Pë herë të parë NATO në Tiranë, liderët e sigurisë botërore flasin për konfliktet

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner, në një konferencë për shtyp tha se aleanca duhet të tregojë vendosmëri përballë sigurisë ushtarake në rritje të Rusisë.Kreu i delegacionit shqiptar në Asamble, Pandeli Majko garantoi gjatë fjalës së tij se Shqipëria nuk ndjek politikat e kushtëzimit të votës së Shqipërisë për anëtarësimin e fqinjëve. Përfaqësuesja e opozitës, Jozefina Topalli, thotë se mbajtja e Asamblesë në Tiranës është fryt i lobimit të demokratëve tre vjet më parë kur ishin në drejtimin e vendit.

Shtatë vjet pasi flamuri shqiptar u reshtua krah flamujve të tjerë të Aleancës së Atlantikut të Veriut , Tirana ka mirëpritur për herë të parë  Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku për 3 ditë 260 parlamentarë diskutojnë çështje të sigurisë dhe politikat e zgjerimit të Aleancës së Euroatlantikut.

Diskutimet janë fokusuar tek kërcënimi i Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore, por edhe rreziku i Shtetit Islamik.

Në konferencën për shtyp, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michale Turner, tha se aleanca duhet t’i përgjigjet Rusisë përmes dy udhëve, rritjes së sigurisë ushtarake dhe dialogut.

Turner: “Në Samitin e Aleancës në korrik, NATO duhet të tregojë vendosmëri përballë sigurisë ushtarake në rritje të Rusisë dhe një gatishmëri më të madhe për të ndarë barrën e mbrojtjes kolektive. Por kjo nuk përjashton dhe as nuk ul peshën për dialog me Rusinë. Megjithatë duhet të  theksojme se është Rusia e sheh NATO-n si kërcënim dhe jo anasjelltas. Ne duhet të njohim deklaratet e Rusisë për përdorim të armëve bërthamore”, tha Turner.

Kreu i delegacionit  shqiptar në Asamble, Pandeli Majko, tha se aleanca nuk kërkon të bëjë armiq, dhe shprehur qëndrimin e Shqipërisë, për politikat e zgjerimit të NATO-s, duke mirëpritur anëtarësimin e Malit të Zi.Ai garanatoi votë pa kushte për fqinjët.

Majko: “E kemi shprehur dhe do të shprehim shqetësimin tonë për problemin e të drejtave të shqiptarëve në çdo vend ku ata jetojnë, por mendoj se është një lajm shumë i mirë për të gjithë rajonin fakti që Mali i Zi po bëhet pjesë e aleancës së madhe të NATO-s.”

Turner: “Zgjerimi i NATO-s është pjesë përbërëse e Aleancës. Ne do bëjmë të pamundurën për zgjerimin.  Mirëpresim anëtarësimin e Malit të Zi, por edhe anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë do të rrite sigurinë në rajon. Ne kemi kërkuar katërfishimin e fondeve për praninë e NATO-s në Europë”.

Ndërkohë mbajtjen e punimeve të Asamblesë së NATO-s në Shqipëri, e vlerësoi edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila kujtoi se vendimi që Asambleja të zhvillohej në vendin tonë u mor 3 vjet më pare, falë lobingut të demokratëve.

Topalli: “Kur është marrë vendimi ka qenë pranmvera, ose shkurt-marsi i vitit 2013 ku kryetar i delegacionit të NATO-s ishte Leonard Demi, i cili sëbashku me mua dhe kolegë të tjerë bëmë një lobing të fuqishëm dhe morëm lajmin e mirë pas ftesave dhe letrave të pafundme që dërguam në atë kohë që kjo Asamble do trë mbahej në Shqipëri”.

Shqipëria u anëtarësua në vitin 2009 në NATO dhe ashtu sikurse vendet e tjera të Aleancës, ka detyrimet financiare që parashikojnë një buxhet  prej 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për Mbrojtjen, por  vendi ynë  aktualisht po shkon drejt kësaj shifre dhe është ne nivelin 1.6 përqind.

