PD, FUSHATE NE SHKODER/ Aspak dinjitoze çelja e fushatës së Bashës, gjatë takimit lëshojnë balona me fotografinë e Topallit

Lulzim Basha ka qenë pasditen e sotme në Shkodër ku ka çelur fushatën elektorale të PD. Në fjalën e tij Basha u mundua ta justifikojë përplasjen me Jozefina Topallin, teksa shprehu mirënjohjen ndaj kësaj të fundit. Por duket se Shkodra ka zgjedhur të mbështesë Topallin si dhe Helidon Bushatin & Ramiz Çobajn që u dorëhoqën nga gara.

Fotot e mëposhtme tregojnë pjesëmarrjen në takimin e Bashës. Burime nga Shkodra bëjnë të ditur se shumica janë punonjës të Bashkisë, ndërsa Basha shoqërohej nga Voltana Ademi. Përveçse ka pasur shumë pak njerëz në takimin e Shkodrës, Lulzim Basha është përballur edhe me një surprizë të hidhur. Mbështetësit e Jozefina Topallit i kanë prishur takimin atij, duke nxjerrë pankarata në mbështetje të ish-deputetes demokrate, e cila është lënë jashtë nga Basha për zgjedhjet e 25 qershorit.

Një grup demokratësh kanë shpalosur një pankartë ku shkruhej: “Jozefina krenaria e Shkodrës”. Ndërsa në ajër u lëshua me balonë me një fotografi të Jozefina Topallit. Edhe gjatë fjalimit të Bashës ka pasur thirrje në emrin e Topallit. Ndoshta nga gjithë këto, Basha dukej si i mekur në fjalimin e tij.