Përçudnimi i historisë dhe figura e Lef Nosit

Rrallë ndodh që historia e një vendi të rishikohet, që breza të tërë shqiptarësh që provuan sadopak diktaturën e lindën më pas, kur ajo u shemb, mësuan një histori të cunguar, të ndryshuar apo të interpretuar ad libitum, sipas porosive e ngjyrimeve, të veshur me petkun e kuq të një historie me dëme të pariparueshme.Një pjesë e fotove, dosierëve, kujtimeve, u ekspozua gjatë, ndërsa njerëzit retushoheshin njëri pas tjetrit. Kjo ishte lista e armiqve për të cilën u fol, u shkrua e vazhdon të diskutohet edhe sot në këtë tranzicion të pafund.

Përtej saj, një tjetër listë, ndonëse edhe kjo me shqiptarë, madje me figura të rëndësishme, duket se nuk u shkrua kurrë. Emrat e figurave historike u fshinë prej saj, gati humbën dhe në tërë këto vite të heshtura, thuajse u belbëzuan, ndonëse diktatura tashmë ish shembur, ndonëse vepra e kontributi i përkiste një epoke të rëndësishme të historisë së një kombi, ngjarjeve madhore të historisë së një populli, evenimenteve të historisë Shqiptare, histori e cila fillon shumë më parë se viti 1944 e vazhdon më tej se 1991, deri sot. E për këtë pjesë historie, historianët duket se kanë qenë dorështrënguar. Më saktë kanë qenë falsifikatorë, po dhe atëherë kur kohët ndryshuan, të pafuqishëm e jo të drejtë për të thënë të vërtetat. Ndoshta nga mosdashja, a ndoshta nga mosnjohja, a ndoshta nga brumosja që ishte shumë më e fuqishme se ndershmëria e profesionit. Në këtë 95- vjetor duket se nëntori erdhi ndryshe. Jo për shtypin e median, një pjesë e madhe e së cilit botoi të njëjtën fotografi të shpalljes së Pavarësisë, me retushimin shumëvjeçar…, diktatorial, ndërsa spoti televiziv në Televizionin Shqiptar shfaqi foton origjinale bashkë me fotokopjen e aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Ngatërresë, mosnjohje, gabime të përsëritura, debate për figura të njohura, garë historianësh e debat i njëjtë, i lodhshëm, ndërkohë që nëntori erdhi ndryshe për të tjera të vërteta. Si për ironi të mosdashjes e mosnjohjes, të asaj gare televizive të historianëve për historinë shqiptare për pavarësinë, një stendë e madhe fotografish e dokumentesh zaptoi gjatë një pjesë të fasadës së dikurshme të godinës së ish- Komitetit Qendror si për të treguar nëntorin ndryshe, për të treguar se historia përmbyset e në këtë vend mund të ketë drejtësi. Një tjetër stendë ish vendosur për të treguar firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë, për t’u treguar syve kureshtarë fotografitë e dokumentet e vërtetë historikë, atë të vërtetë që historia e fshehu e nuk ua ka mësuar akoma. Përtej historisë, ato stenda, buste apo dekorime në këtë 95- vjetor të Pavarësisë janë shprehje e të drejtës për respekt e nderim, përtej historisë së shkarravitur, të heshtjes që duket se hera- herës shfaqet edhe sot. Një këngë e dikurshme, që shumë e mbajnë mend, mu kujtua papritur me tekstin paksa të ndryshuar, e largët dhe e afërt me stendat në fasadën e godinës së Kryesisë së Kuvendit. I ëmbël zëri i gjyshes, kur përrallën na tregon … Po ndodhte dhe atëherë ndodh dhe tani, ndonëse pak e dinë, që larg kontekstit të atyre vargjeve, zëri i dredhur i gjyshes mund të tregonte historinë e Shqipërisë. Ishte kjo histori e vërtetë, që fillimisht duhej ta mbaje fshehtas, po ndoshta dhe më vonë, deri vonë ishte vështirë ta rrëfeje me zë të lartë. Për shkollën e parë shqipe në Korçë, Jovan Cico Kosturin e patriotë të tjerë mund të lexoje diku, në librat e historisë, ndërsa portretin e njërit prej firmëtarëve të Pavarësisë mund ta kishe të fshehur për vite të tëra, bashkë me ndëshkimin që koha e atëhershme kultivonte pa kursim për të afërmit. Fillimisht zëri i dredhur, i trembur