PAS-MARREVESHJA/ Besnik Mustafaj kritika për Bashën: Nuk na informoi për marrëveshjen që do bënte

Ish-ministri i jashtëm në qeverinë Berisha, Besnik Mustafaj është shprehur se Basha ka gabuar për sa i përket marrëveshjes që bëri më Ramën dy ditë më parë.

Sipas tij, Basha shkoi në tryezën e negociatave me një kusht të panegociueshëm, e ndërsa hoqi dorë prej tij, duke mos e informuar më parë opinionin publik.

Për Mustafain, në demokraci opinioni publik duhet të përgatitet më parë e më pas të merret një vendim, i cili do ndikojë tek ai.

“Unë nuk e qortoj këtë gjë. Basha ka pasur një qasje, jo prej negociatori, sepse nuk shkohet në tryezën e negociatave me një kusht të panegociueshëm. Nuk e qortoj pse hoqi dorë nga ky kusht. Ajo që nuk është bërë me inteligjencë nga Basha është fakti se nuk e përgatiti opinionin për marrëveshjen. Ai nuk kishte dhënë asnjë informacion. Edhe Rama dhe Basha treguan se janë të aftë të surprizojnë, por nuk janë për demokracinë këto surpriza. Në demokraci duhet përgatitur opinioni publik për të punuar”, shkruan Besnik Mustafaj.