PERVJETORI I 140 i KETIJ AKTI/ “Lidhja e Prizrenit”, 10 Qershori 1878 ku shqiptarët shënuan një kthesë kyçe në historinë e Rilindjes Kombëtare

Pas epokës së lavdishme të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit, “Lidhja e Prizrenit”, shënoi ngjarjen më të re, mbasi sikurse Besëlidhja e Skënderbeut e 1444 edhe Lidhja e Prizrenit mbarti vlera të rëndësishme në vendlindje e diasporë.

Për një kohë të gjatë në Kosovë  e Shqipëri, mbi Lidhjen e Prizrenit 1878 deri në vitin 1990, është shkruar në mënyrë të njëanshme nga historiografia  komuniste që ngjarjet e përsonalitetet i ka parë me syrin ideologjik, se sa duke u mbështetur burimeve historike. Ata, për një kohë të gjatë hodhën baltë e deformuan kontributin e nacionalistëve, të cilët asnjëherë nuk ishin dakord për ricopëtimin pas vitit 1946 të Kosovës nga shteti amë. Pikërisht, për të çuar në vend amanetin e “Lidhjes së Prizrenit” nacionalistët e përkushtuar çështjes së atdheut themeluan Lidhjen II e III të Prizrenit, duke zbatuar me përpikëmëri vendimet historike.

Çdo popull, ka historinë e vet në aspektin e zhvillimit të ngjarjeve, që përbëjnë palcën etnike të nacionalizimit, me të cilën populli mbijetoi ndër shekuj. Ngjarjet që pasuan Lidhjen e Prizrenit, si kryengritjet çlirimtare ndaj Portës së Lartë turke 1910 në Kosovë dhe kryengritja e 6 prillit 1911 e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në qytetin historik të Vlorës nga Ismail Bej Qemali, e kanë burimin tek pararendësia historike “Lidhja e Prizrenit” 1878.

Nga burimet historike, mësojmë se shek.XIX, është shekulli i formimit të nacionaliteteve e rizgjimit të levizjeve nacionale. Në këtë rrjedhë historike hyri natyrshëm populli ynë, duke qenë i ngjashëm me disa elementë të rrugës së formit të popujve të gadishullit të Ballkanit, ku afërsia e marrëdhniet midis tyre kanë ndikuar në formimin e fizionomisë së popujve. Si element i dorës së parë, në formimin e nacionalizimit çlirimtar shqiptar, mendojmë se ka ndikuar trashigimia e traditës së pasur patriotike shqiptare, që zënë fill me udhëheqësit popullorë Batot ilirë, për të ardhur natyrshëm tek epoka e madhe çlirimtare e Gjergj Kastriotit. Lidhja, me shumë meritë udhëhoqi lëvizjen nacionale e luftën për autonomi në vitet 1878-1881.

Në mënyrë të vijueshme, si kërkesë themelore ishte vendosja e autonimisë nacionale në të gjitha viset etnike shqiptare. E rëndësishme për popullsinë ishte, organizimi i sa më shumë lëvizjeve çliruese të armatosura nën flamurin shqiptar. Hov e ndihmë direkte dha Lidhja, duke influencuar në krijimin, përhapjen e zhvillimin e fjalës së shkruar shqipe, përmes gjallërimit të shoqërive kulturore e patriotike, letrare, etj. Prizreni e Vlora, janë binjake të një ideali të përbashkët atdhetar, ku e dyta s’mund të kuptohet pa të parën, sikurse “Lidhja e Prizrenit”, nuk mund të kuptohet pa epokën e lavdishme skënderbiane. Këto revolta çlirimtare antiturke, të organizuara apo spontane, dobësuan shumë pushtetin osman e hapën rrugën e tjetërsimit, për t’u tërhequr më pas në strofkllën e vet të Bosforit.