i gjyshes, dëshmitares së vërtetë të faqes së dhimbshme së historisë shqiptare të diktaturës, të mësonte të heshtje, e më pas kur ishe rritur, të njihje dhe ata që sot i gjen në stendat e fotografive, në faqet e vërteta të historisë së Shqipërisë, ngjashmërisht si shpërndarja e shkronjave dhe teksteve shqipe, në një kohë tjetër po aq të vështirë. Ndërsa nga 1946 deri në 1990 pas portretit të djalit të saj Adelina Kosturi (Nosi), kish ruajtur portretin e xhaxhait të saj, patriotit Lef Nosi… Fati i kish dhënë të njihte historinë e Shqipërisë midis Nosëve e Kosturëve. Mbesa e Lef Nosit, tashmë në moshë të thyer, është dëshmitare e përmbysjes së historisë, për të marrë paksa nga sodisfaksioni e nderimi i sotëm për njeriun me të cilin ishte mjaft e lidhur, të cilin e ndoqi burgjeve e gjyqeve, patriotin që u pushkatua në moshën 70 – vjeçare, bashkë me Anton Arapin e Maliq Bushatin, pa mundur t’u gjejnë varret…Përveç biografisë e fakteve historike të Lef Nosit, studimeve në Athinë, kulturës së tij të gjerë apo botimit të gazetës së parë Tomorri në Elbasan, nënshkrimit të Aktit të Pavarësisë dhe detyrës si Ministër i Postave (1912-1914), qenies kryetar i Bashkisë së Elbasanit, apo pasuria e madhe e përkushtimit si arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog, nënshkrues i aktit të pavarësisë së 14 shtatorit 1943, apo zgjedhjes në 25 tetor1943 si antar i Këshillit të Naltë, arrestimit, dënimit me vdekje në gjyqin e shkurtit 1946 dhe pushkatimit, ato çka historia i ka të dokumentuara dihen korrespondencat e tij me Qemal Stafën, si dhe miqësia me Fan Nolin, i cili kur largohet i le Lef Nosit një violinë, violinën e Fishtës dhe qenin e tij , i cili u shua përnjëherë në ditën e pushkatimit të Lef Nosit. I ëmbël zëri i gjyshes u këndua ndryshe, bashkë me historinë që mbeti fshehur në mijëra detaje e kujtime dhe privilegjin e një zëri ndryshe në një kohë të tmerrshme, me privilegjin e njohjes së historisë së vërtetë dhe përndjekjen, përzierë me frazën e fundit para pushkatimit të Lef Nosit, sinjifikative e përkushtimit e dashurisë për Shqipërinë. Ndërsa Instituti Albanologjik në Prishtinë duket se u tregua më i shpejtë se Tirana, kur propozoi vite më parë vënien e emrit të Lef Nosit një shkolle në Prishtinë. Shtypi ynë edhe sot kur nëntori është ndryshe në një artikull të 28 nëntor në një të përditshme, bashkë me fotografinë e retushuar krahas biografive të katër firmëtarëve të tjerë, të propozuar për t’u dekoruar me urdhrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kish harruar sërish biografinë e Lef Nosit… Kërkesa e kryeparlamentares Jozefina Topalli për nderim të figurës së Lef Nosit e firmëtarëve të tjerë, ma hoqi atë ndrojë të dikurshme, teksa ndodhesha e ftuar për të interpretuar në violinë, në një sallë të vogël ku përkujtohej përvjetori i pavarësisë. Jashtë programit, pa filluar interpretimi, ashtu siç nuk na lejohet ne muzikantëve, deklarova se më takonte të isha aty, se i përkisja familjes së njërit prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë e ministër i asaj qeverie. Dikush më pas nga salla më qortoi se nuk fola hapur, nuk e përmenda emrin e Lef Nosit. Prita ta përmendnin historianët, ata që ishin përballë, akademikët, ata që e dinin dhe e njihnin historinë e Elbasanit e Lef Nosit. Bashkë me diktaturën dhe harrimin e figurave historike ishin heshtur dhe historianët, ndonëse kishin kaluar shumë vite… Faleminderit zonjës Jozefinë, për kujdesin dhe përkushtimin, shpresën për drejtësi e më shumë, për të vërtetën e madhe se ndonëse vonë historia duhet të jetë e saktë, në nderim të atyre që u pushkatuan e të gjallëve dëshmitarë të periudhave të tmerrshme të historisë shqiptare.

Ina KOSTURI