 

Asambleja Parlamentare e NATO-s, Bushati kërkon dhe integrimin e Kosovës

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në fjalën hapëse të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Tiranë, deklaroi se Shqipëria mbështet anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke u ndalur veçanërisht tek Kosova, Bushati tha se anëtarësimi i saj rrit sigurinë për rajonin.

përsa i takon Kosovës ne besojmë se një rrugë e qartë dhe e  mirëpërcaktuar për Kosovën drejt proceseve integruese si në BE dhe NATO si dhe ngushtimi i hendekut integrues mes Kosovës dhe vendeve të rajonit janë parakusht për të pasur një siguri të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin tonë

Bushati e vuri theksin tek sfidat kryesore të NATO-s, që nga siguria në vendet Lindore, terrorizmi dhe kriza e refugjatëve. Lidhur me masat parandaluesë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, Bushati tha se është drejt finalzimit Qendra rajonale e Ekselences Kundër Radikalizimit.

Jemi në  fazën finale të krijimit të qendrës  ëe ekselences në dimension rajonal ku praktita të mira të bashkëpunimit, do të shërbejnë si model mbase dhe për vendet e tjera dhe për të ndërtuar një dialog të mirëfilltë me komunitetet.

 I pyetur nga përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar për ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendit në BE, Bushati tha se vëc të tjerash kjo është cështje e vullnetit politik.

Reforma në drejtësi është kryereforma. Është përgjegjësi e brendshme e jona për të demonstruar një vullnet të qartë politik për të bërë kapërcimin e domosdoshëm

Punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve përgjatë 3 ditëve, deri të hënën e 30 majit.

Të hënën, më 30 maj, Asambleja do të mblidhet në seancë plenare, e cila do të drejtohet nga Michael Turner, President i Asamblesë Parlamentare, Ilir Meta, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, nga ambasadori Alexander Vershbow, zv/sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe të tjerë personalitete të spikatura.

 

Përfaqësues të Armenisë dhe Azerbajxhanit debat për terrorizmin

Për herë të parë mbahet Asambleja Parlamentare e NATO-s, që nga koha kur Shqipëria zuri vendin e saj në Aleancën më të fuqishme luftarake në botë përkrah shteteve më të fuqishme të botës në Aleancën e Atlantikut Verior, 7 vjet më parë. E megjithëse një organizatë me ndikim të fortë për vendosjen e paqes në botë, ajo ka dhe brenda rradhëve të saj konflikte dhe mosmarrëveshje që transferohen edhe në takime të tilla të rëndësishme. Kështu ndodhi në sesionin e parë dhe të dytë që u mbajtën në kryeqytetin shqiptar, kur përfaqësuesi i Armenisë dhe ai i Azerbajxhanit u përfshinë në një debat të ashpër në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Edhe NATO, organizata që prodhon siguri dhe paqe në botë shënon përplasje në radhët e anëtarëve të saj.

Asambleja Parlamentare që po mbahet në Tiranë në ditën e parë të saj u shoqërua me debate dhe replika të forta mes përfaqësuesve të Armenisë e Arzerbajxhanit.

Në sesionin e pasdites ndërsa diskutohej për luftën ndaj terrorizmit, Armenia akuzoi Azerbajxhanin për lidhje me Shtetin Islamik.

Deklarata ngjalli reagimin e ashpër të përfaqësuesit të Azerbajxhanit, ndërsa për të ulur tonet u desh ndërhyrja e drejtuesit të Sesionit.

“Të gjithë ne e dimë që Azerbajxhani është i lidhur me DAESH, në prill kishte persona nga Azerbajxhani që kanë luftuar sëbashku me DAESH dhe janë bërë pjesë e forcave të rregullta kundër forcave tona. Dhe kjo nuk është hera e parë që njerëz nga Afganistani kanë qenë përkrah”.

“Zonja dhe zotërinj ju e dëgjuat se çfarë tha kolegu nga Armenia dhe kjo ishte një gënjeshtër tjetër e radhës për Azerbajxhanin”.

Tensioni mes dy vendeve u reflektua dhe në sesionin e paradites, gjatë së cilit palët shkëmbyen akuza në lidhje me konfliktin disa vjeçar të kufirit.

 “Natyrisht ky rajon do të vazhdojë të jetë pjesë e Azerbajxhanit, po të doni fakte historike”.

“Megjithatë Azerbajxhani nuk bëri asnjë përpjekje për ti dhënë fund armiqësisë, por përkundrazi ka shprehur propagandën sikur ishte Armenia ajo që shkeli ligjin ndërkombëtar”.

Gjatë sesonit të dytë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s u diskutua për krizën në Lindjen e Mesme dhe rrezikun kibernetik që vjen nga Kina.

Një çështje e rëndësishme që zuri vend në diskutime ishte dhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.