Lidhja, ishte rrjedhim i zhvillimit të natyrshëm të komunitetit shqiptar në trojet e veta e jashtë saj. Ajo u krijua në rrethana e ngjarje të caktuara historike. Mbi të gjitha, triumfoi argumenti historik, se populli shqiptar, në bazë të bashkësisë territoriale, gjuhësore, historike, traditës etj., ishte formuar si një komb dhe për pasojë kërkonte autonominë e natyrshme, një e drejtë që shtetet e tjera të botës e kishin arritur në kohë e rrethana të ndryshme. Por kjo lëvizje, ishte gjithpërfshirëse. Pjesëmarrësit e aktivistët e tjerë, formuan me urgjencë degët e “Lidhjes së Prizrenit”, duke u hedhur në veprime konkrete për çështjen amtare, në një luftë të gjatë pa kompromis, për realizimin e platformës politike. Të rëndësishme janë selitë patriotike në: Prizren, Gjakovë, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Janinë etj. Ata kanë ushtruar funksione administrative, pushtetin ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor, ushtarak, etj., duke krijuar një “shtet brenda shtetit”.

Turqit u munduan asokohe të shpërndanin “Lidhjen e Prizrenit”, mbasi ajo nuk ishte dakord, të zbatoheshin vendimet që kishin të bënin me dorëzimin e Kalasë së Plavës e Gucisë shtetit të Malit të Zi. Ajo, gjithnjë kundërshtonte vendimet e Kongresit të Berlinit dhe asnjëherë nuk zbatonte urdhërat e Portës së Lartë. Ajo, kishte pushtet të plotëfuqishëm në shumë vise shqiptare, gjë që nuk i shkonte për shtat pushtuesve shekullorë turq.

Ndërmjet forcave kryengritëse të Lidhjes së Prizrenit e ushtrisë turke u zhvilluan luftra të përgjakshme më 3-6 shtator 1878, ku të dy palët patën humbje të mëdha. Kryengritësit, pasi futën në dorë pikat kyçe të qytetit, vranë Mehmet Ali pashën, bënë demostrata në rrugët e qytetit. Kjo ngjarje tronditi themelet e Perandorisë turke dhe jehoi në tërë Evropën. Ajo ishte një goditje e fortë ndaj Fuqive të Mëdha të kohës, vendimet e të cilave nuk zbatoheshin, për shkak të qendresës shqiptare. Fjala e sulltanit asnjëherë qysh nga ajo ditë nuk u dëgjua, duke thelluar në këtë mënyrë armiqësinë shekullore midis pushtuesve turq e popullit martir shqiptar.

Ngjarjet historike precipitonin me shpejtësi. Turqia u detyrua të dërgoi përfaqësuesin e saj të ri, mushirin Muktar Pasha, të cilin Lidhja menjëherë e kërcenoi se do ta vrasë, sikurse Mehmet Ali pashën. Ky veprim patriotik, bëri që Turqia të tërhiqej në dërgimin e përfaqësuesit të saj, që kishte mision të ndermerrte ekspedita ndeshkuese. Kësisoj problemi i vendimeve të Kongresit të Berlinit u komplikua aq shumë, saqë diplomacia evropiane u detyrua të rikthehej te një çështje të mbyllur. Nga ana e tjetër, propozimi i Rusisë që Mali i Zi të zgjerohej në drejtim të Sanxhakut të Novi Pazarit ose të Hercegovinës, hasi në kundështimin e vendosur të Austro-Hungarisë, e cila e konsideronte këtë krahinë si zonë të vetëm të interesit.

Lidhja,  ishte në aktivitet, duke angazhuar forcat e veta në Jug të vendit, në kufi me Greqinë. Kongresi i Berlinit nuk mori asnjë vendim të prerë, përsa u përket ndryshimeve territoriale në favor të Greqisë. Përkatësisht Kongresi ftonte Portën e Lartë që të merrej vesh me Greqinë për një rishqyrtim të kufijve në Thesali e Epir dhe si vijë të re kufitare rekomandonte vijën e lumenjve Kalamas-Selemvria, që përfshinte në Greqi pjesën e brendshme të Çamërisë e Janinës, qendër e vilajetit të Jugut. Lidhja u dha për të kuptuar Turqisë e Fuqive të Mëdha, se krahinat shqiptare nuk ishin “një shprehje gjeografike”. Çështja e autonomisë, si kërkesë e rilindësve tanë, është konsoliduar përmes programeve, memorandumeve të ndryshme.

