Po të dija shkrim e këndim do t’i bija këmbanës në fshat

Në një fshat të thellë malor banorët jetonin kryesisht me blegtori, se toka ishte shumë e pakët dhe tepër e varfër. Kudo sundonte varfëria, dhe lufta për jetën, për mbijetesë ishte shumë e vështirë. Edhe blegtorinë nuk mund ta shtoje dot, se kullotat ishin të varfëra, mungonte uji, dhe dimri ishte i ashpër dhe shumë i zgjatur. Familja me gjendje më të mirë nuk kishte më shumë së njëqind dele dhe dhi së bashku.

Mungonte toka, uji, kullotat, pyjet. . dhe frutikultura, për rjedhojë mungonte jeta e gjallë dhe shumë rrallë shikoje fytyra të gëzuara dhe të qeshura. Në një familje gjendja ishte më e rendë dhe varfëria ishte ulur këmbëkryq. Prindërit me gjithë përpjekjet që bënin, nuk i ngopnin as më bukë pa le me ushqim fëmijet që kishin sjellë në jetë. Megjithëse ishte familja më e varfër në fshat, detyrimet ndaj kishës i jipnin me gjithë shpirt, dhe ishin më të rregullt nga disa të tjerë që ishin në gjendje më të mirë.

Besonin shumë të Zoti, dhe rronin me shpresë, se ditë më të mira do të vinin dhe për familjen e tyre tejet të varfër. Prindërit kur shkonin në kishë dhe faleshin, i luteshin Zotit dhe priftit qe t’i ndihmonin.

-Të lutem prift, fol më Zotin dhe ndihmoni djalin tim të madh, të gjej një punë dhe të sigurojë bukën e gojës!

-Do të flas unë, i thoshte prifti, mos u bëj merak!

Kështu rodhën ditët, muajt dhe vitet, me premtimet e priftit dhe asgjë nuk po realizohej. Një ditë babai i zemëruar dhe i zhgenjyer nga Zoti dhe prifti, u drejtua për në kishë.

Thonë se uria, varfëria dhe skamja, nuk kanë llogjikë, kur të mungojnë kushtet më minimale të jetës, truri nuk funksionon, zemërimi pushton gjithë qënien tende, dhe je i aftë të bësh çdo gjë të keqe. Rendi drejt kishës dhe hyri në oborrin e saj. Prifti e pa nga lart, lexoi mirë zemërimin e tij, dhe për t’i dalur së keqes përpara i foli:

-Sa mirë bëre që erdhe, se po bëhesha gati që të vija tek shtëpia juaj tani. Sot mora përgjigjen nga Zoti, dhe më tha merre djalin të punojë në kishë. Babai i hutuar ndaloi dhe ja ktheu:

– Me bënë veshët apo është e vërtetë ? Po ku do punojë djali im këtu në kishë?.

-Do t’i bjerë këmbanës në ditë feste dhe zie, ja ktheu prifti.

Babai i gëzuar, por dhe i penduar për zemërimin që e pushtoi, u përkul puthi dorën e priftit dhe falenderoi Zotin që mendoi dhe ndihmoi familjen e tij. Dhe kështu djali tashmë 14 vjeçar, të nesërmen vajti në kishë dhe filloi punën duke i rënë këmbanës, duke siguruar dhe ushqimin e ditës. Sa herë që kishte festë fetare, prifti i thoshte djalit që t’i binte këmbanës. Kjo punë zgjati rreth dy muaj dhe prifti humbi durimin dhe i tha djalit : Degjo këtu, ulu urdhëro lapsin dhe letren, dhe shkruaj ditët se kur do t’i biesh këmbanës.

-Po unë nuk di të shkruaj, dhe as të lexoj, i tha djali i ndrojtur dhe tërë frikë.

