Poezi kushtuar dashurisë njerëzore dhe shpresës, në koherencë me realitetin e sotëm. Pesha e mendimit liriko-filozofik në poezinë e Hamdi Skejës

Poezi kushtuar dashurisë njerëzore dhe shpresës, në koherencë me realitetin e sotëm

Pesha e mendimit liriko-filozofik në poezinë e Hamdi Skejës

Halil RAMA

Kur poezia e një autori kalon ekspertizën e redaktorëve e të kritikëve të njohur, ajo padyshim zë vendin e merituar në historinë e letrave shqipe. Kështu ndodh me poetin Hamdi Skeja, i cili në tre vëllimet e botuara në harkun kohor të shtatë viteve të fundit ka patur redaktorë dhe recensentë, pena të njohura si Mentor Hoxha, Dr.Fejzulla Gjabri  dhe Pëllumb Gorica.

Nëse në vëllimin e parë “Ekstremume”, gjejmë sinonime të një shpirti të trazuar ku mund të veçojmë soditjen dhe mishërimin e autorit me ndjesinë, tek libri i tretë, “Nga drita e saj”, i sapobotuar evidentojmë  lehtë vijimin në stilistikën e librit të dytë “Flakërima shpirti”.

Poezia e tij është një mënyrë e veçantë e organizimit të ligjërimit, që na jep marrëdhënien vetjake estetike të individit ndaj mjedisit. Më evidente, kjo në vargjet e poezisë “Merri o det”: “…O det i paqes, o ulërimë pa zë!/ Sonte mëkatet e heshtuara/ Merri dhe fundosi se s’më duhen më/ Janë ca ndjenja që duhen të vdekura”.

Poeti Hamdi Skeja krijon universin e vet nëpërmjet procesit krijues. Mjafton për këtë tematika mjaftë e larmishme e vëllimit “Nga drita e saj”, ku ky univers shpaloset me peshën e rëndë të fjalës poetike që mbartin poezi të tilla si ato me titull: “Ajo, diellëza nën diellin e Prespës”, “Diej që zhuriten”, “Heshtjet dhembin”, “Në kufirin e heshtjes” etj. Kështu, në katër vargjet e poezisë së parë: “Ajo, gatuar diell me duar mirësie/ Me sy plotë shkëlqim, rreze e artë/ Hyjneshë plot nur e sharm bukurie/ Bukuri Prespe me shikim të zjarrtë”, lirika filozofike shquhet për shkallën e lartë të meditimit; ajo përgjithëson në mënyrë figurative. Po në këtë poezi, katër vargjet e strofës së fundit: “Bashkë u njohëm rastësisht, ashtu mrekulisht/ Aty ku linde ti, lindi edhe Sterjo Spase/ Liqeni me plot nektar dashurie, çuditërisht/  Kuptoj:-edhe ti, sa dashuri që paske”, nëpërmjet mendimit të figurshëm dhe ndjenjës së figurshme i krijohen lexuesit asociacione emocionale, kuptimore.

Më tej në vargjet e poezisë “Zemra rreh nga larg me mall”: “Tashmë zemrën ma mori, nuk pres t’ma rikthej/ Le ta mbajë për vete, t’i bëj dy zemra/ Në natën e errët kërkoj atë, po nuk e gjej/ Ajo vjen si zan mali vetëm në ëndrra”, konstatojmë pasqyrimin figurativ të ndjenjës, si veçori kryesore e artit të fjalës. Ndërkohë tek poezia “Rrëfim syve”: “Sonte do u rrëfehem syve të tu/ Se ty nuk kam ç’farë të të rrëfehem/ Ti, ah ti nuk kuptove që të du’/ Shikimit t’ëmbël do dëfrehem”, është shkalla më e lartë e ligjërimt lirik..është mendja e tij, që s’gjen prehje, bën kërkime…

Poezia e Hamdi Skejës është gjithashtu në koherencë me realitetin e sotëm. Përjetimet e tij shpalosen në poezinë “A ka më shpresë”, ku pasi konstaton se “Shpresa mes nesh ka një humnerë”, në një varg tjetër shprehet se “Shpresa është udhëtare e ëndërrimtarit”…

Këto veçori të poezisë së Hamdi Skejës evidentohen edhe në vlerësimet e disa personaliteteve të artit e letrave, të vendosura si ekstrakte në fund të librit “Nga drita e saj”, botim i “M&B”, një nga shtëpitë botuese më të suksesshme të dekadës së fundit.

Kështu, nëse Marjana Kondi e vlerëson poetin Skeja për faktin se ai, femrën e shikon si dritë e jetës dhe në tërësinë e tij këtë libër si vërtetësi e shkruar me një pasion dhe dashuri të lartë letërsie që i ka munguar penës shqiptare”, Sonila Meço shprehet se “206 km e ndajnë shpirtin e poetit nga ai i dashurisë që pluskon mbi një mrekulli natyre dhe ndërsa lexon poezitë të ngjan se çdo metaforë të mbërrin në secilën nga 206 kockat e trupit. Përkim hyjnor si çdo kod numerik, që çkyç misterin e asaj që ndodh kur një burrë dashuron me shpirt një grua”.  Për të arritur në këtë vlerësim, Sonilës i kanë mjaftuar qoftë dhe katër vargjet e poezisë “Ndjenjë gjeografike”: “Marr metrin të mat ndjenjën tonë / Gjeografisht del 206 km nga vendi im/ Sa afër, sa larg, sa herët, sa vonë/ Gjashtë orë ndodhesh larg shpirtit tim….”. (Poeti Skeja ka lindur në  Ploshtan të Kalasë së Dodës, rrëzë malit të Korabit, dhe nga aty e gjer në Prespë ka llogaritur gjeografikisht 206 km).

