Poeti Zef Zorba, zbulimi i vlerave të mëdha pas vdekjes të kësaj pene të rëndësishme të lirikës

Nga përvoja e “hidhur” e zbulimit të vlerave të mirëfillta, të mëdhenjtë e letërsisë zbulohen pas vdekjes… Kështu po ndodh aktualisht edhe me poetin Zef Zorba, që po “trondit” lexuesin me poezinë “Buzë Të Ngrira Në Gaz”. Një libër ky, që nga pamja e parë, nuk të ndjell ndonjë dëshirë për ta shfletuar, për cilësinë e botimit shumë të dobët, dalë në qarkullim në vitin 1994 (një vit pas vdekjes së autorit). Megjithatë s’ka shumë rëndësi pamja e jashtme, se poezia e Zorbës është si gaca që të djeg në zjarrin e shuar… Dhe si duket kjo gacë ka “përzhitur”, “buzët” e holla të Stefan Çapalikut, që u impenjua seriozisht, duke dhënë “alarmin” se në poezinë moderne shqipe po vjen mjeshtri gjigand, me stilin estetik, derdhur nga “Kështjella” me elementë fenomenal të pakuptueshëm Zorbane. Por porta e kritikës në Shqipëri s’u hap… Dhe që nga vitit 1994, deri në 27 Tetor të vitit 2002, asnjë studiues kritik në qytetin universitar të Shkodrës, nuk u “zgjua” edhe pse në Shkodër janë marrë me dhjetra doktorata, për këtë fushë, por nuk e di se për çfarë shërbejnë? Pasi për Zef Zorbën, s’e luajti kush gishtin për të shkruar qoftë edhe dy rreshta në shtypin e shkruar, që për ditë i mbushin faqet me një poezi të rëndomtë.

Kurse për kritikët dallkaukë në Shqipëri as që bëhet fjalë, ta prishin rehatinë. Siç duket “balli” i mëndjes tyre është rrudhur aq shumë, duke u marrë me kritika të ripërsëritura me dhjetëra herë për të privilegjuarit e tyre dhe klaneve të caktuara artistike. Duke u ngjizur verbërisht edhe me antivlerat, pasi nga vlerat e mirfillta si të Zef Zorbës, “i largohen” të frikësuar nga ndonjë “atak” i mundshëm ndaj antivlerave që nxijnë faqet e antologjive që po na “dhurojnë” përditë si lule artificiale. Por kritika e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipëisë, si në Kosovë e Maqedoni thërrasin:

“Ku jeni o të uruar?

Shkrifni mirë trurin,

se vlerat duhen “gërmuar”!

Dhe u desh që në Shkodër të zhvillohet për të pestin vit Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, seminar ky, që u zhvillua parlelisht me “ditëlindjen” e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, që në mënyrë shumë akademike festoi 45-vjetorin “e lindjes”. Ku u shpërndanë dhe shumë dekorata.

 

