Plasi sherri në Parlamentin shqiptar, opozita sulmon Kryeministrin Rama në foltore

Seanca e parlamentit u përfshi dje nga një sherr i madh mes kryeministri Edi Rama dhe ish-ministrit Flamur Noka. Më pas dolën dhe një pjesë e deputetëve të PD-së. Teksa këta të fundit, të tentuan të bllokojnë me forcë kryeministrin Rama, pasi ai i cilësoi si “një tufë” pa çoban. Ndërsa më parë, kryeministri kërkoi nga opozita të votojë reformën në drejtësi, pasi sipas tij, këtë e kërkojnë interesat e Shqipërisë, por edhe partnerët ndërkombëtarë. “Drafti është bërë nga të huajt, – theksoi kryeministri, – ndaj nuk ka asnjë gisht PS, LSI dhe as PD. Por ‘vendet e rezervuara’ as mos i mendoni se nuk ua japim”.

Më tej, duke folur për grupin parlamentar të PD-së kryeministri u tha se jeni “pa indentitet dhe si një tufë”. Në këtë moment, deputetët e PD-së bllokuan podiumin e Kuvendit dhe u desh ndërhyrja e Gardës së Republikës, ndërsa drejtuesja e seancës Valentina Leska mënjëherë ndërpreu seancën. Por më kryesorja e asaj çka tha kryeministri kishte të bënte me faktin se nuk lëshon më asnjë hap tek reforma për “vendet e rezervuara” në kupolën e drejtësisë. “Nuk ua japim”, tha Rama mëse i vendosur. Kjo në fakt e komplikon debatin politik, pasi PD-ja e ka si kusht ” vendet e rezervuara” për votimin e reformës. Më tej, pas ndërprerjes së seancës doli deputeti  Taulant Balla i cili tha se kjo ishte një skemë e selisë blu që të krijonin këtë situatë problematike për të bllokuar parlamentin e për të shkuar në bojkot. “Pra, nuk duan që të vijnë në sallë deputetët që të votojnë reformën. Më pas seanca rifilloi. Prapë me sherre. Edi Paloka kërkoi që të mblidhet Byroja për të dënuar kryeministrin Rama për fyerje ndaj deputetëve demokratë.

Ja se çfarë e deklaroi Rama që irritoi PD-në: 

”Pajisja e famshme nuk është asgjë tjetër vetëm një pajisje për trajnimin e forcave policore dhe që ka qenë nga sekonda e parë deri në sekondën e fundit në dorën e partnerëve. Nëse ju mendoni se Italia mike është përshfirë në një platformë të përbashkët përgjimi për t’i thotë çfarë i thotë Saliu Lulit,  çfarë i thotë Luli Saliut dhe si ankohet Jozefina Saliut dhe si qahen se pse ka ngelur partia në dorë të Lulit  atëherë i jepni shumë rëndësi vetes. Italia nuk ka nevojë tju përgjojë.  Është kaq evidente sa e do Jozefina, Lulin dhe sa të gatshëm do ishit për tja marrë shpirtin njëri-tjetrit  por kështu që keni ngelë një tufë e vogël s’keni çtë bëni. Tufë e vogël e gatshmë për të ngrënë njëritjetrin”.

