POLITIKA SHQIPTARE NE ZI/ Ndërron jetë në një spital në Itali deputeti i Lezhës, Gjovalin Kadeli

Ka ndërruar jetë, pas një sëmundje të rëndë, në një spital në Itali deputeti i Lezhës, Gjovalin Kadeli. Ai vuante nga pankreasi akut. Kadeli ishte deputet i LSI dhe njihej për cilësitë e tij burrërore dhe punoi me pasion për votuesit e Lezhës, por jo vetëm të këtij rrethi. Deputeti Gjovalin Kadeli është ndarë nga jeta në moshën 53- vjeçare. Kadeli ka qenë për dy legjislatura deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë viteve 2009-2013, Kadeli ka qenë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Por ai nuk u përfshi në listat e PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013. Kadeli votoi pro ndryshimeve në qeverinë e Partisë Demokratike. Me pas Partia Demokratike e përfshiu atë në listat e saj të kandidatëve për deputetë nga ku ai zgjodh deputet i Partisë Demokratike. Mbas marrjes së mandatit të deputetit ai u largua nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe iu bashkëngjit Grupit Parlamentar të LSI-së. Redaksia e gazetës “Koha Jonë” i përcjell ngushëllimet familjes së tij për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur.

Kreu i Kuvendit

Ilir Meta: Kadeli do të mbetet përgjithmonë një mik i dashur dhe i shtrenjtë për të gjithë ne

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka ngushëlluar familjen e deputetit të LSI-së, Gjovalin Kadeli për ndarjen e parakohshme nga jeta të tij, në një spital në Romë.  Në mesazhin e tij, Meta thotë se kjo është një humbje e madhe për të gjithë,  familjen, miqtë dhe shokët dhe kolegët e tij deputetë. Mesazhi i kreut të Kuvendit, Ilir Meta: “Me pikëllim dhe trishtim të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të mikut, shokut dhe kolegut tonë të dashur Gjovalin Kadeli. Kjo ndarje e parakohshme dhe e padrejtë nga jeta e deputetit Gjovalin Kadeli është një dhimbje e madhe për të gjithë kolegët e tij të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo është një humbje e pazëvendësueshme për fëmijët e tij, për familjarët dhe të afërmit, për shokët e miqtë e tij të panumërt dhe për të gjithë përkrahësit e tij të përkushtuar në Lezhë, Kurbin, Mirditë e në gjithë Shqipërinë. Ndonëse nuk do të jetë më mes nesh, me shumë dashuri, mirënjohje dhe respekt miku e shoku i dashur Gjovalin do të mbetet në kujtesën tonë dhe në mendjen e të gjithë atyre të cilët ndanë me të jo vetëm humorin tij të çasteve të gëzuara, por edhe vëmendjen dhe përkushtimin e tij ndaj halleve e problemeve të jetës së njerëzve të thjeshtë. I përjetshëm qoftë kujtimi i mikut, shokut e kolegut tonë Gjovalin! U prehtë në paqe shpirti i tij!”,- shprehet Meta në mesazhin e tij.

MESAZHI

Presidenti shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të deputetit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të deputetit Gjovalin Kadeli. Mesazhi i Presidentit: “Të dashur fëmijë e familjarë të Gjovalinit, Me hidhërim të madh e dhimbje të thellë mësova lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të babait e të njeriut tuaj të shtrenjtë. Më lejoni që në këto momente të dhimbshme t’ju shpreh juve, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të sinqerta, në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, duke ju siguruar se në cilësinë e Kreut të Shtetit gjendem shpirtërisht pranë jush në këtë ditë tejet të vështirë! Me largimin e parakohshëm nga jeta të Gjovalinit, fëmijëve, të afërmve, bashkëqytetarëve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve dhe të tij të shumtë do t’i mungojë pamasë prania e tij, por edhe pjesëmarrja e kontributi në jetën parlamentare e politike të vendit tonë. Edhe njëherë ngushëllimet më të ndjera dhe Gjovalinit i pastë dritë shpirti përjetësisht! Bujar Nishani”,- shprehet kreu i shtetit në mesazhin e tij.

Kryeministri

Edi Rama:U prehsh në paqe Kadel!

Kreu i qeverisë, Edi Rama në mesazhin e ngushëllimit për deputetin Kadeli vlerëson karakterin e tij, pavarësisht dallgëve politike që kanë pasur të ty. “Miq, kundërshtarë, kolegë, po pavarësisht dallgëve në marrëdhëniet tona, Gjovalini ishte gjithnjë për mua njeriu i admirueshëm për ambicien e tij dhe faktin se nga hiçi, ai u bë me përpjekje e sakrifica të mëdha, një personalitet publik i Lezhës. Me keqardhje thellësisht të sinqertë, mora lajmin për vdekjen e tij dhe nuk gjej fjalë për të ngushëlluar fëmijët që pas nënës humbën edhe babanë…U prehsh në paqe Kadel!”- shprehet Kryeministri Edi Rama.

Mesazhet e dhimbshme të kolegëve dhe miqve në LSI

Vasili: Gjovalin, na theve zemrën!

Pas lajmit të keq të mbërritur në Tiranë, ka reaguar kryetari i LSI, Petrit Vasili dhe zv/kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, si dhe ministrat deputetët dhe miqtë e tij në këtë forcë politike. Me një mesazh në faqen e tij në Facebook, Petrit Vasili shkruan se ky ishte një lajm që ‘na thau zemrën’. “Lajmi për mikun e shtrenjtë Gjovalin na thau zemrën. E përcolla dhe buzëqeshja e tij përpara se të hipte në avion nuk mendoja kurrë se do te ishte e fundit. Do të kemi në mendje gjithë jetën miku ynë i dashur”, shkruan Vasili në Facebook. Zv/Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi shkruan në Facebook: “Ti ike nga ne, por ne nuk do të të harrojmë kurrë, sepse nuk mund të largohesh kështu. Ne nuk do të të harrojmë kurrë!”,- shkruan Kryemadhi në faqen e saj në Facebook. Ministri i LSI-së, Lefter Koka ndan me miqtë mesazhin ngushëllues për familjen e deputetit të LSI-së, i cili ishte i dyti në listë për një mandat tjetër në qarkun e Lezhës. Ndërsa deputetja e PS-së, Enkelejda Shkreli ndan një kujtim me ish kolegun e saj në parti, pikërisht një foto dhe një mbishkrim që Kadeli ia ka bërë gjatë kohës PS ka qenë në grevë urie.

“Lamtumirë Gjove, Lamtumirë mik i zemrës! Nuk kam fjalë të them sot! Ne të dy, nuk do jemi më krah më krah , ne të dy nuk do ulemi më shtruar në biseda të gjata, ne të dy nuk do qeshim më hareshëm si dikur! Dhimbje madhe për mua, dhimbje e madhe për të gjithë ne! Ike shpejt duke na lënë pas në dëshpërim e plagë të thellë, që as koha nuk do t’i shërojë dot. Fëmijët e tu do të jenë përherë krenarë, për babain e përkushtuar, njeriun e respektuar me kurajë dhe plot dinjitet! Mos rri me kokën pas, fëmijët e tu kanë ne, Gjove i dashur! E dhimbshme ikja jote e parakohshme, por Zoti të desh pranë! T’u prehtë shpirti në paqe, e na ruaj e beko nga atje lart! Lamtumirë i shtrenjti Mik! Nuk do të të harrojmë kurrë!”,- shprehet Lefter Koka. Ndërsa deputeti i Dibrës, Përparim Spahiu‏ teksa poston një foto nga seancat e Kuvendit me Kadelin shkruan: “Bëje gjithmonë foto, të gjithë miqve, bëje mirë pasi doje që kujtimet e bukura të ngeleshin! Lamtumirë miku im i mirë i “bankës”!”

Kreu i Zgjidhja

Koço Kokëdhima: Lamtumirë i dashur Gjovalin!

Kreu i Lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit Gjovalin Kadeli: “Lamtumirë i dashur Gjovalin! Gjovalin Kadeli nuk është më midis nesh. Për gati tri vite ishim kolegë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe në seancat plenare të Kuvendit. Ruaj respekt të veçantë nga njohja që pata me të. Një djalë që e kishte arritur gjithçka me forcat e veta dhe me shumë sakrifica. Ai do të mbetet i tillë në kujtesën time dhe të të gjithë atyre që janë të tronditur nga kjo humbje e rëndë dhe e parakohshme. Të qoftë i lehtë dheu, i dashur mik!”,- shprehet Kokëdhima në mesazhin e tij.