Lirika e pastër e Zef Zorbës

  1. Zbulimi

Një poezi me titull “Një gozhdë” bashkë me disa poezi tjera të autorit Zef Zorba, të botuar në tekstin shkollor “Maja e çelur” të autorëve Gj. Zheji dhe Xhashka, ka zgjuar kurreshtjen time për këtë autor, të panjohur fare prej meje në fillim; ndërkaq antologjia e A. Aliut në të cilën vërehet, pos një hapësirë e gjerë e prezentimit, edhe një konsideratë për këtë autor, gjatë kohës s’më linte indolent që të dija më shumë për të dhe ky është hapi i dytë e njohjes së këtij autori. Në gjurmë të kësaj poezije që gjithnjë e më tepër më bëhej e veçantë në kuadrë të njohurive të mia për letërsinë bashkëkohore shqiptare, krejt rastësisht pata fatin ta kem në dorë librin e autorit me titull “Buzë të ngrira në gaz”, një libërth i vogël i këtij autori i botuar me përkujdesjen e Stefan Çapalikut. Ky libër më dha frymëzim ta realizoj projektin tim të mendur shumë vite më parë, të quajtur antologji e poezisë së pastër shqiptare, kjo më dha kurajo që t’i dal në krye atij projekti ashtu siç edhe e kisha paramenduar, duke gjetur një digë të fortë për përmbajtjen që patjetërsisht u stimulua pikërisht nga leximi me një frymë i poezisë së autorit tonë të cilin e kemi në gojë. Që këtu, pas leximit dhe rileximit të këtij vëllimi me poezi, pra librit “Buzë të ngrira në gaz”, marr guximin të them se edhe sot në epokën tonë mund të ndodhin “zbulime” të reja si ky, që një shkrimtar i ditëve tona të njihet, të botohet dhe lexohet vetëm pas vdekjes së tij. Me të vërtetë është paradoks që sot në epokën tonë, një vëllim poetik siky me vlera të pakontestueshme të botohet vetëm pas vdekjes së autorit, në ndërkohë që botuesit tanë botojnë e stërbotojnë vepra të shumta të dobëta, të cilat s’kanë as minimumin e domosdoshëm për nga vlera artistike, një gjë së është parakusht për një botim. Paradokset rreshtohen dhe shtohen kur e lexojmë këtë poezi dhe futemi në fatin tragjik të autorit dhe të kësaj poezie kaq të bukur: ajo me të vërtetë meriton të vlerësohet lart, d.m.th., dhe kjo presupozon një “mbathje” me të vërtetë të lartë të studiuesve të asaj poezie, sepse ajo me të vërtetë është e veçantë dhe na bën të besojmë se ligjërimi dhe thënia poetike që kultivon poeti ynë, kërkon analiza të gjithanshme të saj në kuadër të poezisë sonë bashkëkohore që është, sa kult i traditës së modernitetit të hershëm shqiptar, po kaq edhe zë i ri i veçantë i kohës sonë, që i rri pranë e pranë artit bashkëkohor përgjithësisht. Që këtu, gjithsesi nuk do të ngecim në gjurmimin tonë për t’i hyrë në thelb poetikës së këtij zëri. Paqartësitë që implikon fenomeni letrar i Zef Zorbës, i sqaron dhe determinon poezia e tij. Duke qenë në vazhdë të shkrimit shqip, duke qenë e arealit shkodran, ajo në të vërtetë pasqyron ambientin, florën dhe faunën e saj, me një veçanti se këtu, sheshit, për herë të parë në letrat shqipe, shohim një poet boem i cili me verbin e tij poetik na kthen kah kulti i të bukurës që synon majat, kurse në këtë më së miri na e përflet krijimi poetik “Raki dhe lirika”, një hartim i realizuar në nivelin artistik, kurse këtë e dëshmojnë – mimezisi, katarsa dhe qëllimshmëria e përgjithshme e thadruar pastër shqip. Marr guximin të them se kjo poezi bashkë me krijimet e tjera të librit, sidomos poezitë e titulluara sipas instrumenteve muzikore, e ngrisin autorin e poezisë së Z. Zorbës, megjithatë, ndihmon shumë fjala e tij e thënë në pasthënien e librit “Buzë të ngrira në gaz”, për “zbulimin” e tij si një artist i rrallë që pret të vlerësohet nga kritika dhe filologjia jonë, ndihmon koncepti i tij për artin i prezentuar në pasthënie, të shkruar prej tij, dhe kjo na orienton sidomos kah mbështetësit e tij teorikë. Për “zbulimin” dhe vlerësimin e drejtë të artit të tij, sa kaq, flasin vetë poezitë e tij. Ndërkaq, fakti se “cial poezi i takon rinisë së poetit, e cila periudhës së krijimtarisë së vet të mëvonëshme” (shih: S. Çapaliku – parathënie), flet natyra e kësaj poezie si poezi të cilën ai e quan – poezi hermetike. Kur jemi këtu, mendoj se botuesit shqiptarë ia kanë për borxh të nisin “zbulimin” e këtij krijuesi shumë të rëndësishëm të letërsisë së sotme shqiptare, d.m.th. të nisin ta botojnë tërësisht veprën e tij letrare, e me këtë, t’ia distribuojnë opinionit atë në mënyrë që kritika letrare ta bëjë punën e vet, ta vlerësojë profesionalisht atë, e me këtë vepra e tij ta bëjë jetën e saj normale si një “sekret” yni i pashpallur.

