Pavarësisht krizës shumëvjeçare Greqia vazhdon të mbetet investitori kryesor dhe partneri bazë i ekonomisë shqiptare

. Lajmin e bën me dije Agjencia Shtetërore greke e lajmeve që i referohet burimeve nga Banka e Shqipërisë si dhe nga zyra ekonomike dhe tregtare e ambasadës greke në Tiranë. Statistikat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të dytë vlera e aseteve që kompanitë greke zotërojnë në ekonominë shqiptare vazhdon te mbetet mbi nivelin e 1.2 miliardë euro, përafërsisht 25% e totalit të investimeve të huaja në Shqipëri. Në vend të dytë vijnë kompanitë hollandeze vlera e aseteve të të cilave shkon në 870 milionë euro. Ndërkohë, stoku i investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare është rritur në 5.8 miliardë euro në tremujorin e parë të vitit 2017. Bëhet fjalë për  investime të kryera ndër vite të cilat përfaqësojnë shumën e aseteve që zotërojnë aktualisht në ekonominë shqiptare kompanitë e huaja dhe që sipas buletinit të Zyrës Ekonomike dhe Tregtare të ambasadës greke në Tiranë është rritur me 800 milionë euro. Sipas të njetave burimeve sektorët që tërhoqën më shumë investime të huaja janë:  Ai i komunikimit dhe informacionit, me gati 1.2 miliardë euro që përfshin kompanitë e telekomunikacionit, teknologjisë së informacionit, qendrat telefonike etj. Sektori i industrisë së gazit dhe energjisë elektrike që përfshin investime me vlerë mbi 1 miliardë euro në hidrocentralet e dhëna me koncension si dhe tek gazsjellësi Trans Adriatic (TAP). Dhe sektori i tretë, ai financiar me investime të shumës 952 milionë euro.