PERVJETORI I NJE NGJARJE TE MADHE/ Sot 18 vjet nga hyrja triumfatore e forcave të NATO-s në Kosovë

Sot 18 vjet nga hyrja e NATO-s në Kosovë. Mirënjohje dhe përshpirtje në këtë ditë kujtese për të gjithë ata që e vaditën me gjak ëndrrën e lirisë, dalëzotësit e këtij populli martir. Bota edhe sot pas 18 vjetësh vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve kosovarë që u uronin mirëseardhje ushtarëve të KFOR-it. Me lot gëzimi në sy, me brohoritma “NATO, NATO”… I konsideronin shpëtimtarë të tyre.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe. Që atëherë, kjo datë kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb. Fillimisht numëronin 50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve aleate. Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Hyrjes së tij i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Si pasojë e saj, mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës.