Për Kristaq Sotirin: Mjeshtri i dritëhijeve nën hijen e injorancës së pushtetit

Nga Agron Shala

Një shtëpi e bukur dhe e vjetër, që nuk jemi mësuar ta shohim në Kosovë, strehon një thesar të rrallë: trashëgiminë e artistit të madh të fotografisë, Kristaq Sotiri – 13,726 negativë, mjetet e tij të punës e shumë e shumë fotografi të zhvilluara nga ai.

Sotiri u lind në Mborje të Korçës më 25 shkurt të viti të 1883 (vdiq më 14 korrik 1970). Informatat e para për fotografinë i merr nga burri i motrës – mjeshtri dhe patrioti Kristo Shuli (i njohur si Kristo Sulidhi), që dokumentoi hapjen e shkollës së parë shqipe më 7 mars 1878.

Për shkaqe ekonomike, pa mbushur të tetëmbëdhjetat, më 1900 emigron në Nju Jork të SHBA-ve. Për disa vite punoi në një fabrikë e pastaj për fotografë të ndryshëm të metropolit amerikan. Me dëshirën për ta perfeksionuar këtë art, nga Nju Jorku shkon në Los Anxhelos ku punon për 10 vite në studion e mjeshtrit me famë, George Steckel. Trashëgimtarët e Sotirit ruajnë edhe fotografitë që ai i solli nga Amerika, të realizuara pikërisht në këtë studio.

Sotiri ia del të hap studion e tij në Nju Jork, më 1919. Por, si njeri i dijes dhe hulumtimeve, dëshiron ta realizojë një udhëtim rreth botës. Këtë udhëtim donte ta niste nga Korça e tij, ku do të kthehet më 1921. Atëherë i sëmuret e ëma dhe ai vendosë të qëndrojë e të kujdeset për të. Tre vite pas Nju Jorkut, hap studion tjetër në Korçë.

“Ka mbajtur regjistër për çdo fotografi. Sipas regjistrit del se më 1922 hapi studion ‘Sotiri’ ku punoi deri më 1963”, thotë mbesa e tij, Kristina Sotir Pecani.

Studion e mbylli meqë ishte i moshuar për të punuar, e më vonë e shiti sepse pushteti komunist, që në një mënyrë e cilësonte “mikroborgjez”, e ngarkonte me taksat vështirë të përballueshme për të. Për më keq, në shtëpinë e tij pushteti vendos njerëz tjerë. Ai me familjen e tij detyrohet të jetojë në një dhomë të vetme.

Mbesa e artistit të madh tregon se puna e gjyshit të saj mund të ndahet në tri etapa: vitet 1922-1939 (deri te pushtimi italian); 1939-1945 (Lufta e Dytë Botërore); dhe 1945-63 (komunizmi).

“Periudha më e mirë ishte ajo 1922-1939. Ai atëherë përdorte teknikë të shtrenjtë; filma e letër që i vinin nga Perëndimi. Gjatë dhe pas lufte natyrisht se kushtet ishin tjera”, thotë ajo, teksa shton se gjyshi kishte kryer kurse në Shkollën “Kodak” dhe ishte i abonuar në revistat kryesore të kohës për fotografi të cilat i vinin deri në vitin 1939. “Kishte lidhje me firmat ‘Lymier’ në Francë dhe ‘Ilford’ në Angli nga ku merrte negativët. Letra i vinte nga SHBA-ja”.

Veprat e Sotirit janë portrete individësh, çifte, familjare, njerëzit e rëndomtë, peizazhe, rrugë karakteristike korçare, pamje nga Liqeni i Pogradecit, Voskopoja, Dardha… Ka fotografi bardhezi, monokolor, sepia të kuqe e të gjelbra.

E veçanta e tij ishte se fotografonte me dritën e ditës përmes dritares së madhe që kishte në studio. Dritën elektrike e përdorte rrallë. Ndaj, quhej mjeshtër i dritëhijes dhe kjo shihet më së miri te portretet e tij.

“Është quajtur mjeshtër i portretit dhe peizazhit; artist lirik, poet i natyrës”, shton e mbesa.

Për profesorin e fotografisë, Fahredin Spahija, Kristaq Sotiri bashkë me Kel Marubin përbëjnë ajkën e fotografisë shqiptare. Për të që të ty janë fotoportretistë të shkëlqyer, fotografitë e të cilëve mund të bëhen pjesë e çfarëdo antologjie evropiane apo botërore kushtuar portretit fotografik të fillimshekullit XX!

“Portretet e Sotirit janë të realizuara me një ndjeshmëri të lartë estetike, duke vënë në pah lojën me dritëhijen e cila shton dramën në fotografitë e tij. Gjatë karrierës së tij fotografike ai realizoi me qindra portrete artistike, në mesin e të cilëve pa dyshim më arrituri është autoportreti i tij. Jo më pak të vlefshëm janë edhe portreti i Lola Aleksit, Endacaku, portreti i Tefta Tashkos, portreti i profesorit Kondo etj.”, thotë ai.

Sotiri ndër të tjera ishte shok i piktorit Vangjush Mio dhe skulptorit Odhise Paskalit… Për të Paskali ka thënë: “Fotografitë që më dërguan janë fare të goditura. Mund t’ju sigurojë se ne s’njohim tjetër në Shqipëri i cili di të fshehtat e artit fotografik si ju (se fotografia juaj është vërtet art)”. Ndërkaq, Mio që quhet mbret i peizazhit shqiptar, njëherë i ka thënë: “Më duket se punët po më zbehen përpara artit dhe talentit tënd”.

Sistemi komunist kërkoi nga Gegë Marubi ta dorëzojë arkivin e tij që të bëhet pjesë e Kooperativës së Artizanatit. Të njëjtën komunistët ia kërkuan Sotirit, por ai ndonëse në moshë, rezistoi e nuk pranoi. Fatmirësisht, pushteti nuk merr masa tjera për t’ia arritur këtij qëllimi. Sot pasuria që krijoi është në pronësi të trashëgimtarëve. Por, shteti shqiptar e Bashkia e Korçës nuk po bëjnë asgjë për të siguruar një objekt meritor muzeal për fototekën e mjeshtrit të madh. Për këtë shpreh keqardhje jo vetëm mbesa e tij Kristina, po edhe njohësit e artit fotografik, jo vetëm në Korçë.

Ndaj, Spahija thotë se vepra e tërësishme e Kel Marubit dhe e Kristaq Sotirit akoma nuk i është nënshtruar një studimi të mirëfilltë i cili do të nxirrte të dhëna të sakta për fototekat e tyre, si dhe për vlerat artistike dhe dokumentare të fotografive të realizuara nga ata.

“Me një trajtim jo fort të kënaqshëm, i pari megjithatë ka gjetur strehë në Muzeun Marubi të Shkodrës. Por, i dyti, pra Kristaq Sotiri, akoma nuk e ka vëmendjen e duhur të shtetit. Vepra e tij fotografike deri sot nuk ka pasë një trajtim serioz, anipse kemi të bëjmë me një fototekë shumë të vlefshme, me rëndësi të veçantë për historinë, artin e kulturën shqiptare”, thotë ai. /Telegrafi/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com