  1. Vendi i analizës

Mendoj se vendi i analizës së poezisë së Z. Zorbës, duhet kërkuar në paramentrat teorike që i ka parashikuar ai në pasthënien e librit të tij “Buzë të ngrira në gaz”. Me pak fjalë, ai flet për burimësinë e poezisë së tij, e cila e shquan artin e tij, kurse kjo është poezia hermetike (ose siç do ta quanin studjuesit – grimasa e shpirtit e një artisti), arti i “së brendshmes” (parafrazim konceptual personal i tij). Fjalët e tij të para, flasin për errësirën e poezive të veta, pastaj pë morfologjinë dhe prozodinë, për të përfunduar në çështjet e fenomenologjisë së artit, në përgjithësi. Poetët e adhuruar të autorit tonë, Ungareti, Quazimodo, Montale të cilët ai i përmend në pasthënie (por edhe në poezinë “Kur bie shi”), janë substrakti i poetikës së tij hermetike, që na bëjnë me dije për njohuritë e tij me të vëretë të sakta teorike për estetikën e poezisë. Është fare e qartë që një përkthyes i estetikës së B. Kroçes si dhe një përkthyes i poetëve të lartpërmendur bashkë me T. Eliotin, R. Frostin, Pirandelon, Uajllin, H. Gadamerin, patjetër duhet të jetë “mbathur” mirë teoretikisht me artin e fisnikëve, sepse poezia e tij hermetike krejt natyrshëm përafrohet me poezinë që krijohej dikur në Kosovë në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta, ndërkaq që analogji dhe paralelizma të poezisë së tij me poezinë e B. Bokoshit, T. Dervishit, M. Gashit, etj., mrekullisht bukur mund t’i hetojmë që në leximin e parë të tyre. Këto frekuentime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të poezisë së tij me poezinë bashkëkohore shqiptare përshkrihen dhe pak ndryshojnë në vokabularin e poezisë bashkëkohore evropiane dhe kjo na detyron të gjurmojmë për vendin e vërtetë të poezisë së tij në atë gji. Në pasthënie të librit, ndër të tjera, autori thotë: “do të dëshiroja të mos keqkuptohet admirmi që kam për poezinë moderne që nga Bodler te Montale, sidomos metoda e ‘esencialitetit’ ose e ‘hermetizmit’ diktuar prej tyre”, duke folur pastaj për natyrën e poezisë së tij, ai në fakt analogjikisht flet për poezinë e pastër dhe konceptin e saj teorik. “Rrugën e ‘esencialitetit’ ose të ‘hermetizmit’ e kam përqafuar” flet poeti më tutje duke shtuar pak më poshtë, ndërkaq “shpëtimin prej një gracke të tillë, ma ka dhënë analiza kritike e botës individuale, e rrethanave e kulturave të ekzistencës”. Për t’i përputhur me të vërtetë parimet e veta me ato të kreatorëve teorikë të poezisë së pastër, siç janë A. Breton, H. Bremond, h. Fridrih etj., Zef Zorba flet për ekzistencializmin e Shën Françeskut, për ironinë, autoironinë dhe sarakzmin e poezisë së tij, pastaj për lidhshmërinë e poezisë me muzikën (kredoja e poezisë së pastër), për “unjisimin muzikal” të poezisë së tij, duke përmendur fugat, fugotat, sonatat, tempot, kadencat etj. Vendi i analizës së poezisë së Z. Zorbës, prandaj duhet kërkuar në një laborator poetik herë të hapur e herë të mbyllur, të një ligjërimi autentik, kaq shumë të përkryer artistikisht sa që nganjëherë arrin kufirin e paprekshmërisë dhe të ekskluzivitetit, që d.m.th. kufirin ku formulimet teorike bëhet të paarritshme që t’i “prekin” hirozontet e falëve poetike që tingëllojnë para lexuesve të mësuar. Po marr për shembull, vetëm një ilustrim.

