqë dorë “përgjithmonë dhe në mënyrë të verifikueshme” edhe nga aktiviteti për prodhimin e armëve bërthamore; duhet t’i lejojë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore “akses tek të gjitha objektet e vendit”; duhet t’i japë fund përhapjes së raketave balistike dhe duhet të lirojë të gjithë shtetasit amerikane, si dhe ata të partnerëve dhe aleatëve tanë,”- u shpreh zoti Pompeo.

Po ashtu, Sekretari i Shtetit kërkoi që Irani t’i japë fund mbështetjes së grupeve militante, si Hezbollahu në Liban, Hamasi palestinez, milicia huthi në Jemen dhe forcave talebane në Afganistan.

Irani nuk i është përgjigjur fjalimit të zotit Pompeo, por shumë analistë thonë se lista e kërsave amerikane zor se mund të pritet mirë, përderisa ato pasqyrojnë një ndryshim themelor të pozicionit të Iranit në rajon.

Të hënën, një zëdhënës i Pentagonit tha se SHBA do të marrin hapa për “trajtimin e ndikimit të keq të Iranit dhe veprimet e tij destabilizuese”, por nuk pranoi të komentonte për ndonjë veprim speficik.