Për fotografin e familjeve shkodrane, Angjelin Nënshati, sot në përvjetorin e vdekjes

I përket një kohe më të vonë se emrat e tjerë të fotografisë shkodrane, por me punën dhe përkushtimin e tij ai është në gjithëkohjen e emrave dhe personaliteteve të fotografisë, një vlerë, një memorie, një celuloid që ka mbetur në historinëe qytetit dhe rretherreth tij, në çdo familje e në çdo gazmim, në çdo ngjarje e në çdo kulmim të zhvillimit. Ai ishte syri dhe fokusi i asaj që histori nuk do të mund ta tjetërsonte dot, ai ishte prekja vizuale që do të na lejojë të rikthehemi në kohët që iken me të njëjtin pasion dhe përkushtim, sepse fotografia është kujtesa në atë që ne shohim dhe rizgjojmë.
Falë një pune të palodhur dhe ambicioze të Angjelinit, nuk ka event që ka ndodhur në Shkodrën e mbi 50 viteve që nuk është “bërë i pavdekshëm” në celuloid nga një dorë mjeshtrore dhe sy i vëmendshëm!
Angjelin Nënshati sot kujtohet në Shkodër si njeriu që ka lënë kujtesën më të mirë për familjen shkodrane dhe Shkodrën e re! Nuk janë kujtuar ti japin ndonjë titull të madh, ndërkohë që “Mjeshtra të Mëdhenj” ka dhe prej atyre që nuk kanë as mjeshtri as reputacion qytetar në shërbim të qytetarëve dhe profesionit.
Gjithsesi Angjelini është një nder dhe mjeshtër për Shkodrën, dhe ajo sigurisht e nderon shumë.
Angjelin Nënshati do të mbetet padyshim një vlerë, një emër, një faqe në historinë e fotografisë.
Albert Vataj
Zani i Malsisë