Përmbushja e misionit për shkatërrimin e Shtetit Islamik, Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëron tërheqjen e pjesshme të trupave nga Siria

Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi të hënën fillimin e tërheqjes së forcave ruse nga Siria, duke thënë se pas një fushate ushtarake dy vjeçare. Moska dhe Damasku përmbushën misionin për shkatërrimin e Shtetit Islamik.

Ai e bëri publik vendimin e tij gjatë një vizite të paparalajmëruar në bazën ajrore ruse Hmeymim në provincën Latakia, ku ai zhvilloi një takim me presidentin sirian Bashar al-Assad dhe u foli trupave ushtarake ruse.

Rusia filloi së pari sulmet ajrore në Siri në shtator të vitit 2015 në ndërhyrjen më të madhe në Lindjen e Mesme në disa dekada, duke ndërruar rrjedhën e konfliktit në të mirë të Assadit dhe duke rritur në mënyrë dramatike ndikimin e Moskës në Lindjen e Mesme.

Presidenti Putin të hënën urdhëroi fillimin e kthimit të forcave ruse në bazat e përhershme në Rusi, thuhet në faqen e internetit të Kremlinit.

“Detyra e luftimit të banditëve të armatosur këtu në Siri, një detyrë që ishte e domosdoshme të përmbushej me përdorimin e gjerë të forcës së armatosur, në pjesën më të madhe, është zgjidhur dhe atë në mënyrë spektakolare”, tha ai në një fjalim të transmetuar në televizionin rus.

“Unë ju përgëzoj!”, u tha ai ushtarëve rusë të mbledhur në bazën e tyre.

Ai citohet të ketë thënë po ashtu se Rusia do të mbajë bazën ajrore në Hmeymim të Latakias si dhe atë detare në portin sirian të Tartousit.

Presidenti rus qëndroi në Siri para së të shkonte ne Egjipt ku po takohet me presidentin egjiptian për të diskutuar zgjerimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, tregtare dhe të në fushën e energjisë. VOA