Historiografia komuniste në Shqipëri e Kosovë, përmes Akademive e historianëve respektivë, shprehen, se gjoja “në udhëheqjen e Lëvizjes Nacionale Shqiptare ekzistonte një farë dualiteti”, duke i parë me syrin komunist borgjezët e çifligarët. Po sipas tyre, ky dualitet “ishte rezultat i dobësisë së borgjesisë shqiptare, e cila nuk ia doli të siguronte hegjemoninë e kësaj lëvizjeje”. Me këtë “argument” komunistët, kërkonte që t’ia linte rolin kryesor “proletarëv komunistë”, që nuk dukeshin askund me dylbi, duke mohuar  rolin vendimtar që kanë luajtur të gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare asokohe. Ata kërkonin që t’i jepnin lëvizjes karakterin e lëvizjeve rebele të turkoshakut Haxhi Qamilit, për të cilin shkruar libra me përralla. Me këtë “zbulim”, kërkonin të arsyetonin, se “vija marksiste ka qenë ajo që e ka udhëhequr Lidhjen e Prizrenit”.

Dihet se kërkesat për gjuhë, shkollën dhe shkrimin shqip, janë bërë në radhë të parë nga intelektualët e formuar të Rilindjes Nacionale, që kishin studiuar në Universitet më prestigjioze të vendeve “borgjeze” dhe jo në shkollat marksiste.

Lidhja u priu shqiptarëve në luftë për marrjen e pushtetit e fitimin e autonomisë. Shqiptarët morën pushtetin në shumë qytete, si: Gjakovë, Prizren, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë e Vuçiternë. Dega e Lidhjes me qendër në Shkodër, më 17 prill 1880, proklamoi autonominë e vendeve ku jetonin shqiptarët e vendosi pushtetin e saj. Kjo lëvizje u përhap në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, duke u përpjekur të bindë sulltanin, ta njohë autonominë shqiptare, të vendosur në kundështim me dëshirën e tij. Më 23 korrik 1880, në Gjirokastër u mbajt mbledhja e Lidhjes së Prizrenit, për të gjetur rrugën e përbashkët për autonomi e vendime të tjera të rëndësishme. Më 20 tetor 1880, mbledhja kulmoi në Dibër, ku me rezolutës u kërkua autonomi të plotë në viset e banuara shqiptare, krijimin e këshillave me përfaqësues të popullit dhe organizimin e ushtrisë nacionale shqiptare. Në vitin 1880, u bë riorganizimi i Lidhjes, duke përfshirë Komitetin Qendror, zgjeruar rrethin e bashkëpunimit dhe këshilli e shpalli veten Qeveri e Përkohshme, e cila do të drejtonte luftën për ruajtjen e autonomisë e fitimin e pavarësisë së plotë.

Komunistët, përmes përfaqësusve të saj të zellshëm, u përpoq që të ngrinte në piedestal enciklopeditë e Beogradit më 1970, se gjoja e paska trajtuar shumë mirë këtë histori, kur dihet roli negativ që ka luajtur ulkonja Rusi, për të favorizuar me votë Serbinë, Malin e Zi e Greqinë. Dhe për çudi këto “konkluzione” e “vlerësime të drejta” të shkollës komuniste i boton si “arritje të larta shkencore” Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, përmes librit: “Konferenca shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” (Referate dhe kumtesa të mbajtura në Seksionin e Historisë Prishtinë 6-9 qershor 1978, Pjesa I, Botuar në Prishtinë, 1981), që citon enciklopedinë “Vojdna Enciklopedija”, botuar në Beograd më 1970. Kjo Akademi, që asnjëherë nuk i mbroi, interesat shqiptare shkruan: “Nga të huajt, për qëndrimin të drejtë ndaj Lëvizjës Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, shquhet edhe historianja e Bashkimit Sovjetik, I.G.Senekeviç. Historiografia borgjeze shqiptare, me përfaqësues kryesorë Xhafer Belegun, Mehdi Frashërin dhe Kristo Dakën, i kontribuoi vetëm grumbullimit të fakteve historike. Ajo karakterizohet me faktin se nuk e pa dhe nuk ishte në gjendje ta shihte lidhjen e pandarë midis Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe formimit të kombit shqiptar dhe nuk e lidhë atë me bazën shoqërore-ekonomike. Ajo e trajtoi Rilindjen Kombëtare në prizmin idealist, nacionalist dhe shovinist” (Shih fq.27).