-Nuk di të shkruash!? Ik shporru, largohu tani nga kisha, nuk dua të të shoh këtu. Djali tërë frikë u largua nga kisha, po ku të shkonte!. ?Të shkonte tek shtëpia e dinte shumë mirë që vëllezërit dhe motrat nuk ngopeshin me bukë. Tashmë i mbushi 14 vjec, ishte në hapat e para të burrërisë dhe vendosi të largohej nga fshati, siç bënë shumë moshatarë për të provuar fatin e tyre. Eci një ditë të tërë me këmbë, në një rrugë të panjohur, dhe më në fund mbrriti në një qytet bregdetar. I ndrojtur dhe i pamësuar me jetën e qytetit, shikonte njerëzit, makinat, dyqanet, rrugët, shatërvanet, dritat, . . etj . Nata e parë dhe shumë të tjera që pasuan, e gjenin ta zinte gjumi në një kend të një lulishteje, i shtrirë mbi kartona dhe të uritur. Fillimisht ushqehej më çfarë gjente tek kazanet, sidomos ato që ishin afër restoranteve dhe picerive.

Bëri shumë përpjekje që të gjente punë, të fitonte disa para dhe të ndihmonte prindërit dhe vëllezërit e tij. Trokiti në dyert e shtëpive, bizneseve, restoranteve, në zyrat publike. Të gjitha portat i mbylleshin dhe i përplaseshin para syve, pa u hapur ende. Ndjente shikimet e ftohta të njerëzve, dhe kjo e shkatërronte me shumë se uria. Me kalimin e kohës, ata që e afruan ishin një grup të rinjsh, pak më të medhenj se ai . Ishin hajdutë profesionistë dhe kryesisht vidhnin shtëpi, biznese, dyqane, makina etj.

Në këtë moshë fare të re, i braktisur nga njerëzit, komuniteti, shteti dhe Zoti, nuk e kishte privilegjin që të zgjidhte alternativë më të mirë për të mbijetuar. E provoi shumë herë dhe asnjë nuk e ndihmoi. Shikonte moshatarët e tij që me çanta në shpinë shkonin në shkollë dhe i plaste shpirti. Pse jeta të jetë kaq e padrejtë? Fati i tij tashmë ishte vendosur dhe ishte në duart e hajdutëve profesionistë. Çdo pjestar i grupit në veçanti dhe në bashkepunim, merrnin detyra dhe mjerë ai që nuk i realizonte. Përveç dënimeve që ishin të natyrave të ndryshme, kishte dhe rrahje që nuk duroheshin kollaj . Lufta për egzistencë, brenda grupit dhe midis grupeve kriminale, e bënë të fortë, të ashpër, pa ndjesi, dhe të aftë për t’u përballur me çdo situatë.

Nga vjedhjet ordinere, të vogla, kaluan në vjedhje bankash, makinash lluksoze, rrëmbime biznesmenësh, shitje droge, kryesisht kokainë tek shtetet fqinjë, prostitucion, klandestinë etj

Kështu kaluan vitet dhe në moshën 35 vjeçare, tashmë i burrëruar plotësisht dhe më përvojë, më paratë që fitoi, vendosi që të hapë biznesin e tij . Të njëjtën gjë benë dhe shumë shokë nga grupi.

Biznesi falë drejtimit të tij dhe një stafi të përzgjedhur nga vetë ai, intelektualë të mirëfilltë, mbaruar në universitetet me të mira Europiane, ecte mirë dhe bile ishte shumë i sukseseshëm.

Një ditë prej ditësh, duke lidhur një marrëveshje biznesi në një shtet fqinj, i shoqëruar më një pjesë të stafit të tij, financieri një djalë intelektual me dy universitete dhe tre gjuhë të huaja, ja kishte ngulur sytë dhe nuk i shqiste prej tij. Në një moment, shikimet u kryqëzuan dhe pronari lexoi habinë e tij.

-Pse më shikon kështu, pse nuk m’i ndan sytë?-Të shikoj, i tha dhe pyes veten. Juve një njeri që nuk dini as shkrim as këndim, që nuk keni asnjë klasë shkollë. . , dhe shiko ku keni arritur. Kushedi ku do të ishit, dhe çfarë pasurie do të kishit, po të kishit dhe arsimim. .

 

Mos e vraj mendjen, i tha pronari. Po të dija shkrim dhe këndim, do të isha akoma në fshat duke i rënë këmbanës në kishë, për një copë bukë.

Mos vallë këtë fat kanë patur dhe kanë intelektualët në ketë rrugëtim mbi 25 vjeçar të Shqipërise “demokratike”!?.