Topalli: Rama e kaloi vijën e kuqe

“Kryeministri Rama e ka kaluar vijën e kuqe në lidhje me skandalin e përgjimit”. Kështu u shpreh dje ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli në fjalën e saj në foltoren e parlamentit. Duke shtuar se pezullimi i Çakos është një kokë turku, ku në brendësi fshihet ministri dhe kryeministri. “Ka 3 ditë që kryeministri dhe qeveria janë përfshirë në një nervozizëm që përkthehet dy ditë rresht në shpërthime të paimagjinueshme të tij për një nga skandalet me të mëdha. Skandali i përgjimit është i rëndë ndaj dhe reagimi i ministrisë  ishte një reagim frike dhe makthi. Hetimi po i kërcet në zyrën e vetë ministrit të Brendshëm. Askush nuk do të guxonte të sillte dhe të përdorte përgjuesin në dhunim të ligjit po të mos kishte urdhër nga lart. Këtë skandal të denoncuar nga opozita Rama është përpjekur për ta fshehur dhe për ta mbulur me reformën në drejtësi. Unë besoj se Rama e kaluar vijën e kuqe, kur kur kërcënoi opozitën dhe prokurorinë, por unë nuk besoj se i shpëton duke bërë avokatin e grilos. Ky skandal nuk është i thjeshtë. E vërteta është se nervozimi i djeshëm po rrritet dhe po shkon aty ku nuk mban. Në cilin vend të botës  mund të guxojë ministri i Brendshëm t’i thotë prokurorit se ti je froni i së keqes, apo t’i thotë kryeministrit se ti je killer me pagesë. Ku ndodh?

Kanë pezulluar drejtorin dhe po i afrohen ministrit dhe brenda është kryeministri. A mund të pranojmë ne që të quhet killer një gjykatës? Si nuk i the killer gjykatësit që liro Ndokën, Prengën”, akuzoi Topalli Ramën.

Balla: Sulmi i opozitës në Kuvend, me porosi të Bashës dhe Berishës

I pyetur nga gazetarët sesi e komenton zhvillimin e seancës së sotme plenare, deputeti socialist, Taulant Balla tha se Lulzim Basha dhe Sali Berisha u kishin lënë porosi disa deputetëve të PD-së që të sulmonin foltoren gjatë kohës që Rama fliste.

“PD kërkoi mbledhjen e byrosë me argumentin pse një deputeti iu tha epiteti tufë me lule”, tha Balla duke komentuar pezullimin e seancës së Kuvendit. “Pas shuplakës së rëndë të SHBA-ve ndaj opozitës, sot kemi të bëjmë me këtë sjellje. Plani i dytë i opozitës është që të bëjnë një kërkesë për përjashtimin e Ramës për thyerje të rregullores. Sigurisht që Byroja nuk do ta miratojë një kërkesë të tillë dhe PD do të bojkotojë Kuvendin në vijim”, tha gjithashtu Balla.

PD: Rama të përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi

 Partia Demokratike ka zyrtarizuar dje pasdite kërkesën për përjashtimin nga Kuvendi me 10 ditë të kryeministrit Rama.

Kërkesa është firmosur nga një grup deputetësh të PD-së dhe është depozituar në Byronë e Kuvendit. Ky vendim i opozitës është ndërmarrë pas tensionit të krijuar sot në Kuvend, ku kryeministri etiketoi si “tufë” deputetët e PD-së. “Thirrini mendjes dhe provoni që nuk jeni tufë lulesh por që jeni njerëz që keni barrën e madhe e peshën e jashtëzakonshme të reformës”, tha Rama në një moment nga foltorja e Kuvendit. Fill pas kësaj deputetët e PD-së rrethuan foltoren dhe nuk lejonin kryeministrin të vazhdonte fjalën.

 

 

KALENDARI

 

Drafti i Reformës hyn në kalendarin

e punimeve 3-javore të parlamentit

 

Drafti i Reformës në Drejtësi do të jetë në kalendarin e punimeve 3-javore të parlamentit. Konferenca e Kryetarëve e miratoi dje kalendarin, me draftin që kryeministri Rama tha se do ta çonte në parlament pas dështimit të negociatave me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Një ditë më parë ambasada amerikane e mbështeti vendimin e Ramës për ta çuar draftin në kuvend. Por mazhoranca nuk i ka votat e mjaftueshme për ta votuar atë dhe një dështim do të thotë shtyrje me të paktën 1 vit të reformës. Ndwrkaq, ambasada e SHBA dhe BE u kanë bërë thirrje deputetëve të mbajnë qëndrime individuale mbi reformën, ndërsa opozita ka paralajmëruar se në qoftë edhe sikur një deputet i saj të bëhet pjesë e “trafikimit” të votës dhe të votojë reformën, ajo do të djegë të gjitha mandatet e tjera, çka do ta fuste vendin në një krizë të thellë politike.