Piratimi i programeve kompjuterike, Shqipëria shkakton dëm 10 mln dollarë

Teksa 73 % e softuerëve (programeve) që instalohen në kompjuterë në Shqipëri janë të pa licencuar, çka do të thotë se përfitimi i tyre është bërë në formë pirate, sipas një studimi të zhvilluar nga BSA që njihet ndryshe si Aleanca e Programeve, kjo u ka shkaktuar kompanive një dëm prej 10 milionë dollarësh. Raporti merr si referencë të dhënat zyrtare të vitit 2015 ndërkohe që jep edhe detaje për vitin 2016. Në të dyja këto vite niveli i piratimit të programeve konsiderohet i njëjtë. I njëjti studim sjell në vëmendje shifrat për vitet 2013, 2011 dhe 2009 ku piratimi i programeve ka qenë më i lartë në nivelin 75 %. Ndërkohë që dëmi që u është shkaktuar kompanive që kanë të drejtën e programeve që përdoren është për vitin 2013 10 milionë dollarë, për vitin 2011 në 6 milionë dollarë dhe për vitin 2009 në 8 milionë dollarë. Bëjmë me dije se në hartën globale të piratimit të programeve Shqipëria përfshihet në një kategori me Malin e Zi dhe me një seri vendesh të tjera joeuropiane që kanë piraterinë në nivelin më të lartë prej plus 70%. Kurse vendet e tjera të rajonit duket se kanë një nivel më të ulët pasi të gjitha duke nisur nga Greqia, Maqedonia, Serbia, Bosnjë Hercegovina, Rumania, Bullgaria kanë një nivel që luhatet mes 56-69%. Ndërsa më të konsoliduar rregullimin për blerjen e të drejtave të programeve kompjuterikë e kanë vende të tilla si Franca, Belgjika, Holanda, Zvicra si dhe vendet Skandinave. Mesatarja e piratimit në Bashkimin Europian është në kuotat e 29% dhe vlera monetare që rezulton si dëm ndaj kompanive është 11.1 miliardë dollarë të paktën nëse i referohemi shifrave zyrtare të vitit 2015 dhe 2016. Të gjitha këto programe sigurohen përmes sulmeve kiberantike të cilat kanë pësuar rritje nga viti në vit. Çdo shtatë minuta kryhet një sulm në rrjetet e këtyre organizatave çka tregon edhe për dëmin që ju shkaktohet atyre nga këto sulme. Studimi Global i Programeve është një dokument që analizon të dhënat e marra nga disa burime si me synimin e nxjerrjes së tendencave që shoqëron këtë sektor por edhe rritje të ndërgjegjë- simit të të gjitha aktorëve.