  1. Përpjekje për një analizë poezisë “Raki e lirika”

Për ilustrim po marr poezinë “Raki e lirika”, një krijim të pasqaruar teoretikisht se ç’është kjo – lirikë apo prozodi, diçka që mbase do të na sqaronte mjeshtërinë e shkrimit të këtij poeti që me të vërtetë di ta krijojë purolirikën. Shumë studjuesve (p.sh. Gj. Zhejit, A. Aliut etj.), u ka rënë në sy poezia “Një gozhdë” duke e vënë përballë të prezentimeve të tyre antologjike si në krijim të çuditshëm që përmes lojës së fjalëve arrin efekte të papritura artistike, të lezetshme për analiza e analogji, që lexuesin e shpiejnë në sferat me të vërtetë të goditura si një fllad lirik që vjen e shkon. Unë qëllimisht po marr për ilustrim një krijim tjetërfarë të këtij autori, një krijim poetik që qëndron i padefinuar teoretikisht mes lirikës së pastër, prozodisë dhe një shkrimi me referenca eseizmi, një krijim i një dehjeje dhe shprazjeje lirike, që d.m.th. në të tre rastet, një krijim letrar i pa definuar saktësisht ç’zhanër letrar është ai – poezi, prozë ose ese letrar. Nuk do të futem thellë të debatoj rreth këtij tabloidi letraresk që ofron teksti “Raki e lirika” për të mos na u dukur sprova jonë një aventurë, por do të them se edhe pas dhjetëra leximeve që mund t’i bëjë lexuesi këtij hartimi letrar, përherë do të mbetet një terren rrëshqitës të supozimeve tona për fjalë të kota. Mendoj se secili studiues do të gjejë arsyen të mbrojë një qëndrim çfarë do qoftë ai, duke filluar prej atij i cili do të shprehë se ky është një hartim i pastër lirik e deri te ai i cili do të jetë kundër, duke mbrojtur mendimin se një hartim lirik që nuk ka rimë të mirëfilltë, ritëm e metër por që ka sall rimë të bardhë në vend të tyre, nuk mund të jetë kurrëfarë hartimi poetik, pra, secili do të gjejë terren për të ngritur një tezë çfarë do qoftë, dhe realisht ashtu edhe do të jetë, por ç’bëjmë se ky krijim me të vërtetë i ka të gjitha elementet e atij krijimi që lexuesit i befason me “pshtjellimin” e atyre elementeve të cilët me të vërtetë janë të pranishme. Më e para gjë që duhet thënë, është se ky krijim me vete mbart një minisubjekt, një rrëfejzë të reduktuar me fjalë të zgjedhura poetike, një diçka që realisht mund ta ketë çdo hartim lirik. Një unë lirik (uni i paramenduer i poetit) dhe një ti e sugjeruar pranë tij (që në fakt është atuja e madhe artistike për mbarështrimin e kredos poetike), një ti, por e vogël, e pa dukshme karshi unit të madh të poetit, dalin në një kafene, aty ku ndodh i tërë makrokozmosi i unit lirik të poetit dhe luhet jeta në makroplan. Loja me kamerierën e cila nuk dallon formulimin dy raki dhe dy lirika të heroit lirik prandaj në tavolinë sjell katër raki dhe me këtë dëshmon se s’e kupton ironinë e poetit boem, që këtu loja nis të trashet – ndaj në tavolinë sillen njëqind gota (në të cilat bien njëqind yje – vegullia poetike), dhe kjo do kuptuar si një sferë me të vërtetë të pastër lirike të boemiadës, nyjes tematike të këtij krijim letrar, të cilin, ja, nuk po e determinojmë ç’zhanër letrar mund të jetë. Hartimi letrar rrjedh si rrëfim në prozë dhe në të përdoren disa referenca eseistike. Për ta parë natyrën e këtij teksti, le të shkëpusim një minfragment nga fillimi i hartimit:

“Por ne vrojtimin presim lart

ku rrezet e perëndimit përhudhen

akrobatike çati më çati;

rreze ato, të vetmet që ne kapim

pa cingërime t’ashpëra – frekuencat

tona mbi artin, estetikën, fjalën

e zorshme.”

Le të ndalemi tek fjala e fundit e këtij teksti: fjalë e zorshme. Pse fjalë e zorshme? A s’flet kjo – fjalë e zorshme – për një horizont të paqartë pakuptueshmërie, si fjalë që tingëllon vështirë dhe rëndë receptohet? A s’flet kjo, analogjikisht, për hermetizimin e përqafuar nga poeti? Vazhdojmë më tutje. E tërë tekstura e këtij krijimi, rrjedh me formulime gjuhësore që tingëllojnë me idioma lirike, prozotike dhe eseistike, që mbushullojnë atmosferën e këtij krijimi hemafrodit letrar – lirikë e pastër plus rrëfim plus ese, që të përfundojë me një mori pakuptimësish, siç është realisht vetë jeta me palidhshmëritë, pakuptimësitë, absurditetet dhe paradokset e saj, me një fjalë – boemiadë. Mbi të gjitha, me këto determinata tematike në këtë krijim – kredo poetikë e poetit, autori na shëtit në një sferë mes reales dhe imagjinares, prej të cilës fjala rrëfyese që flet në vetën e parë, rrallë e tek e përfill jashtësinë e tij, pos ti-së, herë si mbështetje morale e herë si stimul për itinerarin ëndërrimtar – esullor – boemiadë, na sjell në lojën plojë – dehje, gati deri në çmenduri, duke i yshtur edhe dy të huajt në atë “lojë” në atë kafene. E pra, në të përflitet ideali i dehjes, që në fakt është hiçi i ekzistencës, një hiç por jo si paqëllimshmëri absolute e ekzistencës njerëzore, një hiç por megjithatë shumë i bukur, një hiç-absurditet që zhvillohet më vete, herë si lojë fjalësh (shih për këtë, referencat, dialogët lirikë, shqiptuar në disa gjuhë të huaja nga aktantët – anglisht, frengjisht, italisht etj.), e herë si bizaret a sarkazëm i unit të poetit:

