“Autostrada” detare, trafikantët hodhën në det 2.6 ton drogë
Hapësira detare mes Shqipërisë dhe Italisë, nga mediat italiane konsiderohet prej kohësh si “autostrada detare e drogës”. Mbrëmjen e së premtes, një tjetër gomone e cila po transportonte drogë u kap në det, gjatë një operacioni të përbashkët antidrogë nga policia Shqiptare, Italiane e Malit të Zi, si dhe me mbështetjen ajrore të Frontex. Por vetëm ditën e djeshme u zbulua sasia e saktë e drogës e cila “mbushi detin”. Rreth 2.6 tonë kanabis ka rezultuar pas peshimit, ngarkesa e radhës që kaloi përmes detit drejt Italisë, por që nuk mundi të mbërrinte në destinacion. Italia është destinacion i gomoneve që tentojnë të transportojnë tonelata me kanabis, ku vetëm muajt e fundit nga aksionet e përbashkëta të policisë Itali-Shqipëri, janë kapur mbi 10 të tilla. Jo pak herë shteti Italian ka reaguar mbi këtë çështje e cila ende nuk ka gjetur zgjidhje nga autoritet shqiptare.
Aksioni
Mediat italiane raportuan gjerësisht mbi ngarkesën e kanabisit që u sekuestrua mbrëmjen e së premtes në afërsi të Manfredonias. Në shkrim thuhet se sasia e madhe e cila u kap gjatë një operacioni që zgjati mbi 5 orë, çoi në ndalimin e skafit brenda të cilit ishin edhe dy trafikantë shqiptarë. Në aksion e gjerë u angazhuan tre shtete: Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi që u mbështetët nga avioni “Frontex”. Por si ranë në gjurmët e gomones forcat policore? Fillimisht gomonia u konstatua nga rojet bregdetare të Malit të Zi, dhe pas alarmit ndjekja vijoi në ujërat e Detit Adriatik. Duke ndjerë rrezikun dhe përndjekjen nga policia, trafikantët janë detyruar që të hedhin në det ngarkesën. Edhe pse ky veprim nuk përmbushi planin e trafikantëve për tu arratisur, pasi ata ranë në pranga nga Guardia di Finanza e Termolit dhe ajo e Barit. Autoritet italiane, raportojnë se u dëshëm 12 orë punë për të mbledhur 2.6 ton kanabis të hedhur në det e që më pas ju dorëzua autoriteteve përkatëse.
Përgjimet
Nga të dhënat e policisë së vendit fqinj, thuhet se sasia e madhe e drogës e cila do të vinte në brigjet Italiane u zbulua pas një serie përgjimesh të bëra muaj më parë. Gjithçka nisi më 11 janar të këtij viti, kur një i ri nga Vlora, Besmir Hameti së bashku me të arrestuarin tjetër italian, Domeniko Pascariello tentuan të kalonin në brigjet e Brindisit 1.9 ton hashash. Prova që ka në dorë policia e që i ka tradhtuar ata, është një letër. Hetuesit italianë, i kanë gjetur dy të arrestuarve të ngarkesës 2.6 tonëshe një letër në të cilin ishin shënuar emrat dhe kontakte mes të cilave dhe të Hametit e Pascariellos. Hetimi për të zbuluar rrjetin, i cili dyshohet se bëhet me porosi nga burgjet italiane vijon, ndërsa të akuzuarit kanë mohuar çdo përfshirje në grupin kriminal.