Në të njejtën linjë, edhe Xhoi Jakaj, e vlerëson  poezinë e Hamdi Skejës për një përdorim të gjerë figuracioni, ku ndër këto figura spikat metafora, e cila gjen një gërshetim, një shkrirje me vetë poezinë e tij.

Hamdi Skeja është një djalë i veçantë, dinamik, energjik, i drejtpërdrejtë, i ndjeshëm, patriot, i talentuar në fushën e tij, por mbi të gjitha një familjar shembullor. E kemi lexuar shpesh ne rrjete sociale, në intervista, radiofonike apo edhe ne studio te televizioneve te ndryshme, ku spikat mënyra e te thënit gjërave troç. Nje djalë që të lë pafjale, sepse vet fjala e Hamdiut, s’ka vend bosh per ta komentuar më gjerë.

DISA VLERËSIME  PËR  POEZINË E HAMDI SKEJES

Marjana Kondi :  Tempull lutjesh për çdo femër

“Libri “Nga Drita e saj” është një vëllim dëshmuese e poetit që femrën e shikon si dritë e jetës. Kjo vërtetësi e shkruar me një pasion dhe dashuri të lartë letërsie  i ka munguar Penës Shqiptare. Pavarësisht se i ri në moshë, poeti duket në vargje që ka ngjitur të gjitha shkallet e jetës me të gjitha ngjyrat e saj. Himnizimi i femrës në vargje në këtë vëllim është dhe do të mbetet një Tempull lutjesh për çdo femër” .

Sonila Meço:  206 km e ndajnë shpirtin e poetit nga ai i dashurisë

Dashuria do një pasionant gjuhe me shpirt të thellë për t’u shndërruar në një krijim ritmik të bukurisë së fjalës. Aq sa ti nuk di se ku nisin burimet natyrore e ku ato të ndjenjave të Hamdi Skejës, që në titull na thotë se vijnë “Nga Drita e saj”. Për poetin thonë se është një mashtrues, që thotë të vërtetën, por Hamdiu përgjatë librit, fjalë pas fjale, metaforë pas metafore është përjashtimi që vërteton “rregullin”. 206 km e ndajnë shpirtin e poetit nga ai i dashurisë që pluskon mbi një mrekulli natyre dhe ndërsa lexon poezitë të ngjan se çdo metaforë të mbërrin në secilën nga 206 kockat e trupit. Përkim hyjnor si çdo kod numerik, që çkyç misterin e asaj që ndodh kur një burrë dashuron me shpirt një grua.

Xhoi Jakaj: Hamdi Skeja është poeti rebel dhe shumëdimensional

Në poezinë e Hamdi Skejës kemi një përdorim të gjerë figuracioni, ndër këto figura spikat metaforën, e cila gjen një gërshetim, një shkrirje me vetë poezinë e tij. Natyrën e bparaqet si një puhizë femërore, duke i veshur asaj mantelin e dielltë për ta kthyer në një ëndërr të jetuar ndër rrjeshta.

H.Skeja është poeti rebel dhe shumëdimensional, i cili thur vargje joshëse e plot ndjenja të vërteta, femrës, diellit, të bukurës, liqenit, atdheut, dhimbjes, mallit e lotit. Dashuria për të nuk njeh distancë, jeta nuk njeh largësi, bota për të është 206km, dhe 6 orë, pra aq sa për të kuptuar se kur dashuron ka ndjenjë, nuk ka distancë, nuk ka kufij, por vetëm bota e ndërtuar pikërisht nga kjo ndjenjë.

Anxhela Peza: Lajtmotivi i poezisë së Skejës është femra

“Femra është diellëz është lule, tingull etj. Ajo nuk ka emër as vetë është ndjesi brenda poezisë. Koncepti mbi të është sa hyjnor aq galaktik, sa shpirtëror aq dhe shenjtorë.  Është bashkëkohore si poezi ka nota të stilit telegrafik”

Xhorxhina Deda:  Fjalë që shkojnë përtej kuptimit të tyre konvencional

“Poezitë e autorit aq solare do t’i vlerësoja si mishërim të poezisë së dashurisë. Ajo që godet fort në pjesë të poezisë është lartësimi i femrës mbështetur fort në dashurinë e pastër e të ngrohtë të një mashkulli. Në vargun aq bukur të stiluar gjej fjalë që shkojnë përtej kuptimit të tyre konvencional pasi ato përfaqësojnë një krijesë përtej çdo elementi të zakonshëm, përtej çdo aspekti normal, ato përfaqësojnë një krijesë hyjnore, “Femrën”.

Marta Male:  Drita e femrës është e pafundme

Me një titull të goditur, “Nga Drita e saj”, të bind në një formë unike se drita e femrës është e pafundme dhe nga ajo dritë mund të lindin gjëra të mëdha si poezitë e Hamdi Skejës. Një libër që i dedikohet tërësisht figurës së femrës dhe ngre në nivelin më të lartë të saj , në nivelin që meriton.