“Sa gota i ngrejtëm tok?

Kush i numëroi? Dolli e vargje na ngrenin

mbi re sikur me aerostat.

“Nga vini?-

I pyetëm. “Prej parnazit: breg polar,

ku natën del aurora boreale…

E piqen portokale”. –“Jo – qeshi ajo-

Nga shkreti e Saharës; si mirazh

Mund të duket, por gjendet përnjëmend:

Në mes të verës pellgu ngrinë akull;

Aty zhvillohen gara patinazhi

Çdo vit. Ç’ “teta”, sa spirale bëjnë

Mi akull, veç t’i shihnit – mrekulli!…”

Në një boemiadë në të cilën jeta luhet me fatalitet, bukuria (ekzistencialiste) është baraz me moralitetet të përmbysura, ndërkaq qëllimshmëria arrin shkallën e nihilizmit. Po të merret dhe të analizohet i tërë teksti i këtij hartimi letrar, do të nxjerrim një mori konkluzash dhe maksimash si pasojë ekzistencialiste e cila kushtimisht është filozofi e paradokseve. Ja një për ilustrim:

“…për tjera fjalë

nuk paskërka nevojë as ironia”

ose në vazhdim:

“e pse nuk dalim

prej këtij vorbulli?”

Dhe për fund:

“Nejse… Mbi tavolinën brune tonë

vendosi katër gota me raki…

Ti je i papërmbajtur, unë aspak: bërtita:

“Duam dy raki jo katër! dy raki…

e dy lirika…! – “Çfarë!?…” – shkrepi rrufe

e ra mes sheshit sa një obelisk,

pika çuditëse e saj… e tremiijë

zemra shtanguen në vend, e dyfish sy

terrin zhbiruan përmbi çatitë; kush pati

dorën në xhep, te goja shpejt e çoi

në britëm për me ndalue. Më në fund,

me zë si gramafon për sipër gryksës

laraska çakarriti: “S’kemi…”

Ajo për çka unë do të ngul këmbë në këtë trajtesë, është se ky hartim, megjithatë, është një lirikë e pastër (edhe pse është shkruar në trajtë proze), kurse këtë e dëshmon ritmi i brendshëm i matur mirë i heroit lirik, i shkrirë qindpërqind me autorin, “rrëfimi” prozaik – lirik njëkohësisht, i veshur me një mori përshkrimesh thjesht lirike, dhe sidomos, një pikanteri figurash, krahasimesh dhe metaforash të largëta, si dhe aluzionesh të nënkuptuara që piketojnë të keqen njerëzore në damar të absurditetit (një postulat teorik i purolirikës botërore, një bodlerizëm i kulluar). Kamarierja e cila s’di ç’është lirika dhe prandaj zemërimi i poetit me injorancën e saj, është arsyeja pse ai s’kursen noftak duke e quajtur atë, herë sorrë e herë laraskë, e një rast tjetër madje “pika çuditse”, një perifrazë e mrekullueshme e të keqes sinonimike, pastaj një gjuhë e kulluar lirike rrëfyese që pikas detajin deri në imtësirë, janë të gjitha këto që flasin edhe më shumë për natyrën e këtij krjimi artistik si pastër lirike.

E pra ky poet, kërkon studime… Shpresoj se një ditë do të “shkunden” nga dehja apatike, kritikët dhe studiuesit tanë, për të futur në programet universitare vlera të mirëfillta letrare, siç është dhe poeti, që meriton të quhet imadh pas vdekjes, Zef Zorba.

Përgatiti Fatime Kulli