Përgjimet e Habilajve, kreu demokrat Basha: Edi Rama e shiti Saimir Tahirin, për të shpëtuar lëkurën e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se provat e hetimit tregojnë se narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës. Në një konferencë për mediat pasditen e djeshme ai deklaroi se 1400 herë Partia Demokratike e ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhje me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. Basha tha se Edi Rama burgosi dhe sulmoi oficerin e antidrogës Dritan Zagani, kur ai denoncoi me emra, lidhjet e Saimir Tahirit me të Habilajve. “Provat e hetimit tregojnë se narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën e Edi Ramës. 1400 herë Rama ka mbrojtur Tahirin. Rama burgosi Dritan Zaganin dhe mbrojti Tahirin. Rama e ka quajtur Tahirin bashkëpunëtorin më të ngushtë dhe ministrin më të suksesshëm. Sot Edi Rama shiti Saimir Tahirin. Tahiri ka qenë ndërmjetësi i Ramës me Shullazin dhe me Habilajn. Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Ramës. Gjithçka është bërë në dijeni të Ramës, në dosjet e Habilajt”, tha Basha. Ai shtoi se Tahiri ka qenë ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt e Shullazët. Basha paralajmëroi se fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Ramës, duke nënvizuar se gjithçka është bërë me bekimin e Edi Ramës, për të cilin tha se është përfituesi kryesor i parave. Ai deklaroi se me Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do vazhdojë të jetë karteli i krimit të organizuar dhe drogës.  Kryedemokrati bëri me dije se ditën e sotme Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar. “Sot (dje) Edi Rama e shiti Sajmir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij. Sepse, Tahiri ka qënë as me pak as më shumë se ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt, Shullazin dhe banda të tjera mafioze në vend. E vërteta është se Tahiri nuk është as më shumë as më pak se një nga peshqit e mëdhenj, anëtarët e sukseshëm të organizatës kriminalo-politike. Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Edi Ramës. Gjithçka është bërë me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës, që është përfituesi kryesor i parave të drogës së Habilajve. Vetë kriminelët pohojnë në përgjimet e antimafias se për të fituar zgjedhjet janë përdorur miliona euro. Para shqiptarëve, sot, janë provat që tregojnë skemën sesi Edi Rama ka blerë zgjedhjet. Këto janë faktet tronditëse para shqiptarëve dhe mbarë botës. Këto janë provat që tregojnë edhe skemën se si Edi Rama ka blerë votën dhe ka dhunuar zgjedhjet. Për çdo shqiptar është e qartë se me Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit dhe drogës në Shqipëri. Nesër (sot) Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar. Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha. ​ Po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën, po troket ora e ballafaqimeve të mëdha”, tha Basha.