Përgjimet, politika bën “kokë turku” Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako

Pajisja e policisë italiane, në arrest shtëpie drejtori i forcave operacionale dhe një vartës i tij. Prokuroria”dyshime për aktivitet të kundërligjshëm përgjimi

Gjykata e Tiranës vendosi sot , pas kërkesës së prokurorisë, që të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Haki Çako, dhe të japë masën e “arrestit në shtëpi” për Drejtorin e Forcave Operacionale Artion Duka dhe specialistin e kësaj drejtorie Entiol Xhelilaj. Vendimi erdhi si pjesë e hetimeve që Prokuroria ka nisur lidhur me një pajisje të ardhur në Shqipëri në muajin mars, nga misioni italian dhe zyra e saj e Ndërlidhjes në Tiranë, në kuadër të trajnimeve të policisë shqiptare. Drejtori Çako dyshohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa dy funksionarët e tjerë Duka dhe Xhelilaj për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Sipas Prokurorisë “në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshohet se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi”. Prokuroria shpjegon se po vijon “hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë”.

Drejtori Çako, sipas hetimit, rezulton se “nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e pajisjes, “IMSI Catcher””, të sjellë nga autoritetet italiane. “Kjo pajisje – saktëson prokuroria – ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin”. Nga ana e tij drejtori Çako ka mohuar që pajisja të jetë përdorur për përgjime të paligjshme.

Më e komplikuar duket situate për dy zyrtarët e tjerë të policisë dhe veçanërisht për specialistin Xhelilaj, i cili dyshohet që të ketë lëvizur me automjetin ku ishte instaluar pajisja, pak pasi prokurorët kanë shkuar për sekuestrimin e saj, si dhe të ketë lëvizur të patën dhe një herë tjetër me mjetin jashtë ambienteve ku kryhej trajnimi.